Krimi i organizuar po e rrënon Republikë
Mungesa e vullnetit politik për mbështetje të institucioneve të sundimit të ligjit, dhe mosveprimi i tyre efikas në luftimin e krimit dhe të korrupsionit në vend, sipas analistëve, po bën që edhe shteti i Kosovës të vihet në rrezik të funksionimit si shtet normal pikërisht nga kapja e nga krimit të organizuar, i cili është futur thellë, jo vetëm në institucione, por edhe tek të gjitha partitë pa dallim, e nëpërmes tyre në procesin e ndërtimit të institucioneve, është rrjetëzuar në të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe atij lokal.
DEGRADIMI I DEMOKRACISË NGA POLITIKANËT SUNDIMTARË
Qytetarët po e braktisin vendin, për shkak të mungesës së perspektivës
“Klasa politike e shteteve të valës së tretë të demokracisë, të dhënë pas krimit të organizuar, kapjes së shtetit dhe shfrytëzimit të resurseve natyrore, krijuan një “oligarki funksionale dhe demokraci formale”, duke e bërë shtetin që të dështojë të ofrojë edhe shërbimet më themelore për qytetarët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kosovë dhe tani jemi duke jetuar në “oligarki funksionale brenda demokracisë formale”, u shpreh analisti Gurakuq Kuqi
Mungesa e vullnetit politik për mbështetje të institucioneve të sundimit të ligjit, dhe mosveprimi i tyre efikas në luftimin e krimit dhe të korrupsionit në vend, sipas analistëve, po bën që edhe shteti i Kosovës të vihet në rrezik të funksionimit si shtet normal pikërisht nga kapja e nga krimit të organizuar, i cili është futur thellë, jo vetëm në institucione, por edhe tek të gjitha partitë pa dallim, e nëpërmes tyre në procesin e ndërtimit të institucioneve, është rrjetëzuar në të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe atij lokal.
Edhe institucionet e pavarura me kushtetutë janë të kapura nga politika, sepse politikën e mbajnë peng grupet oligarkikekriminale të bizneseve të pista, që furnizojnë me para njëra-tjetrën, siç e mbajnë peng edhe tërë sistemin e drejtësisë.
Njohësit e politikës dhe sundimit të ligjit vlerësojnë dhe alarmojnë se me institucione të mbajtura peng nga korrupsioni e krimi i organizuar nuk mund të kemi ekonomi të zhvilluar, as sundim të ligjit e as stabilitet politik, për shkak se tensionet po rriten vazhdimisht, derisa krimi dhe korrupsioni i nëntokës kriminale vetëm sa kanë metastazuar në të gjitha institucionet e shtetit, pa dallim. Kjo argumentohet akoma më mirë edhe në bazë të trendit të largimit të qytetarëve, nga vendi. Kosova po vazhdon të braktiset, shumica e popullatës në rastin e parë që jepet mundësia, sepse askush nuk po mund të toleroj më të bashkë- jetojë me mafinë dhe me krimin e organizuar që ka kapur shtetin, duke mos e lënë të funksionojë.
Korrupsioni endemik
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, zanafillën e instalimit të krimit dhe korrupsionit në institucionet e shtetit të Kosovës dhe në politikë e sheh që nga instalimi i pushtetit të UNMIK-ut, që nuk është zhbërë as pas pavarësimit të vendit. “Ka kohë që vendin tonë e ka mbërthyer krimi dhe korrupsioni. Në fakt, me Rezolutën 1244 të KS të OKBS-së, e cila e përcaktoi UNMIK-un si organ udhëheqës në Kosovë, filluan edhe dukuritë negative me krimin dhe korrupsionin. Fillimisht u vendosën në pushtet, në Kuvend, në polici, në prokurori dhe në gjykata, ish-njerëzit e regjimit dhe nëpërmjet këtyre u vendos korrupsioni dhe krimi, që depërtoi shumë shpejtë te disa elemente të subjekteve politike, që më vonë tërë atë strukturë e futën nën kontroll të mafisë politike dhe ekonomike e financiare”, është shprehur ai. “Ky sistem kriminal, nga politika u ngarkua edhe me bashkëpunëtorët e regjimit fashist serb, që e rrëmbyen pasurinë e tundshme dhe të patundshme, duke i monopolizuar në duar të oligarkëve mafiozë tërë pasuritë e vendit. E tash është futur thellë krimi dhe korrupsioni. Asnjë punë nuk mundet kush në organet e shtetit ta kryejë si duhet, si në prokurori a gjykata, në fushën e punësimit a në spital, pa korrupsion dhe lidhje të forta. Madje njerëzit vdesin për mjete medicinale dhe nuk ka ndihmë pa korrupsion nëpër mjekë, por edhe në qeveri”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.
Pasiguri totale
Analisti Blerim Burjani pohon se është komplet një pasiguri totale dhe mungesë perspektive në zhvillimin ekonomik të shtetit, veçmas të sektorit privat, i cili totalisht është i varur nga rendi dhe ligji në shtet. “Tash për tash nuk ka kush të merret as me konkurrencën jolojale, nuk ka kush të merret me ndaljen e monopoleve, me tenderët e shumtë të kurdisur e gjithçka tjetër. Tani për ta ndarë “shapin nga sheqeri” konsideroj se çështja qëndron kryekëput te vetëdijesimi i popullit, për ta ndëshkuar këtë klasë politike, por jo te vetëdijesimi i këtyre partive me këta liderë, të cilët dihen pse janë në këto poste dhe dihet edhe kush janë, dhe si janë ardhur në pushtet dhe çka kanë bërë, kjo mbetet në vullnet të qytetarëve për të gjykuar e vepruar në të ardhmen”, tha Burjani për “Kosova Sot”.
Sipas analistit politik, Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin e pavarur për studime politike dhe medie, vala e tretë e demokracisë pas viteve ’80, që ndodhi në shumë shtete, për Kosovën pothuajse ka qenë e kundërta e pritjeve duke qenë larg modelit të demokracisë perëndimore, prandaj dhe shumica nga ato shtete kanë mbetur demokraci vetëm në letër. “Klasa politike e shteteve të valës së tretë të demokracisë të dhënë pas krimit të organizuar, kapjes së shtetit dhe shfrytëzimit të resurseve natyrore krijuan një “oligarki funksionale dhe demokraci formale”, duke e bërë shtetin që të dështojë të ofrojë edhe shërbimet më themelore për qytetarët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kosovë dhe tani jemi duke jetuar në “oligarki funksionale brenda demokracisë formale”, u shpreh ai. “Dhe tani nuk ka asnjë lidhje të institucioneve shtetërore ekzistuese, që punojnë për nevojat e qytetarëve, por vetëm të klasës politike. Kjo direkt po e rrezikon shtetin me dy paralele të njëtrajtshme shkatërruese: e para është se qytetarët e Kosovës janë thellësisht të dëshpëruar nga mizoria e klasës politike dhe ndihen të pafuqishëm përballë kësaj mizorie dhe pa perspektivë, andaj si zgjidhje e shohin ikjen nga Kosova, por edhe humbjen e lojalitetit ndaj shtetit në çdo mënyrë. E dyta, Kosova po përballet me një dinamikë të shtuar të diplomacisë së Serbisë për dështimin dhe zhagitjen e shtetit të Kosovës deri në krijimin e rrethanave për goditjen e fundit”, potencoi ai./kosova sot/


