HW

Krimi i organizuar në Kosovë, kopje e ish mafisë italiane

/ 10 minuta lexim
United Hospital

Ditë më parë, në një intervistë për medie, prokurori i EULEXit, Andrei Hudges, ka folur e treguar gjerë e gjatë se si funksionojnë trafikantët e narkotikëve në vendet e Ballkanit dhe i ka krahasuar veprimet e tyre me ato të mafisë italiane. Ai ka përmendur edhe rastet e kërcënimeve dhe tentimeve për t`i eliminuar dëshmitarët si një nga format që sipas tij është bërë edhe nga mafia italiane.

Sipas prokurorit Hudges, edhe blerja e dëshmitarëve është një nga format që kishte përdorur mafia italiane.”Është ngjashëm me shembullin klasik të krimit të organizuar në Itali, të quajtur Omerta, ku ekziston një kod i heshtjes, e nëse dikush e thyen kodin e heshtjes, atëherë ne do të të vrasim, do të ta vrasim familjen tuaj, do të ta shkatërrojmë pronën tuaj, do ta shkatërrojmë reputacionin tuaj dhe ky ka qenë rast ku janë vrarë njerëz, veturat e tyre janë bombarduar, janë hedhur granata, mediat i kanë shkatërruar në atë mënyrë që ata të mos mund të gjenin punë. Pra, këta janë dëshmitarë që mund të joshen për ta ndryshuar rrë- fimin e tyre”, ka deklaruar prokurori Hudges.

Analistët e politikës, njohës të mirë të realitetit të pasluftës në Kosovë, konsiderojnë se pothuajse në formë shumë identike funksionojnë njëjtë si trafikantët e narkotikëve, i tërë krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale edhe në Kosovë, pjesë e së cilës janë mafio-oligarkët e inkriminuar që për një periudhë të shkurtër fituan nga disa qindra miliona e dikush edhe përtej miliardit euro, krejt në bashkëpunim me pushtetarë të inkriminuar të nivelit të lartë në Kosovë, ndërkaq që Prokuroria dhe Prokuroria Speciale , qoftë ajo ndërkombëtare apo vendore, nuk i shkon mendja të merret me kriminelë të nivelit të lartë të mafio-oligarkëve, si dhe pushtetarët me pozita të larta në të dyja nivelet e pushtetit, të cilët janë pjesë e klaneve mafioze kriminale. Për këtë pasojë edhe Kosova po shihet se është bërë dhe po funksionon si shtet i mafisë, e cila mafia funksionon identik njëjtë si ish-mafia italiane.

Kosova është shndërruar në shtet të mafisë

Analisti politik Florim Zeqa pohon se krahasimi që u ka bërë Prokurori i EULEX-it, Andrei Hudges, mafio-oligarkëve të inkriminuar kosovarë me ish-organizatën e krimit të organizuar italiane “OMERTA”, përveçse i saktë, është shumë i përafërt edhe në veprime.”Rastet e kërcënimeve dhe tentimeve për t`i eliminuar dëshmitarët dhe blerja e tyre me para të pista është e ngjashme me shembullin klasik të krimit të organizuar në Itali të viteve ’70-80-ta, të titulluar “Kodi i heshtjes”. Nëse dikush e ka thyer kodin e heshtjes, atëherë është vrarë bashkë me familjen e tij, i është shkatërruar prona dhe çdo gjë tjetër, duke i pamundë- suar jetën në atë vend. Analogji e njëjtë e veprimit dhe funksionimit të krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale po ndodh aktualisht në Kosovë, pjese e së cilës janë mafiooligarkët e inkriminuar që për një periudhë të shkurtër fituan nga disa qindra miliona euro, e dikush edhe përtej miliardit, krejt në bashkëpunim me pushtetarë të inkriminuar të nivelit të lartë në Kosovë. Prokuroria dhe Prokuroria Speciale e Shtetit po tregohen të paafta në përballje me kriminelët e nivelit të lartë të mafio-oligarkëve, si dhe pushtetarëve të inkriminuar me pozita të larta në të dyja nivelet e pushtetit, të cilët janë pjesë e klaneve mafioze kriminale. Kështu, pra, Kosova është shndërruar në shtet të mafisë, e cila kontrollon komplet sistemin e drejtësisë, institucionet e shtetit dhe çdo segment të jetës shoqërore, ashtu siç kishte funksionuar në të kaluarën ish-mafia italiane. Siç u dëshmua përgjatë 10 vjetëve të fundit, shqiptarët më shumë afinitet kanë në përvetësimin e dukurive negative sesa elementeve pozitive nga praktikat e shteteve të zhvilluara demokratike dhe atyre në zhvillim e sipër në rajon”, theksoi analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”.

Badallaj: Ligjet i bën mafia

Edhe analisti Reshat Badallaj thotë se pikërisht në Kosovë veprojnë mafio-oligarkët më të rrezikshëm të rajonit, bandat mafioze të stilit sicilian dhe kolumbian.”Në Kosovë pra ekziston rrjeti mirë i organizuar i kanaleve të nëntokës të këtyre stileve dhe bile kam shkruar se janë edhe si mafia e Zemun Poljes. Kjo bandë e rrjetit të krimit të organizuar të kanaleve të nëntokës kriminale bashkëpunojnë edhe me serbë, pa më të voglin dyshim, që janë të dirigjuar nga Serbia, që mafia lulëzon pa frikë fare në Mitrovicën e Veriut, nëpër dogana mafio-oligarkët as që kontrollohen, sepse këtu dirigjohen nga mafiozët e majave të larta shtetërore, të qeverisë kuislinge, Kuvendit kukull, që janë të mbushur plot e përplot me sojin e këtyre mafio-oligarkëve”, është shprehur Badallaj për gazetën “Kosova Sot”. “T’u referohemi tani fakteve, si ka mundësi që të futen banda serbiane ‘Devolli’ në Dogana pa u kontrolluar fare, kur nuk kontrollohet atëherë kush garanton se çka ka brenda, a futen krunde qensh e derrash dhe u ikin tatimeve të shtetit duke dëmtuar buxhetin e vendit me miliona euro. Ndoshta ka pasur me tonë drogë, kush e di, sepse janë futur pa u kontrolluar fare. Po në Mitrovicën e Veriut a e dini ju se ekziston mafia më e rrezikshme jo vetëm në Ballkan, por në Evropë, krahas mafisë së Sicilisë. Po të mos ishin trafikantë dhe të mos vidhnin, atëherë a di ndokush të më tregojë se si ka mundësi vagabondët, mafio-oligarkët, të bëhen me një rrogë multimilionerë, kur ne i njohim që para luftës këta banditë shkuar banditëve nuk kishin as brekë e as çorapë për të mbathur. Ka ndodhur që kjo bandë mafioze e stilit sicilian i ka vrarë dëshmitarët dhe pastaj i ka humbur pa shenjë e pa dokë, që të humben gjurmët e krimit”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot”.

FIDANISHTJA

Badallaj thotë se te ne nëntoka kriminale është e lidhur me majat e shtetit, të Qeverisë, Kuvendit e kryetarë komunash me “halabak”, që nuk dinë se nga shkojnë dhe nga vijnë, por vetëm veprojnë sipas rregullave të bandave të majave të shtetit.”Ndaluni dhe shikoni veprimet e tyre se asnjë nga mafio-oligarkët jo vetëm që nuk u dënuan që shkatërruan deri në themel Kosovën, por ata i lënë të veprojnë akoma lirshëm dhe të mos i trazon askush as për t’i pyetur. Ose sa e sa kërcënime janë bërë në Kosovë, se “…jo vetëm ty që do të likuidojmë, por të shkon edhe familja”, theksoi Reshat Badallaj. Sipas Badallajt, e keqja më e madhe është se ka mjaft kësi banditësh edhe në prokurorinë vendore dhe të EULEX-it, prandaj ai e thotë pa frikë se ligjet i bën mafia në Kosovë dhe as që përmendet dhe respektohet Kushtetuta e vendit.

Kadrijaj: Njerëzit e drejtësisë, të “prangosur” nga mafio-oligarkët

Praninë enorme të fenomenit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në shtetin e ri të Kosovës, analisti Mustafë Kadrijaj e ndërlidh me vetë fazën transitore në të cilën gjendemi si shoqëri, e që një tranzicion të tillë me probleme të ngjashme e kanë pasur ose e kanë akoma në një masë edhe vendet e tjera.

Ai ekzistimin e kësaj situate e sheh edhe si pasojë e dështimit të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, të angazhuar në sundimin e ligjit.”Duke marrë parasysh që Kosova ende është në fazën e tranzicionit dhe po ashtu edhe si rajon i Ballkanit ku ende demokracitë nuk e thonë fjalën e fundit, është vend i përshtatshëm i grupeve kriminale, të cilat përmes joshjes me mjete dhe kërcënimeve të ndryshme si dhe shantazhit për ulje të reputacionit dhe imazhit që u bëjnë institucioneve dhe njerëzve që ndjekin krimin, pra funksionon, dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal, duke shpërndare mjete narkotike zhvillimi i prostitucionit si dhe abuzimit të parasë publike dhe duke kryer edhe vrasje dhe kërcënime kur pengohen nga ndonjë zyrtar. Deri më tani ende drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit, për shkak që nuk i kanë duart e lira nga mafio-oligarkia, por njëherësh edhe misionet e drejtësisë të mandatuar nga ndërkombëtarët nuk kanë dhënë rezultate, në momente të caktuara kanë ndodhur edhe afera, duke marrë mitë po nga këto grupe”, theksoi Kadrijaj për gazetën “Kosova Sot”.

Sipas analistit Kadrijaj, duke u bazuar në neglizhencën e drejtësisë, duke iu grumbulluar dosjet që nuk e dinë edhe ata se kur do t’i përfundojnë, ka pak shpresë për një shtet ligjor.

Sipas analistit Arsim Haziri, lulëzimi i krimit zakonisht zhvillohet brenda atyre shteteve ku sistemi i drejtësisë është në formë minimale të zbatimit, ku subjekte të gjykimit nga ana e organeve ligjore mund të jenë disa prerës ilegalë të pyllit, si dhe disa hajna të kategorive të ulëta të shoqërisë.”Politika tashmë ka marrë një emërtim tjetër, ajo shihet si mundësia ekskluzive drejt pasurimit enorm. Prej vitit 1999 e deri me tani, qeverisja qendrore ka qenë mundësia më relevante për të instaluar rrjetin e tyre kriminal drejt institucioneve publike dhe kësisoj asnjë dikaster themelor nuk ka mundur të jetë i ndarë nga kjo agjendë negative. Politika mjaft mirë ka ditur për të shtrirë rrjetin e saj në çdo institucion dhe kështu gjithë aparatin shtetëror e ka arritur që ta ketë nën vëzhgim dhe duke e pasur nën duart e saja sot ata gjenden ta pakapshëm prej organeve gjegjëse. Pra, tërë kontrollimi shtetëror reduktohet në një grupacion politik”, është shprehur analisti Arsim Haziri për gazetën “Kosova Sot”. “Intervista e prokurorit të EULEX-it, ku mënyrën e mosfunksionimit të shtetit ligjor dhe demokratik e lidh me hapësirën e shtrirjes së rrjeteve kriminale, bandave të ndryshme politike dhe e krahason me atë të mafisë ballkanike e italiane, unë e konsideroj e të drejtë. Kosova jo rastësisht është brenda kësaj logjike zaptuese, jo në mënyrë të paqëllimtë, gjendet pa një perspektivë të përgjithshme sociale, si dhe jo e pavetëdijshme për rrugëtimin të cilin është duke e ndjekur. Liderët zaptues, privatizues dhe zotërues, që tashmë janë në skenë, përmes grykësisë ekonomike, në mënyrë të qëllimtë dhe dukshme, kanë arritur për të shtirë tërë rrjetin e tyre brenda funksioneve kyçe”, është shprehur Haziri.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.