Krimi e korrupsioni bashkojnë mafio-politikanët në Kosovë e në Shqipëri
Ngecja enorme në luftimin e dukurive negative brenda hapësirës gjithëshqiptare, krimit të organizuar dhe korrupsionit, sipas analistëve politikë është një e metë me të cilën po ballafaqohen si institucionet e reja të Kosovës, po ashtu edhe ato të Shqipërisë, në këtë rrafsh mbizotëron vlerësimi i analistëve politikë.
Ahmeti: Mafio-politikanët dhe mafio-oligarkët e të dyjave vendeve duhet të ndëshkohen për kapjen e institucioneve
Ngecja enorme në luftimin e dukurive negative brenda hapësirës gjithëshqiptare, krimit të organizuar dhe korrupsionit, sipas analistëve politikë është një e metë me të cilën po ballafaqohen si institucionet e reja të Kosovës, po ashtu edhe ato të Shqipërisë, në këtë rrafsh mbizotëron vlerësimi i analistëve politikë.
Sipas tyre, nga një mosveprim kundër së keqes në rrafshin nacional, rrezikohen pothuajse baras nga krimi dhe korrupsioni, edhe Shqipëria, edhe Kosova, ngase po ndërtohet një lloj partneriteti kriminal mes oligarkëve këndej dhe andej kufirit, ku fatkeqësisht ka metastazuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, kontrabanda, evazioni etj., të cilët për interesa shumë milionëshe po shkelin mbi interesin nacional për shumë çështje.
Analistët vlerësojnë se lidhjet e nëntokës mes dy vendeve funksionojnë kryesisht përmes mbështetjes së pushtetarëve të lidhur me mafinë politike dhe mafinë ekonomike në të dy vendet! Profesori i së Drejtës, Riza Smaka u shpreh për “Kosova Sot” se krimi i organizuar dhe format e ndryshme të korrupsionit në institucionet publike, sikundër në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, për shkak të afërsisë gjeografike, mentalitetit dhe kulturës juridike përafërsisht të njëjtë, virtualisht janë reciprokisht të ndërkushtëzuara! “Aq më parë kur në këto dy shtete shqiptare, sistemet e drejtësisë nuk janë funksionale, efikase as efeçiente. Po ashtu, aparatet e administratës publike, në po këto vende, janë të stërfryra jashtë kornizave të standardeve, në një anë dhe, nuk janë të organizuara konform me vëllimet, strukturat e natyrat e punëve, në anën tjetër. Çështjet problemore prodhojnë doganat dhe tatimet, të cilat nuk inkasohen me efikasitet dhe në të njëjtat ka forma evidente të evazioneve antiligjore. Mjerisht, në këto dy vendet tona me gjendje të tillë, në vend të mundësisë për të realizuar dhe për të prezantuar rezultate afirmative, të tillat, pothuajse nuk janë evidente. Së andejmi, edhe në raportet e progresive nga Këshilli i BE-së, sikundër për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën, me dallime të parëndë- sishme, publikohen pasqyra negative veçanërisht referuar korrupsionit, krimit të organizuar dhe funksionimit të dobët të sistemit të drejtësisë dhe të administratës publike, ” theksoi profesori i së Drejtës, Riza Smaka.
Politikat manipulative po zbatohen në të dyja shtetet shqiptare
Sipas analistit Florim Zeqa, partneriteti kriminal mes oligarkëve andej dhe këndej kufirit, apo thënë ndryshe kooperimi mes “kokainës” kosovare dhe “kanabisit” shqiptar, jo vetëm që rrezikon dy shtetet, por janë duke e rrezikuar shëndetin dhe të ardhmen e qytetarëve. “Aq ngushtë bashkëpunojnë mes tyre grupet mafioze të oligarkëve të dy shteteve, saqë krijohet përshtypja sikur janë një trupë e vetme kriminale. Pushtetarët në Prishtinë dhe në Tiranë i këmbejnë “këshilltarët” politikë, ekonomikë, doganorë dhe biznesorë, ngjashëm sikurse kartelat telefonike të klanit “Pronto”. Shfrytëzimi i hapësirave gjeografike të njëri-tjetrit për biznes të “kokainës” kosovare dhe “kanabisit” shqiptar, është lidhje mes bizneseve qindra milionëshe, e realizuar përmes korrupsionit, kontrabandës, evazionit fiskal dhe krimit të organizuar, duke shkelur dhe duke dëmtuar rëndë interesat kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Lidhjet e dy nëntokave kriminale (Kosovë-Shqipëri) funksionojnë përmes pushtetarëve, gjegjësisht krerëve shtetërorë në pushtet të lidhur me mafinë politike dhe ekonomike të të dyja vendeve”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.


