UBT

Krimet nuk falen

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri serb, Ivica Daçiq, ka leverdi që shqiptarët ta harrojnë të kaluarën që ka ndodhur, sepse e kaluara e bën përgjegjës atë dhe shtetin e tij për krimet të cilat kanë ndodhur në Kosovë gjatë periudhës së luftës 1998-1999.

Kështu thotë Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në ditën kur kreut i Qeverisë serbe refuzoi të kërkojë falje për krimet serbe ndaj shqiptarëve.

Dhe një ditë para se banorët e Reçakut të Shtimes të shënonin 15 vjetorin e masakrës në të cilën forcat serbe vranë mbi 50 civilë shqiptarë, përfshirë edhe pleq, gra e fëmijë.

Në një prononcim për lajmi.net, Selimi ka thënë se Serbia nuk duhet të kërkojë vetëm falje por edhe të pendohet për atë që ka bërë.

“Ivica Daçiqit i leverdis që ta harrojmë të kaluarën, për shkak se e kaluara jonë e bën përgjegjëse Daçiqin dhe të gjithë Serbinë për krimet në Kosovë”.

“Por, nuk e di çka i leverdis Kryeministrit të Kosovës i cili e thotë të njëjtën gjë, që ne ta harrojmë të kaluarën dhe të shohim kah e ardhmja”.

Në kohën kur shteti serb udhëhoqi fushatën e krimeve she spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës, në Beograd pushtetin e mbante Partia Socialiste e Slobodan Miloseviqit, parti në të cilën Daçiq mbante postin e Zëdhënësit.

Në atë kohë, Rexhep Selimi ka qenë Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Vërtet ne kemi nevojë për të ardhmen, por këtë të ardhme e kemi ndërtuar me një të kaluar tonë historike të cilën nuk duam ta harrojmë dhe po ashtu duke qenë pre e krimeve të cilat nuk duhet t’i falim”.

Gjatë vizitës së tij në Graçanicë, Kryeministri serb Ivica Daçiq ka pohuar se nuk është punë e tij që të kërkojë falje për krimet që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve. Ai thotë se punë e tij është të shikojë ka e ardhmja.

Uji Dea

Por, për Selimin, thëniet e tilla, të cilat i cilëson të njëjta me ato të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë tregues që të harrohet e kaluara e jo të korrigjohet ajo.

“Nuk e di pse po më asocion me qëndrim të njëjtë edhe me Kryeministrin tim. Për shkak se edhe Kryeministri im thotë ta harrojmë të kaluarën, të shikojmë kah e ardhmja, besoj se e kemi dëgjuar shpesh”.

“Kjo i bie që ta harrojmë të kaluarën, jo që ta korrigjojmë atë, por në rrezik që të përsëritet ajo sërish”.

“Pra, ta harrojmë të kaluarën do të thotë që ta harrojmë edhe luftën, edhe sakrificën, edhe prejardhjen tonë, për shkak se popullit shqiptar në Kosovë i është servuar diçka nga pika zero, që ne si komb kemi luftuar dhe kemi ardhur deri te kjo situatë”.

“Unë jam një nga ata që edhe po të kërkojë Serbia falje, nuk do ta falja kurrë për ato që i ka bërë popullit shqiptar, përderisa nuk dënohet Serbia për ato që i ka bërë”.

“Në sfond shpeshherë dëgjojmë duke thënë se Serbia nuk ka kërkuar falje thua që vetëm këtë borxh na e ka Serbia. Serbia nuk na ka vetëm këtë borxh që të na kërkojë falje. Serbia vërtet duhet të pendohet dhe të na kërkojë falje dhe ne nuk duhet t’ia falim”.

Deputeti Selimi është shprehur se jo vetëm Daçiq, por të gjithë ata që e ndiejnë vetën përgjegjës për krimet që kanë ndodhur në të kaluarën duhet të kërkojnë falje.

“Secili që e ndjen vetën përgjegjës, që i vjen keq për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, cilitdo që në Serbi i vjen keq për atë çka i kanë bërë shqiptarëve, do të duhej të kërkonte falje”.

“Në radhë të parë, krerëve të shtetit, qoftë Presidentit, qoftë Kryeministrit, qoftë cilitdo që sot ka përgjegjësi publike në Republikën e Serbisë”.

“Kujtdo që i vjen keq për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, do të duhej të kërkonte falje. Mos kërkimi i faljes nga ana e tyre është edhe një dimension që atyre nuk u vjen keq për atë çfarë kanë bërë ndaj shqiptarëve. Përkundrazi, u vjen keq që nuk kanë bërë më shumë”, ka thënë Rexhep Selimi për lajmi.net.