UBT

Krime dhe integrime

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Të jetosh me krimet, e të flasësh për integrimet. Këtë mund ta bëjnë vetëm ata që nuk zgjedhin formë as mjet për ta zaptuar pushtetin. Këtë mund ta bëjnë vetëm zyrtarët e lartë të PDK’së.

Të jetosh me krimet, e të flasësh për integrimet. Ky duket të jetë slogani më i përshtatshëm për partinë më të madhe kosovare dhe shefat e saj, tash kur po e kërkojnë një mandat të tretë në krye të qeverisë.

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, ish pjesëtarë të SHIK’ut janë portretizuar të dhunshëm, mafiozë e kriminalë në dokumente të NATOS’s. Zyrtarë të lartë të partisë që flet për integrime dyshohen për përfshirje në krime, hajni e trafikim droge. Duket se ata nuk kanë zgjedhur formë as mjete për të ardhur në pushtet, në mënyrë që pastaj nga maja e pushtetit ta zaptojnë shtetin dhe të bëjnë çfarë të duan me vendin e varfër e të shkretë, për të cilin na thonin se kanë kontribuar që t’ia sjellin lirinë. Lirinë që e keqpërdorën për ta plaçkitur çdo gjë që mund të plaçkitet, për të vjedhur çdo gjë që mund të vidhet, për të shantazhuar gjithkënd që mund të shantazhohet.

Sipas dokumenteve të KFOR’it, të cituara nga Koha Ditore, në gjithë këto të zeza janë të përfshirë një numër i madh zyrtarësh të SHIK’ut dhe të PDK’së, të cilët po na lypin votën këto ditë për t’ua mundësuar të rrinë në pushtet. Po na lypin votën në emër të integrimeve europiane, në emër të zhvillimit ekonomik, në emër të luftimit të korrupsionit, në emër të sundimit të ligjit. “Zotimi, qëllimi dhe përkushtimi im jetësor në qeverisjen e mirë është ligji, ligji dhe vetëm ligji”, është shprehur këto ditë kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi. Por as ai, as vartës të tij nuk e kanë çelur gojën për t’iu dhënë përgjigje pretendimeve të tmerrshme të aleancës veriatlantike për përfshirje në vepra kriminale.

Hashim Thaçi e përmend ligjin si përkushtim të tijin jetësor në kohën kur për shtatë vjet me radhë, qeverisja e tij është karakterizuar me shkelje ligji e me ligje të shkelura – për t’i vënë kapak rasti i fundit i Lushtakut me shokë. Si mund të flasë dikush për funksionim të rendit e ligjit në një vend ku vetë organet e rendit dhe ligjit janë të kapura nga politika, mafia e krimi. Si mund të flitet për rend e ligj në një vend ku vetë organet e rendit dhe ligjit zmbrapsen përballë ligjit të të fortëve – ligjit të komandantëve.

Përpara se t’i përmendin rendin e ligjin, krerët e SHIK’ut e të PDK’së le të na flasin për vrasjet politike dhe vrasje të tjera të ndodhura pas luftës, le të na flasin për hajni e zhvatje të pasurisë së kosovarëve, le të na flasin për veprimet mafioze e banditeske në funksion të realizimit të qëllimeve të pista.

Përpara se t’i përmendin integrimet, krerët e SHIK’ut e të PDK’së le të na flasin për gjendjen në të cilën e kanë sjellë Kosovën gjatë qeverisjes së tyre. Le të na tregojnë për varfërinë, papunësinë e mjerimin në të cilin jetojnë qytetarët që ata i udhëheqin. Le të na tregojnë për izolimin në të cilin po këta qytetarë jetojnë si minjtë, të zhytur në korrupsion e krim të organizuar.

* * *

FIDANISHTJA

Krimet dhe integrimet nuk shkojnë bashkë. Jo në një vend normal, demokratik. Por, po, në një vend si Kosova, ku të gjitha të këqijat përpiqen të mbulohen me fjalë të mëdha si integrime, Europë, zhvillim, demokraci.

Në vitet e pasluftës, krime kryheshin në emër të lirisë. Vriteshin pjesëtarë minoritetesh, vriteshin oponentë partiakë, vriteshin shqiptarë të tjerë vetëm për shkak se “dikush” vendoste se ata ishin të papërshtatshëm.

Në emër të lirisë bëheshin edhe të tjera maskarallëqe. Ndiqeshin njerëz nga shtëpitë e tyre, uzurpoheshin prona private, vidheshin prona publike, rriheshin e dhunoheshin qytetarë.

Në emër të lirisë ligjin e bënin të fortët – ata që mendonin se na e kishin jetën në dorë dhe mund të bënin ç’të donin me ne.

Në emër të lirisë, ata po e keqpërdornin lirinë, e cila as që do të fitohej ndonjëherë pa ndihmën shumë të madhe të NATO’s. Të NATO’s që këta tipa i ka portretizuar të dhunshëm e kriminalë në raportet e veta. Të NATO’s që ka treguar zyrtarisht për bëmat e tyre, të cilat qytetarë të këtij vendi i kanë ndier në lëkurën e vet, shpesh pa e pasur guximin ta ngrenë zërin dhe t’i tregojnë me emër e mbiemër ata që u kanë bërë keq. Ata që ua kanë shkatërruar jetën – në emër të lirisë.

Dhe, të tillë nuk kanë zënë vend vetëm në PDK, ndonëse shumica janë aty. Ka nga ata që janë pozicionuar edhe në parti të tjera nga ku na flasin, natyrisht, për integrime.

Në vend se në banka të të akuzuarve e nëpër burgje, tipat kriminalë na buzëqeshin nga ekrane televizive, posterë fushate e tubime elektorale, duke na kërkuar votën. Plus na flasin për sundim rendi e ligji. Për sundim edhe mund të flasin – sundim kriminal. Se rendin e ligjin e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë vetë. Shteti është shkelur nga këmbët e tyre. E ata vazhdojnë të na flasin për integrime dhe të na lypin votën. Pa fije turpi as përgjegjësie dhe me guxim kapadainjsh.