Eko Higjiena

Krijimin e çmoj si akt magjik

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Ibrahim Kadriu është lindur më 8 janar 1945 në Zhegër, fshat i Karadakut të Gjilanit (Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, më 1959, e shkollën e mesme (Normalen) në Gjilan, në vitin 1964. Studimet universitare i mbaroi në Prishtinë. Dy vjet ka punuar pedagog në tetëvjeçare.

Më 1968 ka filluar punën në të përditshmen “Rilindja”, gazetar në Rubrikën e kulturës dhe reporter i lirë. Që nga viti 1973 ishte redaktor i kulturës në po këtë gazetë. Ndërkaq nga viti 1999, detyrën e redaktorit të kulturës e vazhdoi te e përditshmja “Zëri”.

Gjatë periudhës dyzetvjeçare në gazetari, Ibrahim Kadriu ka shkruar recensione për film, vështrime të ndryshme, humoreska, si dhe reportazhe; shënime udhëtimesh nga vise të ndryshme të botës. Ka shkruar skenarë, radiodrama, romane, vëllime poezish. Ishte anëtar i redaksisë së revistës letrare “Plejada” (gjatë viteve ’60), kurse katër vjet ka qenë kryeredaktor i revistës argëtuese për fëmijë “Hareja” (gjatë viteve ‘90), njëkohësisht është anëtar i redaksisë së revistës së ilustruar “Teuta”.

Gjatë viteve ’80 ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Sipas romanit të tij “Pas kthimit” është realizuar seria televizive “Fidani”, ndërkaq sipas të njëjtit roman Radio Tirana (viteve ‘80) ka realizuar dhe emetuar radiodramën në vazhdime. Është autor i afro shtatëdhjetë librave, prej të cilëve mbi njëzet janë romane.

FIDANISHTJA

Pjesë nga veprimtaria e Ibrahim Kadriut (poezi e fragmente prozash) janë botuar edhe në frëngjisht, gjermanisht, arabisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht…Ndërkaq vepra të plota i janë përkthyer në serbokroatisht një roman dhe vëllim poetik (viteve ‘80), në rumanisht, vëllim poetik (2005) në norvegjisht, novelë (2005) në gjuhën malazeze, vëllim me poezi (2013) në turqisht, roman (2014) në italisht vëllim poetik (2015). Për veprimtari letrare ka marrë mirënjohje dhe çmime të ndryshme: Çmimin e Vendlindjes (1977), Çmimin e Nëntorit të qytetit të Prishtinës ( 1981), çmimin vjetor “Shtjefën Gjeçovi” (1985), Çmimin “Agim Ramadani”(2004), çmimin “Ymer Elshani” për vepër më të mirë të vitit 2007, çmimin vjetor “Hivzi Sulejmani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për romanin “Kalorësi i Karadakut”(
2007), çmimin “Beqir Musliu”, çmimin “Romancier shqiptar i vitit” nga Qendra PEN e Shqipërisë, (2012), çmimin “Azem Shkreli” nga Ministria e Kulturës e Kosovës (2013), Çmimi për vepër jetësore – Gjakovë, Mitingu i Poezisë (2013), çmimin “Prozator i vitit 2014” nga Akademia Alternative Pegasiane, Çmimin e parë për poezi në Takimet e krijuesve të diasporës (2014), çmimin “Nxënësit për poetin” për vepër jetësore në fushën e krijimtarisë letrare (2014) nga kolegjet “Aga Xhite” dhe “Universum”, etj.

Kadriu është personazhi i kësaj jave që flet për Rubrikën “7 Shkronja” në “E diela me Koha Ditore”.

Krijimi e ka rëndësinë e ushqimit shpirtëror, që më jep kurajë për jetë, prandaj përpiqem të jem aktiv, duke filluar nga krijimet e para (të botuara) që datojnë nga viti 1962, që atëherë kur në faqet e revistës autoritative “Jeta e re” u gjet hapësira për vargjet e mia. Nga ajo kohë e tutje e kam vazhduar ritmin, që edhe sot e mbaj, natyrisht me një dinamikë tjetër. Krijimin e çmoj si akt magjik, që vjen si ngacmim i ndjenjave, si vlerë inspirimi nga erupsioni i brendshëm shpirtëror, që nuk del si shtytje e çdo kohe. Përkundrazi, krijimi, apo thënë më saktë: pika fillestare e krijimit, lajmërohet në kohë të ndryshme, në çaste shpesh të papritura, ndërkaq më tutje, asaj pike fillestare të inspirimit ia bëj argatinë. Puna e mëtutjeshme rreth krijimit ka të bëjë me vullnetin për ta bërë atë argati siç duhet, me ç’rast del në pah edhe rutina nga përvoja e gjatë./koha/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.