Kreu i FFK-së: E duam vendin e parë në grup

Përveç Shqipërisë, me fat mund të konsiderohet edhe Përfaqësuesja e Kosovës, e cila shmangu kundërshtarët e vështirë, teksa u shortua në grupin I me skuadra si Zvicra, Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra.

Agim Ademi e cilëson pozitiv shortin e Shqipërisë në fazën eliminatore të Euro 2024, teksa për “Supersport”, kreu i “dardanëve” ka deklaruar se tashmë synon vendin e parë në grup.

“Nuk ka asnjë short dhe grup të lehtë, por besoj shumë tek ekipi. Short korrekt dhe grup korrekt, patjetër që pres kualifikimin. Dua të dalim në vendin e parë në këtë grup.

Zvicra? Ka shqiptarë në ekip, por edhe shqiptarë që jetojnë atje. Do të ketë spektakël, besoj se dëshira do të jetë më e madhe për fitore për të gëzuar edhe tifozët që do na mbështetin.

Besoj shumë tek ekipi dhe djemtë. Kemi një grup shumë të mirë, djemtë janë në formë. Trajneri preferon që të luajnë ata që janë më të përgatiturit.

Besoj shumë që do të kemi sukses, pasi kemi atmosferë të mirë dhe dëshirë të madhe për të kualifikuar Kosovën në Euro 2024. Jam shumë i kënaqur me shortin. Kam besim te lojtarët dhe trajneri.

Trajneri? Shorti iu duk i mirë, ai ka besim. Jemi aty aty me Zvicrën, por nuk duhen nënçmuar as ekipet e tjera. Kosova sot është një skuadër e organizuar mirë. Ekipi ka shumë kohë bashkë, kjo ndikon në lojën e tyre. Kemi pritshmëri të mëdha.

Stadium i ri? E kemi diskutuar, është opsion i shtetit më herët, por unë kam dhënë edhe opsionet e mia në bisedat me Ministrin e Sportit dhe kryetarin e Bashkisë së Drenasit, ku është përcaktuar të bëhet stadiumi i ri. Mund të jetë edhe një kompani si ajo që ndërtoi ‘Air Albania’. Po punojmë, shumë shpejt edhe Kosova do të ketë një stadium që do të jetë simbol i shtetit.

Si ish-futbollist mund të them që Kosova ka kualitetin dhe shpirtin e duhur. Xhaka dhe Shaqiri janë yje botërore, por ata kanë prejardhje nga Kosova. Ndoshta do e kenë më të vështirë të luajnë ndaj nesh se sa kur luajtën ndaj Shqipërisë, por ata profesionistë.

Besoj se Kosova duhet të ecë përpara, duhet të kemi ndihmën dhe përkrahjen e secilit për të realizuar ëndrrën tonë. Ishim afër edhe më herët, por humbëm ndeshjen e fundit ndaj Maqedonisë së Veriut, të cilëve u uroj fat, edhe pse kanë grup më të vështirë.

E njoh presidentin, ai nuk dorëzohet. Ne dhe Shqipëria e kemi grupin më të lehtë, shpresoj dhe besoj se do të kualifikohemi ne dhe Shqipëria. Do të ishte diçka e bukur, pasi do mbusheshin stadiumet plot”, përfundoi Ademi. /f.a/abcnews.al

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS