Hidromorava

Kreditorët mund ta kërkojnë “hisen” e tyre në “Trepçë”

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Prishtinë – Agjencia Kosovare e Privatizimit do të presë ditën e fundit, 2 nëntorin, për publikimin e njoftimit për pranimin e kërkesave nga kreditorët potencialë për “Trepçën”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo agjenci që menaxhon “Trepçën”, më 8 nëntor të vitit të kaluar e kishte shpallur moratoriumin e ri për këtë ndërmarrje, duke i mbrojtur asetet e saja nga proceset eventuale gjyqësore të iniciuara nga kreditorët. Në atë moratorium ishte cekur që AKP-ja brenda një periudhe prej 360 ditëve do të bënte njoftimin për pranimin e kërkesave nga kreditorët.

Fatos Meça, kryesues i njësisë për riorganizimin e “Trepçës” në kuadër të AKP-së, ka thënë se do të presin ditën e fundit për publikimin e njoftimit që del si obligim nga moratoriumi i shpallur vitin e kaluar.

“Do të presim datën e fundit për shpalljen e njoftimit për pranim të kërkesave, sepse kemi nevojë për kohë që të përgatitemi. Po ashtu kemi ngecur pakëz edhe sa i përket mungesës së Bordit të AKP-së, mirëpo shpresojmë që së shpejti ta kemi bordin kompetent në mënyrë që ecet përpara”, ka thënë Meça.

Koha për dorëzimin e dëshmive nga kreditorët nuk mund të zgjasë më pak se 60 e as më shumë se 90 ditë. Gjatë kësaj periudhe, sipas tij, do të bëhet kualifikimi i kreditorëve që ofrojnë dëshmi bindëse. Gjatë kësaj faze pritet të shihet se cilat nga kërkesat e kreditorëve janë të vlefshme.

Ai ka thënë se gjatë kësaj faze do të shikohet se cilat nga kërkesat kanë bazë ligjore e cilat jo.

UBT

“AKP-ja pas përfundimit të kohës së dorëzimit të kërkesave do të organizojë një takim të kreditorëve, të cilën kanë parashtruar dëshmi rreth kërkesave të tyre. Në takim parashihet të diskutohet situata e ndërmarrjes shoqërore, administrimi i aktiviteteve të riorganizimit dhe çështjet lidhur me riorganizimin dhe përbërjen e komisioneve të kreditorëve. Po ashtu, në këtë takim do të formohet këshilli i kreditorëve”, ka thënë Meça.

Ai ka thënë se për riorganizimin e “Trepçës” janë të nevojshme kryerja e disa hapave që mund të jenë të kushtueshëm.

“Është i domosdoshëm regjistrimi i aseteve të kësaj ndërmarrjeje. Po ashtu duhet të bëhet një hulumtim për të treguar se sa janë rezervat e kësaj ndërmarrjeje, pasi deri më tani janë disa hulumtime, por që kanë rezultate kontradiktore dhe jo të njëjta”, ka thënë Meça.

Shpallja e moratoriumit dhe publikimi i njoftimit për pranimin e kërkesave nga kreditorët për “Trepçën” janë vendime, të cilat kanë bazën në Ligjin për riorganizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve të veçanta, i cili e cakton AKP-në administrator të ndërmarrjes “Trepça”. Agjencia do të shërbejë në këtë cilësi gjatë tërë procesit të riorganizimit.

“Trepça” në kohën e ish-Jugosllavisë ishte ndër punëdhënësit më të mëdhenj, me më shumë se 20 mijë punëtorë. Nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë rreth vlerës së aseteve të kësaj ndërmarrjeje, por llogaritet që pasuria e saj minerare që mund të nxirret është prej 8 deri në 12 miliardë euro. “Trepça” përbëhej nga 40 ndërmarrje vartëse që përfshinte komponentët e saj minerarë dhe metalurgjikë, kapacitete përpunuese dhe kapacitete tjera industriale, si dhe aktivitete mbështetëse për prodhim, përpunim dhe mbështetje teknike. Shumica e tyre janë në territorin e Republikës së Kosovës, mirëpo gjithashtu ka edhe jashtë kufijve. Ndaj “Trepçës” pas përfundimit të luftës në Kosovë ka pasur shumë pretendime nga kompani të ndryshme, por në vitin 2005 është vendosur ‘moratoriumi’ nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme pas kërkesës së PSSP të UNMIK-ut.

Qeveria e Kosovës pritet të jetë kreditori më i madh i “Trepçës”, pasi që nga paslufta ka investuar në këtë ndërmarrje rreth 100 milionë euro. Pjesa më e madhe e borxheve që kreditorët pretendojnë që i ka “Trepça” janë krijuar gjatë periudhës së masave të dhunshme të imponuara nga regjimi i Serbisë dhe në kohën kur ish-Jugosllavia ka qenë nën sanksionet e OKB-së dhe BE-së.