Kredia në Zvicër, garantuesi dhe investimet në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Është një projekt i IOM-it, në fazën e fizibilitetit, për realizimin e të cilit janë shprehur skeptikë afaristët shqiptarë në Zvicër

Fondi Ndërkombëtar për Garanaci (IGF) lehtëson marrjen e kredive për mërgimtarët në Zvicër, të cilët kanë plane për të investuar në Kosovë.

Fondi i tillë është planifikuar nga IOM-i dhe do të krijohet në Kosovë, e që duhet t’i garantojë kreditë e marra të mërgimtarëve në Zvicër.

Për ta elaboruar këtë projekt dhe për të marrë mendimet e afaristëve në diasporë është organizuar të enjten në Bernë një debat nga IOM-i në Zvicër dhe portali albinfo.ch.

Hapjen e këtij debati e bënë organizatorët, përfaqësuesi i IOM-it në Zvicër, Florian Brändli dhe drejtori i portalit albinfo.ch, Bashkim Iseni, për t’i dhënë fjalën analistit financiar nga Prishtina, Besnik Shala, i cili ka dhënë më shumë informacione për mundësinë e implementimit të këtij projekti, për të cilin është kryer studimi i fizibilitetit.

Granit Shala tha se për ta krijuar Fondin Ndërkombëtar për Garanaci (IGF) po shqyrtohet mundësia që të shfrytëzohet struktura e USAID-it, i cili implementon projektin për investime në sektorin e agrokulturës.

Po i njëjti projekt është realizuar në Afrikën e Jugut nga diaspora e këtij vendi në Amerikën Veriore.

Ndërsa si arsye pse është zgjedhur Kosova është thënë të jetë numri i madh i qytetarëve që jetojnë në migrim, që llogaritet të jenë 500 deri 900 mijë emigrantë kosovarë.

Analisti financiar ka paraqitur edhe statistika të tjera pse diaspora është potencial i rëndësishëm për implementimin e këtij projekti.

Janë po ashtu remitencat me miliarda që synohet të kanalizohen në investime.
„30 për qind e investimeve janë të përbashkëta, të diasporës dhe sektorit publik. Ndërsa 25 për qind e bizneseve në Kosovë janë investuar nga diaspora”, tha Granit Shala.

Uji Dea

Institucioni që menaxhon këtë fond duhet të krijohet në Kosovë me mjete që do t’i investojnë institucionet publike dhe private.

Në fakt, Fondi ekzekuton vlerësimin e riskut të kredisë dhe përcakton shumën e kredisë që do të lejohet në një bankë në Zvicër. Normën e riskut të kredisë deri në 5 për qind është paraparë ta bartë Fondi. Po ashtu Fondi ka për qëllim që t’i ulë normat e interesit për kreditë që marrin mërgimtarët në vendet ku punojnë.

Iniciatorët e këtij projekti kanë për qëllim të stimulojnë investimet e diasporës për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe për krijimin e vendeve të reja të punës.

Por afaristët mërgimtarë të mbledhur në këtë debat janë shprehur skeptikë për kredibilitetin e institucioneve që do ta krijojnë fondin për garanci të kredive në Kosovë.  
Për bizneset mbetet e paqartë se a do të lirohen kreditë e marra në Zvicër nga tatimet. Ky rekomandim është marrë seriozisht nga hartuesit e projektit.

Përvojat rreth investimeve në Kosovë ishin jo edhe të mira që u paraqiten në debatin e Bernës.

Virtyt Gacaferi, përfaqësues i një firme të IT-së në Kosovë, tha se tregu në Kosovë është tregu i çmimit, por jo dhe i cilësisë. Bizneset, sipas tij, e kanë vështirë për të mbijetuar, ngase ngufaten nga tregu jolojal i çmimeve.

Por, ndryshe mendon Rexhep Berisha, përfaqësues i Birrës së Pejës në Zvicër. Sipas tij, produktet që prodhohen në Kosovë janë të cilësisë së lartë, për këtë arsye tashmë gjenden në tregun e Zvicrës.

Ai ka folur për eksperienca pozitive edhe sa i përket importit, por edhe eksportit të produkteve që prodhohen në Kosovë. Ndërsa për zhvillimin pozitiv të bizneseve të mërgimtarëve është e domosdoshme edhe prezenca e tyre.

Sido që të jetë, për zbatimin e projektit të kredive tashmë janë kontaktuar disa banka në Austri dhe Finlandë.

Ndërsa është paraparë të përfshihet diaspora kosovare në Finlandë, Suedi, Gjermani, Austri dhe Zvicër. Por, po shqyrtohet mundësia që i njëjti projekt t’i ofrohet edhe diasporës së Turqisë.(albinfo)