Krasniqit i anulohet lufta për titull bote

Prishtinë – Boksieri Haxhi Krasniqi me gjasë duhet të presë edhe më tutje për meçin ku do të luftojë për titullin e botës. Lufta mes Krasniqit e Nathan Cleverlyt e vlefshme për titullin WBO në peshën gjysmë të rëndë, e paraparë të zhvillohet më 16 mars në “Wembley Arena” të Londrës, sipas mediumeve britanike është shtyrë për 20 prill, për shkak të problemeve me stomak të uellsianit.
Mirëpo, Krasniqi thotë se është gati 90 për qind e sigurt se Cleverlyt do t’i merret titulli, ndërsa për vete beson se do të luftojë për titullin vakant të WBO-së, kundër gjermanit Juergen Braehmer.
“Menaxheri im më tha se kundërshtari im Nathan Cleverly është i sëmurë dhe nuk mund të boksojë më datën e caktuar. Ky ishte rasti i fundit për Cleverlyn. Ai ka dështuar edhe dy apo tri here më herët që të boksojë me mua dhe tash më nuk do t’i lejohet të ndeshet me mua. Atij do t’i merret titulli dhe besojë se 90 për qind meçi im do të zhvillohet në Gjermani brenda një muaji e gjysmë me një kundërshtar tjetër”, ka thënë Krasniqi për gazetën. “Gjatë kësaj jave besoj se do të mësohet me kënd dhe në cilën datë do të boksojë. Unë gjithsesi do të boksojë për këtë titull”.(koha)