UBT

Krasniqi thotë se me Kurtin bisedoi për zgjedhjet e ardhshme

/ 3 minuta lexim

Kryeministri Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, kanë mbajtur një takim të thirrur nga kreu i Qeverisë.

Krasniqi, në fjalën e tij para mediave pohoi se është folur kryesisht për punën e Kuvendit dhe perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme.

“Kemi pasur diskutime konsideroj të mira. Sa i përket Kuvendit edhe Ligjit në Kuvend, kemi diskutu edhe për ato”.

Ai shtoi se zgjedhjet nuk janë vetëm një dëshirë e PDK-së, por një nevojë për vendin.

“Unë do të ruaj korrektësinë, i kam propozu edhe më herët më vjen keq që data 9 qershorit është jashtë kornizave. Besoj që ka ende data që janë brenda kësaj kornize kohore që shpresoj të kemi dakordim”, tha ai.

Krasniqi gjithashtu shprehu arsyet e pjesëmarrjes së tij në këtë takim.

“Unë kam ardhur në këtë takim, duke besu se interesi i qytetarëve të Kosovës është me u marrë me tema që u interesojnë atyre, jo ato që u interesojnë ambasadave. Duhet të kthehemi tek qytetarët, sepse 200 mijë qytetar kanë ikur se këtu nuk kanë gjetur një jetë të mirë”.

“Ne besojmë që Bedri Hamza do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës.Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnume. Kemi shëndetësi jashtëzakonisht të rëndë. Politikë të jashtme joekzistente. Parlament jofunksional. Tani kemi edhe një situatë të vështirë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Siç duket aty do të kemi një dështim. Ia shprha kryeministrit Kurti se duhet ta përshpejtojmë punën për t’i zjgidhur këto tema. Ne e kemi emëruar kandidatin tonë.”, ka thënë Krasniqi.

Uji Dea

Ndërkaq, kryeministri Kurti, ka thënë të hënën se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se do t’i vazhdojë diskutimet në këtë drejtim edhe me partitë tjera opozitare.

“Për mua nuk është thelbësore se a do të qeveris në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë apo gjashtë muaj apo tre muaj. Është e rëndësishme të kemi një konsensus sa më të gjerë për muajin, datën e zgjedhjeve”.

Takimi përfshiu gjithashtu prezencën e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Megjithatë, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në këtë takim, duke lënë hapësirë për spekulime mbi qëndrimet dhe strategjitë e tyre politike.

Ky takim vjen në një kohë të tensionuar politike dhe është një zhvillim kyç në rrugën e Kosovës drejt zgjidhjes së sfidave të brendshme dhe të forcimit të demokracisë së saj./Telegrafi/