UBT

Krasniqi: Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e bashkëluftëtarët e tyre do të rikthehen fitimtarë, siç erdhën dikur si çlirimtarë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nga “Marshi për Drejtësi” ka përshëndetur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Krasniqi nga Sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë, në një fjalim para mijërave qytetarëve, tha se sot “Marshojmë për Drejtësi” për t’u solidarizuar me çlirimtarët tanë, duke besuar fuqishëm se ata do të rikthehen fitimtarë.

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi kërkoi drejtësi për të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat, siç tha ai, askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë.

“Lufta e popullit tonë për çlirim nuk ishte thjeshtë një ballafaqim ushtrish, por një luftë ndërmjet lirisë dhe tiranisë, ndërmjet drejtësisë dhe të padrejtës, ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit. Dhe ne ishim të rreshtuar në anën e lirisë, drejtësisë dhe shpresës. Prandaj, po! Ne kërkojmë drejtësi, sepse për krimet e panumërta ndaj qytetarëve tanë, mijëra kriminelë serbë nuk kanë dalë kurrë para drejtësisë. Por, mbi të gjitha, kërkojmë drejtësi, sepse drejtësia është virtyti që e vulosë të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë”, u shpreh ai.

UBT

Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.

“Ju ftoj që ta ruajmë frymën e unitetit brenda nesh, që ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për Kosovën që e duam për vete e për fëmijët tanë, për Kosovën të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar dhe të cilën e kemi borxh që ta bëjmë realitet. Vetëm kështu do t’u dalim hakut atyre që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetin tonë. Ky duhet të jetë nderimi ynë për gjeneratat që trasuan rrugën e lirisë sonë. Ky është obligimi që kemi edhe ndaj Hashimit, Kadriut, bacës Jakup, Rexhës, Calit, Hysit, Nasimit e Pjetrit. Dhe kjo duhet të jetë rruga jonë e përbashkët për Kosovën e ëndërrave tona. Për Kosovën që na bashkon e në të cilën DIELLI DO TË LIND PËRSËRI. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Drejtësi për çlirimtarët tanë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave.

“Bashkimi jonë rreth një kauzë të drejtë është pikërisht ajo që i duhet më së shumti Kosovës, sepse vetëm kështu siç jemi sot, ia kemi dalë gjithmonë ta mbrojmë të vërtetën dhe ta kërkojmë të drejtën që na takon. Prandaj, nga zemra, ju jam mirënjohës gjithsecilit prej jush, që me ndërgjegje të lartë patriotike e kombëtare, me vetëdije të lartë qytetare e shtetërore, bashkë me familjet tuaja, jeni sot këtu, për t’ia dhënë një pamje të tillë Kosovës. Kjo pamje, është mesazhi më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë, se liria jonë ka emër, dhe se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave. Dhe se çdo gjeneratë e së ardhmes, do ta ketë po të njëjtin emocion si gjeneratat e të sotmes, sa herë që i thërret tri shkronjat e arta të lirisë sonë: U Ç K!”, tha lideri i PDK-së.

Krasniqi përmendi periudhat kur si popull e si komb, kemi bërë një marsh të gjatë e historik, prej kërkesave legjitime për barazi, liri e pavarësi, deri tek lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ky bashkim sot ia rikujton marshin e popullit të Kosovës drejt lirisë.