Krasniqi pret rastin e tretë për titull të botës
Haxhi Krasniqi është i bindur se shumë shpejt do të fitojë rastin të luftojë për titull të botës në boksin profesionist. Junikasi 28-vjeçar nuk i ka shfrytëzuar dy rastet që kishte deri më tani, por shpreson që rasti i tretë të jetë edhe i vërteti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Krasniqi më 21 mars humbi nga gjermani Juergen Braehmer në meçin për titull të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin WBA. Krasniqi pësoi çarje të buzës dhe dorëzoi meçin pa nisur raundi i dhjetë. Meçi ishte zhvilluar në Gjermani ku edhe jeton Krasniqi. Krasniqi në boksin profesionist njihet me emrin Robin.
Ai për herë të parë për titull të botës kishte boksuar më 20 prill të vitit 2013. Kishte humbur në Londër me pikë nga uellsiani Nathan Cleverly, në luftën për titull të botës në versionin WBO.
Pas humbjes nga Cleverly, Krasniqi mposhti Tomas Ademkun më 13 korrik të vitit 2013, Emmanuel Dansonin më 27 mars të vitit të kaluar, Oleksandr Cherviakun më 26 korrik të vitit të kaluar dhe Dariusz Sekun më 20 dhjetor.
http://koha.net/?id=6&l=57200


