Krasniqi për situatën në veri: Kurti s’mund të veproj herë si analist e herë si kryeministër

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, se është dorëzuar para veprimeve kriminele të serbëve në veri.

Krasniqi tha se Kurti nuk mund të veprojë siç i konvenon, herë si analist e herë si kryeministër. Ai ka kërkuar nga kryeministri veprime konkrete për të mos i lënë kriminelët në veri të përcaktojnë kufij.“Kryeministri nuk mund të shndërrohet në analist kur nuk i konvenon, e kryeministër kur i konvenon. Ai duhet të jetë gjithë kohën kryeministër ose gjithë kohën analist – kjo është analizë, atij nuk i takon të bëjë analiza, por të marrë veprime sepse mund të jetë e vërtetë ajo që thotë, por cila është alternativa, dorëzimi para kërcënimit të krimit. Ne po flasim që ata janë kriminel atje, tash çka dëshiron të bësh, t`i lësh ata kriminelë të vazhdojnë me të tregu se kur mund të ecësh e kur jo në atë pjesë apo dëshiron të marrësh veprime qoftë edhe me koston e të panjohurës”, deklaroi Krasniqi për Blic.

Tutje, kreu i PDK’së tha se është zgjatur tepër afati për heqje të barrikadave në veri, derisa te Qeveria apeloi që të insistojë te KFOR-i për ta përshpejtuar procesin.

“Unë prapë po e them nuk e preferoj heqjen e tyre si opsion të parë nga institucionet e Kosovës, por nuk e shoh as opsion dorëzimin. Po barrikadat janë ende aty. Qeveria po thotë po presim edhe pak, po presim edhe pak, unë vetëm këtë pyetje kam sa është kjo pak? Para 10 dite e tha njëfar togfjalëshi interesant “KFOR ka kërkuar pak kohë që t`i heqin shumë shpejt barrikadat”. Sa është kjo pak kohë, në rregull jam me kohën por deri kur? Nëse hyjmë në festa pastaj deri te krishtlindjet ortodokse me barrikada, atëherë do të jetë normalitet i ri dhe druaj se do të bëhet temë e diskutimeve në Bruksel”, tha kryetari i PDK-së.

Sipas Krasniqit, personi që fshihet pas barrikadave është presidenti serb Vuçiq, dhe se këtë e bëri për ta penguar marrëveshjen.

“Me fol për barriakdat në Bruksel është një gabim katastrofal .. po shihet nëse nuk largohen barrikadat unë mendoj që kryeminsitri në asnjë mënyrë të mos flas për barrikada në Bruksel, duhet ta refuzoj. Kjo nuk është temë me të cilën duhet të ulet Vuçiqi për të folur për largimin e tyre, ndryshe është dorëzim total, është dorëzim përmes njohjes së fuqisë së tij. Unë besoj se Vuciqi i ka vendos barriakdat për ta penguar marrëveshjen”, theksoi ai.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS