KKVITI

Krasniqi: Për Serbinë, shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, tashmë kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj vizitës se krye prokurorit Clint Williamson në Beograd. Reagimin e tij të postuar në profilin e tij në Facebook, mund ta lexoni më poshtë.

“Është e vërtetë e pamohueshme së këta zyrtarë serb nuk kanë mundur t’i dëshmojnë ‘krimet’ e shqiptarëve të kryera në Kosovë, pasi ato ishin pretendime të shpifura te Dick Martit, të diktuara nga strukturat e organizuara kriminale të regjimit të Millosheviqit në Kosovë. Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: Sa strukturat e sotme qeveritare në Serbi kanë marrë masa për ndriçimin e krimeve të kryera nga makineria policore e ushtarake (shtetërorë) serbe në Kosovë, së paku pas dëbimeve të shqiptare nga të drejtat elementare të tyre për punë e jetë (1989/90)?!

A nuk ishte ajo përpjekje e organizuar shtetërore për shfarosje, e cila gjatë luftës 1998/99 u shndërrua në politikë të gjenocidit (dëshmi: plani ‘Patkoi’)?! Sa këta zyrtarë të rinj serbë u distancuan nga ajo politikë gjenocidit e ushtruar nga regjimi i Millosheviqit (të cilët ishin pjesë e atij regjimi), duke kërkuar falje publike për atë politikë?! Pse ata as sot, pas 15-16 viteve nuk mund ta pranojnë këtë të vërtetë të madhe: për politikën e gjenocidit dhe të shfarosjes të ushtruar për dekada në Kosovë?

Hidromorava

Nuk e di nëse Williamsoni i ka pyetur zyrtarët qeveritarë në Beograd, sesi po shkonin punët me dënimet e krimeve serbe të kryera në Kosovë gjatë luftës? Kur dihet botërisht se regjimi i Millosheviqit është përpjekur t’i mbulonte krimet e veta duke i dërguar të vrarët e të masakruarit shqiptarë në anë të ndryshme të Serbisë, deri edhe në Batajnicë? Madje, as sot e kësaj dite nuk dihet fati i të burgosurve shqiptarë, si: Ukshin Hoti, Hafir Shala dhe Xhavit Haziri? Madje nuk dihet as fati i mbi 200 të burgosurve shqiptarë të vrarë e të masakruar në Burgun e Dubravës? A janë duke u hetuar kryerësit e këtyre veprave kriminale në Serbinë e Vucicit?

Unë, ndoshta edhe nuk mund ta di, por po i pyesë luftëtarët e të ‘drejtave të njeriut’ në Serbi: Si të vlerësohet: Rindjekja e viktimave të një regjimi shfarosës, si po veprohet me shqiptarët e Kosovës?! Nuk ka asnjë dyshim se Serbia e bëri luftën në Kosovë për pushtimin e tokave të shqiptarëve pa shqiptarët! Për atë politikë, mbase edhe për sot, shqiptari i mirë është vetëm ‘shqiptari i vdekur’?! Nëse nuk është kështu, le ta dëshmojnë të kundërtën zyrtarët e përmendur”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/