Krasniqi për deklaratat e Kurtit: Kompleksi ndaj UÇK-së e ka shoqëruar tërë jetën, po ia bënë argatin Prokurorisë së Speciales

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka komentuar deklaratën e mbrëmshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti kundrejt ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
Kurti gjatë një interviste në Tëvë1 tha se zyrtarët e PDK-së po i vizitojnë shpesh Thaçin e Veselin në Hagë, për të marrë instruksione politike.
Krasniqi kur u pyet nga gazetarët fillimisht tha se nuk e kishte shikuar mbrëmë intervistën e Kurtit, vetëm se kishte lexuar sot lajmet rreth saj.
“Unë nuk e pash intervistën e z,Kurtit sepse dje ka qenë një koncert shumë më i vlefshëm sesa fjalët e tij. Sot i pash transkriptet, shpërfaqja e nervozizmit dhe frikës së Kurtit është shpërfaqje e krizës së shumëfishtë që ai po jeton”, tha Krasniqi.
Ai tutje u shpreh se Kurti është njeri që i ka fituar 48 mandate e nuk po arrin të krijojë shumicën parlamentare.
“Është fajtori kryesor për krizën politike. Është njeriu i cili çdo ditë e pret me tmerr datën 12 tetor sepse e dinë që jo vetëm që do ta mundim në zgjedhje lokale, por do ta plandosim në kuptimin elektoral më zi se që ja kemi bërë para 4 viteve. Këto frika janë frika që shpërfaqen edhe në ndërdijen e tij me deklarata të tilla qesharake”, tha Krasniqi.
Kreu i PDK-së, theksoi se kjo nuk është është diçka e re, por është e dhimbshme.
“Me këtë deklaratë ai (Kurti) po vazhdon të jetë argat i prokurorisë, sepse deklaratat e tilla e dëmtojnë pozicionin e tyre. Nuk është befasuese e as diçka e re, sepse kompleksi i Kurtit në raport me UÇK është diçka që e ka definua gjatë gjithë jetës së tij. S’ka shkuar as ti vizitoj, madje as z.Selimi. Ai së bashku me Albunela Haxhiun i kanë zvogëluar fondet e mbrojtjes”, tha Krasniqi.
Krasniqi shtoi se Kurti mund të tmerrohet nga fakti që çlirimtarët do të jenë shumë shpejt në mesin tonë.
“Ndoshta Kurti tmerrohet nga fakti që ne shumë shpejt presim që ti kemi në mesin tonë çlirimtarët, dhe normalisht që nuk është i lumtur për këtë gjë. Nuk e marr seriozisht Kurtin, sepse ai vetë është bërë joserioz”, u shpreh Krasniqi. /Telegrafi/