RCCOLA

Krasniqi, para prokurorit për fyerjen e Nënë Terezës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Për fyerjet publike që i ka bërë ndaj Nënë Terezës disa vite më parë, imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, të martën për dy orë radhazi është përgjigjur në pyetjet e prokurorit komunal të Prishtinës, Valdet Gashit.

Shefqet Krasniqi ka pranuar se ka komentuar në lidhje me Gonxhe Bojagjiun para xhematit në Xhaminë e Madhe, por thotë se nuk e ka fyer Nënë Terezën siç pretendohet në kallëzimin penal, shkruan “Zëri”.

Mohimet se ka fyer Nënë Terezën, Krasniqi i ka bërë në kuadër të hetimeve që po bëhen që më shumë se tri vjet nga ushtrimi i kallëzimit penal në Prokurorinë Komunale nga shkrimtari Qerim Ujkani, avokatët Bajram Krasniqi e Zef Prenaj, si dhe Adem Nimani.

Katër qytetarët në kallëzimin penal pretendojnë se imami i Xhamisë së Madhe me deklarimet publike në xhami e në gazeta ditore, ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, veprën penale të fyerjes si dhe veprën penale të shpifjes.

“Ai ka ofenduar shqiptarizmin dhe tërë popujt e botës duke thënë se: Nënë Tereza e ka vendin në ferr, ku të lumturën – Nobelisten Nënën Terezë, Gonxhe Bojagjiun e quan prostitutë, cila ka ndërruar shumë meshkuj dhe ka ngrënë e ka pirë pa para”, thuhet mes tjerash në kallëzimin penal, një kopje të të cilit e posedon gazeta.

Duke u përgjigjur në këto pretendime të kallëzimit penal, imami Krasniqi thotë se ka folur për Nënë Terezën qysh në vitin 2004 në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe atë pas një pyetje të bërë nga një besimtar gjatë ligjëratave të mbrëmjes që i ka mbajtur në xhaminë që drejton, çdo të mërkurë.

“Një ndër ato pyetje ka ardhur se çka mendoni ju për Nënën Terezën e cila iu ka ndihmuar shumë të varfërve, shumë jetimëve, por megjithatë ka qenë jomyslimane?”, ka cituar Krasniqi pyetjen që i ishte bërë nga besimtari.

Uji Dea

“Midis xhehnemi, thellë midis xhehnemit e ka vendin ajo, sepse s’e ka besuar Allahun, s’e ka besuar pejgamberin, s’e ka besuar Kur’anin. Edhe nëse e ka besuar Allahun e ka besuar me të meta, jo të plotë… Tereza e ka pasur derën çel ku ka dashur të shkojë, pa para krejt dynjanë, të hajë çka të dojë, të pijë çka të dojë, burra cilin do ta ndërrojë, ka pasur të mira në këtë dynja plot ajo”, ka thënë Krasniqi në deklaratën, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta.

Në pyetjen e prokurorit se çka ka dashur të thotë vetë Krasniqi me “burra cilin do ta ndërrojë”, imami i Xhamisë së Madhe ka thënë se “është rregull i përgjithshëm i të mirave të cilat i ka bërë një person jomysliman në këtë dynja, e Allahu ia kthen të mirat në atë dynja, ia hap dyert e dëfrimit, kënaqësisë, plotësimit të dëshirave etj.”.

“Këtë e kam thënë në kontest të përgjithshëm, përndryshe kjo nuk do të duhej të vlente për të (Nënë Terezën), sepse ajo e ka të ndaluar martesën me fe të saj e lëre më amoralitetin. Andaj, nuk është e vërtetë që e kam akuzuar për moral, për xhehenem po, për amoralitet jo”, ka thënë Krasniqi.

Pas publikimit të këtyre deklaratave që ai i kishte dhënë fillimisht në xhami e më pas edhe ishin publikuar nga mediat, Krasniqi ka thënë se i ka kërkuar falje Kishës Katolike, ngase, siç ka thënë ai, ka ndjerë obligim moral nëse ata janë ndier të fyer. Për këtë çështje Krasniqi kishte dhënë përgjigje edhe në Bashkësinë Islame.

Megjithëse ndaj tij është ngritur kallëzimi penal, Krasniqi thotë se nuk ka gabuar për çkado që ka deklaruar edhe në 2004-ën e edhe më vonë. Deklaratat e tij ai ka thënë se burojnë nga Ajetet Kuranore.

Dokumentet mbi të cilat Krasniqi i ka bazuar deklaratat e tij para xhematit, Krasniqi ka thënë se është në gjendje t’ia dorëzojë Prokurorisë Komunale. Kjo e fundit është duke vazhduar hetimet.