Fundamenti

Krasniqi ka filluar të lë gjurmë edhe në Indi, lojtari kryesor në mesfushën e Odishas dhe synon titullin me skuadrën që ka pronar David Villan

/ 4 minuta lexim

U largua nga Evropa në vitin 2015 për të nisur një jetë të re në Azi dhe ai vendim për të ishte më i miri në karrierë.

Liridon Krasniqi që nga viti 2015 është njëri nga lojtarët më të mirë në futbollin aziatik, pasi ai ka bërë emër të madh sidomos në Malajzi.

Fillimisht te Kedah, pastaj te Melaka e Johor në Malajzi, para se të transferohej në Newcastle Jets në Austrlai dhe së fundmi në Odisha në Indi.

Mesfushori nga Kosova është huazuar tek skuadra indiane këtë edicion nga Johor DT dhe aventura në këtë shtet ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pronar i këtij klubi është legjenda e futbollit spanjoll David Villa dhe qëllimi është që ta ri ngritin skuadrën në nivele të larta.

Në një prononcim për Telegrafin, Krasniqi flet për aventurën e tij të re në Indi dhe tregon planet që ka me skuadrën Odisha.

“Deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë, ku jam ambientuar shumë shpejtë me klubin dhe kampionatin. Aktualisht jemi në një karantinë ku kemi drejtë të qëndrojmë vetëm në hotel, stërvitje e ndeshje dhe jo të dalim në pjesët tjera të qytetit”.

“Hoteli është vetëm për klubin dhe është në afërsi të detit dhe aty po përgatitemi. Kemi zhvilluar deri më tani katër ndeshje ku kemi marrë tri fitore dhe jemi në garë për vendet e para”, u shpreh Krasniqi për Telegrafin.

Se transferimi i Liridon Krasniqit e ka përforcuar këtë skuadër indiane tregojnë edhe pikët nga edicioni i kaluar me këtë të sivjetmin.

Në 20 ndeshje të zhvilluara edicionin e kaluar, Odisha përfundoi e fundit në tabelë me vetëm 12 pikë, derisa këtë vit në katër sfidat e para ky klub ka marrë nëntë pikë.

Fidanishtja

“Patjetër jam i kënaqur shumë me ekipin. Edicionin e kaluar nuk kanë pasur shumë sukses, ku kanë marrë vetëm 12 pikë, derisa tani kemi nëntë pikë pas katër ndeshjeve dhe e kemi nisur mjaftë mirë”.

“David Villa është këtu që kujdeset për gjithçka dhe besoj që jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Krasniqi.

Tutje mesfushori nga Vitia foli edhe për nivelin që ka kampionati i Indisë.

“Kampionati është shumë i fortë, është në nivel me Australinë ku kam qenë vitin e kaluar. Nuk e kam pritur të jetë kaq mirë, por gjithçka është mirë këtu”.

“Stadiumet janë tejet të mira, terrenet stërvitore gjithashtu. Është gjithçka profesionale dhe jam i kënaqur shumë me këtë aventurë”, deklaroi Krasniqi.

Krejt në fund Krasniqi foli edhe për objektivat që ka klubi këtë edicion, që janë ta fitojnë kampionatin.

“Katër skuadrat e para shkojnë në ‘Play-Off’ dhe synimi ynë është që fillimisht të jemi në mesin e atyre katër ekipeve. Natyrisht qëllimi është ta fitojmë kampionatin dhe shpresojmë ta bëjmë një gjë të tillë”.

“Sa i përket objektivave personale, uroj vetëm mos të kem lëndime, të jem i shëndoshë dhe të vazhdoj me këtë formë pasi jamë duke luajtur rregullisht dhe jam në një moment shumë të mirë”, tha Krasniqi.

29-vjeçari karrierën e nisi në Nurnberg para se të kaloj në futbollin çek me Slavia Pragën e Mlada Boleslav. Në vitin 2013 ai kaloi në Turqi ku luajti për Ankaraspor, Fethiyespor e Osmanlispor deri në vitin 2015.

Kedah, Melaka, Johor, Newcastle Jets e së fundmi Odisha janë ekipet që ka djersitur fanellat e tyre Liridoni. /Telegrafi/