UBT

Krasniqi e quan shqetësuese që SHBA përdori fjalinë “zhgënjim nga Kosova”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Para udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka treguar qëllimin e vizitës atje.

Gjatë vizitës zyrtare, që do ta realizojë javën e ardhshme, Krasniqi deklaroi se do të qëndrojë në Washington DC dhe New-York, ndonëse paraprakisht, të hënën e të martën, do të jetë në Bruksel.

“Në Bruksel, takimet kryesore do t’i zhvilloj në Parlamentin Evropian me një numër të konsiderueshëm të eurodeputetëve, kryesisht të atyre që kanë interes dhe merren me Kosovën, por edhe me ndërmjetësin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, thotë Krasniqi, për RTK.

Krasniqi deklaroi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të takojë të emëruarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Do të zhvilloj takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare si dhe Kongres, në dy dhomat: në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. E përtej kësaj, do të kem takime dhe pritje edhe në disa prej instituteve ‘the think-tanks’ kryesore amerikane, të ndërlidhura qoftë në Partinë Demokratike apo Partinë Republikane, siç është Këshilli i Atlantikut, Fondacioni Haritage, e kështu me radhë”, shpjegoi Krasniqi.

“Gjithsesi kam paraparë takime me disa nga personalitetet kryesore që në këto njëzetë por edhe tridhjetë vitet e fundit kanë qenë të angazhuar dhe kanë përcjellë zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkan”.

Mobi Casa

I pyetur se çfarë pret nga këto takime, kreu i PDK-së, u shpreh se para së gjithash, këtë vizitë e konsideron të rëndësishme për shkak të momentumit në të cilin po zhvillohet.

“Unë atje do të paraqes qëndrimet e PDK-së në lidhje me zhvillimet aktuale në Kosovë, por edhe në rajon”, tha ai, duke shtuar se do të ketë qëndrimet shtetërore të cilat i ka konsidetente si parti, në fokus të zhvillimeve që ndërlidhen jo vetëm në raport me Serbinë, por edhe perspektivën dhe ambiciet e Kosovës për të qenë anëtare e barabartë e familjes ndërkombëtare të shteteve.

“Do të dëgjoj me vëmendje se cilat janë qëndrimet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse kohëve të fundit vërtetë është shqetësues fakti që në disa nga deklarimet e nivelit më të lartë, e shohim një fjalë që nuk e kemi dëgjuar më herët e që është fjala- zhgënjim”, deklaroi Krasniqi.

“Është fatkeqësi që sot Kosova të shikohet nga prizmi i zhgënjimit, nga vendi që i ka ndihmuar Kosovës më së shumti”, tha ai.

Kryetari i PDK-së e konsideron të rëndësishme këtë vizitë për faktin që sipas tij, në këtë kohë nuk është mirë që Qeveria të sanksionohet me anulim të vizitave të zyrtarëve të saj, të njerëzve të pushtetit.

“Por, shpresoj që qëndrimet tona të cilat unë besoj se janë të ngjashme për sa i përket objektivave shtetërore të Kosovës, ta luajë rolin e vet”.