Krasniqi: Çështja e Luginës të dërgohet në Këshillin e Evropës

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Seanca e Kuvendit të Kosovës për çështjen e Luginës së Preshevës do të vazhdojë sot pasdite, ndërkohë që janë bërë thirrje që kjo çështje të mos politizohet nga përfaqësuesit e partive politike në Kosovë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë gjatë kësaj seance se foltorja e Kuvendit kërkon përgjegjësi, duke pasur parasysh se nuk është fushatë zgjedhore.

Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se Rezoluta apo dokumenti që do të nxirret nga Kuvendi duhet të përmbajë një kërkesë drejtuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, për të kërkuar hulumtimin e realizimit të të drejtave etnike të shqiptarëve në pjesën jugore të Serbisë.

Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se përmirësimi i të drejtave të shqiptarëve në këtë pjesë duhet që patjetër të jetë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. “Nëse nuk ndodhë kështu nuk e di si do ta quajmë marrëveshje për normalizim”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, gjatë këtij debati parlamentar ka thënë se nuk mund të ndihmohen shqiptarët në Luginën e Preshevës duke i përçarë shqiptarët në Kosovë, duke aluduar kështu në fjalimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

Mobi Casa

“Serbia ka qenë edhe në veri të Kosovës edhe është tash në Luginën e Preshevës. Marrëveshja ka qenë që fillimisht të hiqet Serbia nga Kosova, e pastaj të kërkohet me insistim më të madh në Luginën e Preshevës”, ka thënë Kuçi.

Sipas Kuçit, duhet ndjekur hapa konstitucionalë në bazë të gjendjes në terren, e duke bërë më pas edhe ndryshime juridike.
Ndërkohë, deputeti Liburn Aliu, ka deklaruar se normalizimi i raporteve me Serbinë është bërë duke e pranuar realitetin se Serbia është në veri dhe duke nënshkruar marrëveshje që e legalizojnë këtë gjendje.

Sipas tij, kjo nuk është shenjë e mirë se institucionet e Kosovës po bëjnë hapa konkretë edhe për shqiptarët në tri komunat me popullsi shqiptare në rajonin e Luginës së Preshevës. /Telegrafi/