Krasniqi apel institucioneve: Ndihmoni botimet dhe dokumentarët që lidhen me të kaluarën e Anamoravës
Gjilan – Demir Krasniqi është një krijues i madh dhe i palodhur. Lirisht mund të quhet si arkivi i thesarit popullor e kulturor në Anamoravë. Krasniqi thotë se institucionet lokale e qendrore duhet të stimulojnë krijuesit që të ofrojnë botime e dokumentar që lidhen me trashëgimin e Gjilanit. Ai thotë se deklarata e Lutfi Hazirit se do i përkrah këto projekte është e mirëseardhur, por ajo duhet të realizohet në praktikë.
Demir Krasniqi në thesarin e krijimtarisë së tij muzikore deri më tani i ka këto vepra: Gjithsejtë vepra të shkruara burimore dhe autoriale: 110 vepra.
Vepra të mbledhura nga thesari burimor popullor, gjithsejtë: 60 vepra.
Vepra muzikore nga krijimtaria ime autoriale , gjithsejtë : 50 vepra.
Vetëm përmbledhja :”Lirika popullore e Gollakut”, përfshinë në veti gjithsejtë :1216 këngë burimore të grave dhe femrave të Malësisë së Gollakut, në mbledhjen e tyre kam punuar rreth 40 vjet, derisa i kam mbledhë, shënua dhe kategorizuar në ciklet e këngëve adekuate, ku volumi i tyre për botim përfshinë gjithsejtë 560 faqe shtypi.
“Këto këngë i kam mbledhë nga fshatrat e Gollakut, të cilat janë krijuar dhe kënduar aty për aty me tekst e melodi, nga gratë dhe femrat e Gollakut, të cilat kanë qenë totalisht analfabete. Sot, në atë Malësi, nuk mund të gjesh as sorra, se jo ma femra që këndojnë e krijojnë me defe, në fejesa, dasma e ahengje të ndryshme popullore”shprehet Krasniqi.
Demir Krasniqi thotë se këtë thesar këngësh popullore e ka në hambarin e arkivit të tij personal, por do të ishte e dobishme dhe e drejtë që këtë thesar ta kenë në duar të gjitha shtresat dhe gjeneratat e popullit shqiptarë !
“Për ta botuar këtë thesar, kam bërë përpjekje disa herë nëpër organe të ndryshme përkatëse, por askush nuk më ka ndihmuar dhe përpjekjet e mia kanë rënë në veshtë e shurdhër, nga se mua më kanë injoruar nga xhelozia shpirtërore, vetëm pse unë jam i lindur në Malësinë e Gollakut” shprehet Krasniqi.
Krasniqi thotë se ndihet i përbuzur dhe i nëpërkëmbur në këtë aspekt. “Institucionet komunale duhet të zgjohen nga gjumi. Këto thesare duhet të botohen dhe tua lëmë gjeneratave të reja” shprehet ai./rajonipress/


