RCCOLA

Krasniqi: Albin Kurti s’do të jetë kryeministër në të ardhmen, PDK-ja do ta përcaktojë atë

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

I pari i PDK-së është shprehur i bindur se pas zgjedhjeve të reja Albin Kurti nuk do të jetë kryeministër i Kosovës. Memli Krasniqi ka bërë me dije se kryeministrin e ardhshëm do ta përcaktojë PDK-ja.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, beson se rruga më e mirë për daljen e Kosovës nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja.

Ai ka vlerësuar se kjo duhet të arrihet me dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti ose me marrëveshje të partive politike për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, e cila se shpejti do publikohen në kanalin e gazetës në “Yotube”, Krasniqi është shprehur i bindur se PDK-ja do të dilte mirë në këto zgjedhje.

Ai ka thënë se pas zgjedhjeve Albin Kurti nuk do të jetë kryeministër i Kosovës.

“Një gjë do të ua them, Albin Kurti nuk do të jetë kryeministri i ardhshëm. Kjo është me rëndësi. Albin Kurti nuk do të jetë kryeministri i ardhshëm, ne do ta përcaktojmë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se për krijimin e qeverisë së re pas zgjedhje do të nevojitet një koalicion i gjerë.

I pari i partisë më të madhe opozitare ka vlerësuar se kryeministri i ri do të jetë nga PDK-ja.

“PDK-ja në radhë të parë. Por, unë besoj se Kosova ka me pasë nevojë për një koalicion të gjerë, jo vetëm partiak e politik. Një koalicion të shoqërisë, një koalicion ku bëjnë pjesë njerëzit e mençur dhe njerëzit e mirë të Kosovës, njerëzit që dëshirojnë me kontribu për këtë vend, njerëz që nuk janë në pushtet vetëm për hir të pushtetit, por njerëz që janë në pushtet për hir të shërbimit”, ka thënë ai.

Krasniqi është shprehur optimist se një koalicion i tillë do të arrihej lehtësisht.

Sipas tij, një koalicion i tillë do të ofronte një qeveri ndryshe.

“Unë besoj se ne do të arrijmë që ti bëjmë të gjithë bashkë në një vend për ti dhënë Kosovës një qeveri ndryshe, një qeveri të re, një qeveri që e kthen shpresën në këtë vend, një qeveri që në tre muajit e parë i zhbën vendimet e këqija të gabueshme e të dëmshme të kësaj qeveria”, ka thënë Krasniqi.

Protestat si opsion

I pari i PDK-së ka paralajmëruar radikalizim të hapave të opozitës në raport me Qeverinë.

Nëse Qeveria Kurti nuk reflekton, Krasniqi ka deklaruar se partia e tij do të ndërmarrë hapa të tjerë.

Mobi Casa

“Ka nevojë për të krijuar një lëvizje të gjithmbarshme popullore, e cila bëhet bashkë për t ndalur kursin e degradimit të mëtutjeshëm në të cilin është duke na dërguar ky kryeministër. Dhe PDK-ja do të luaj rolin kryesor në këtë drejtim. Andaj, nëse do të ketë përkeqëson, nëse do të ketë insistim për të shkuar tutje, nëse do të këtë shtyrje të sanksioneve ndaj Kosovës, padyshim që edhe veprimet tona do të jenë karshi dhe të barasvlershme në raport me gabimet apo veprime që do t’i ndërmarrë kjo qeveri”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë me dije se opsion janë edhe protestat kundër qeverisë “Kurti”.

“Absolutisht nuk i përjashtoj protestat, por ato do të ishin një nga mjetet e fundit që do t`i zgjidhnim. Sepse mendoj se ka ende hapësirë që me mjete tjera demokratike të zgjidhim situatën. Që të dakorodohemi me një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Krasniqi.

Ai nuk ka dhënë detaje se kur do të mund të mbahej protesta e parë.

“Një organizim masiv për të shprehur kundërshtimin konfrontues të Albin Kurtit nuk është i pamundshëm”, është shprehur Krasniqi.

Veriu, “jorgani” i Kurtit

Kryetari i PDK-së e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se veriun e vendit po e përdor për t`i mbuluar dështimet e tij në qeverisjen e brendshme.

Për këtë arsyeje, sipas tij, kryeministri po prodhon kriza të vazhdueshme.

Ai ka thënë se Kurti e ka bërë veriun mbulesë për gjithçka.

“Agjenda kryesor me të cilën merremi sot ne si politik, ju si media, bashkësia ndërkombëtare si partnere është veriu. Pse ne nuk po merremi me cilësinë në arsim, me shëndetësinë që është e kolapsuar, me ekonominë që është e sakatuar, me mirëqenien që ka degraduar në Qeverinë Kurti dhe me politikën e jashtëm që është në koma totale. Sepse Albin Kurti e ka jorganin e tij që është veriu, Serbia, Vuçiqi. Krejt probleme ditore të kosovarë ai i mbulon më këtë jorgan, duke u thirrur në nacionalizëm e populizëm, duke folur për luftëra e rreziqe. E vërteta është se nuk ka zgjedhje për problemet me të cilat ballafaqohemi çdo ditë, por ka një agjendë që është më shumë e stisur për shkak të dështimeve të kësaj qeveria në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se situata në veri është shumë me keqe se vitin e kaluar.

“Kush mundet me na thanë që sot në veri kemi me shumë shtet sesa para një viti. Para një viti ka pasur një integrim, i cili pavarësisht sa ka qenë fragjil, sa ka qenë i brishtë, ka ekzistuar. Ke pasur kryetar të komunave, të cilët ndoshta nuk kanë pasur lojalitet të mjaftueshëm ndaj Republikës së Kosovës, ama janë zgjedhur me fletëvotime ku shkruante Republika e Kosovës. I kanë zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës. Kanë lëshuar dokument të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se nuk pajtohet me idenë e Kurtit që kryetarët e veriut të largohen me peticion.

“Personalisht e konsideroj gabim që të kërkohet rruga e peticionit të 20 për qind të atyre që janë në listën e votuesve, e cila i hap rrugë referendumit që do të duhej të kalonte me mbi 50 për qind të votuesve për shkarkimin e kryetareve. Kjo për dy arsyeje, e para që nuk ka bazë ligjor të qartë. Sepse Kosova kurrë nuk e ka miratuar ligjin për referendumin. Dhe e dyta nuk besoj që ne duhet ta krijojmë një traditë politike ku komunitet e caktuar etnike në Kosovë i arrijnë qëllimet e tyre politike përmes referendumit”, është shprehur ai, duke shtuar se alternative më e mirë është dorëheqja.

“Sepse nëse sot ua mundëson që me i shkarku kryetarët e zgjedhur me referendum, nesër mundesh me pritë edhe një kërkesë tjetër përmes referendumit, e cila mund të jetë shumë më problematike politikisht. Është thjesht një tendencë e me i ik problemit përsëri. Nëse e di që duhet me i bë këto zgjedhje, atëherë e kemi opsionin e dorëheqjes. Por, ajo nuk mund të realizohet pa e pasur një qartësi se çka ndodh pas dorëheqjes”, tha Krasniqi.