Mobi Casa

Kraja: Nuk funksionon më modeli serb i akademisë

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Muzafer Korkuti, në intervistën e parë pas zgjedhjes në këtë pozitë, në njërën nga mediat e Shqipërisë, ka thënë se detyrat që e presin janë të shumta, të cilat do të kapnin një reformim të plotë të këtij institucioni.

Duke u nisur nga institutet e qendrat kërkimore që iu hoqën, deri te përgjysmimi i saj dhe lënia jashtë e fushave të rëndësishme shkencore. Korkuti ka thënë se një ndër çështjet e mbetura peng është Botimi i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar në një vëllim. Ai u botua në tri vëllime, ndërsa tani duhet botuar në një të tillë dhe në gjuhë të huaj, mundësisht në gjuhën angleze.

Këtë domosdoshmëri kryetari i ri i ASHSH-it ka thënë se duhet bërë për shkak se ky libër duhet t’u japë përgjigje çështjeve themelore të historisë sonë. “Them ‘në anglisht’, në mënyrë që fqinjët tani e tutje ta kenë të qartë prejardhjen e shqiptarëve. Duke e lexuar atë fjalor në gjuhën angleze, t’i kenë sa më të qarta problemet sa iu takon shqiptarëve dhe që t’u jepen shtrembërimeve që janë bërë, siç qe rasti i Enciklopedisë maqedonase”, ka thënë Korkuti për Gazetën Shqiptare.

Akademik Mehmet Kraja, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në një intervistë për “Zërin” ka thënë se vënia në një vëllim të vetëm Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe atë në gjuhën angleze, për t’iu kundërvënë maqedonasve, nuk është e motivuar nga një synim i lartë shkencor, sepse enciklopedia maqedonase është një vepër propagandistike, e cila nuk e meriton një mund aq të madh.

Kraja thotë se enciklopeditë nuk bëhen për qëllime të këtilla, por me synime të larta shkencore dhe diturore. Kraja thotë se Fjalori Enciklopedik Shqiptar (2008-2009), ka mungesa serioze, veçmas sa i përket Kosovës. Ai po ashtu thotë se në mendjen e shumë njerëzve ende funksionon modeli serb i akademisë, që është modeli më i keq në botë.

Zëri: Kryetari i porsazgjedhur i ASHSH-së, Muzafer Korkuti, në një intervistë të dhënë menjëherë pas zgjedhjes së tij, ka thënë se që në fillim të mandatit të tij duhet t’u japë përgjigje çështjeve themelore të historisë sonë, në mënyrë që, siç thekson ai, fqinjët tani e tutje ta kenë të qartë prejardhjen e shqiptarëve. Kjo do të bëhej me botimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar në një vëllim të vetëm dhe atë në gjuhën angleze. Cili është mendimi juaj për këtë?

Mehmet Kraja: Zotit Korkuti i uroj punë të mbarë dhe sukses në detyrën e kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ushqej ndjenja miqësie ndaj tij dhe respekt ndaj punës së tij si arkeolog. Deklarata e tij, siç thoni ju, se ASHSH do të përmbledhë në një vëllim Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe atë ta botojë në anglisht, për t’iu kundërvënë maqedonasve, them se nuk është e motivuar nga një synim aq lartë shkencor, sepse enciklopedia maqedonase është një vepër propagandistike, e cila nuk e meriton një mund aq të madh. Pra, në përgjithësi, enciklopeditë nuk bëhen për qëllime të këtilla, bëhen për qëllime më fisnike dhe me synime të larta shkencore dhe diturore.

Mobi Casa

Por unë dua të shpreh mendimin tim, se Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botimi i dytë (2008-2009), ka mungesa serioze, veçmas sa i përket Kosovës. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH) thotë një të vërtetë shkencore disi të përgjysmuar, jo të plotë, në radhë të parë ngase Kosovës dhe shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë u është lënë një vend i kufizuar, përfshirë këtu edhe shqiptarët e Maqedonisë. Ta zëmë, nga tetë mijë zëra, që thuhet se ka ky fjalor, Kosovës nuk i referohen më shumë se 10% të zërave. Shqiptarët e Maqedonisë janë të përfaqësuar edhe më keq.

Prandaj, përpara se të bëhej një përmbledhje dhe përkthim eventual anglisht i këtij fjalori, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, apo Qendra e Studimeve Albanologjike, e cila së fundi ka marrë përsipër punët enciklopedike, do të duhej të rihartonin një vepër enciklopedike me një prezantim më proporcional dhe më të plotë të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, sepse FESH-i nuk është fjalor tamam shqiptar, në mbi 90% është fjalor i Shqipërisë, ndërsa në më pak se 10% është fjalor shqiptar. Kjo ka ndodhur për shkak të përjashtimit ngulmues të institucioneve të Kosovës nga punët hartuese rreth fjalorit. Ndoshta kjo rrethanë, por më shumë nevoja që Kosova si shtet të ketë botimet e veta enciklopedike, na ka nxitur që Akademia e Kosovës të nisë projektin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, i cili tashmë ka avancuar ndjeshëm.

Zëri: Po cili ka qenë bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet të dy Akademive, dhe a mund të llogaritet ai si më i miri?

Mehmet Kraja: Më sa kam vënë re unë, ka pasur fusha, në të cilat bashkëpunimi ka ecur shumë mirë, por ka pasur edhe ngecje, diku të arsyeshme, diku të paarsyeshme. Dy akademitë çdo dy vjet nënshkruajnë protokollet e bashkëpunimit, por realizimi i tyre ndonjëherë ka shkuar me vështirësi, për shkak të disa rrethanave “joakademike”.

Zëri: A mund të ketë ndonjë ndryshim në këtë bashkëpunim, pas zgjedhjes së kryetarit të ri?

Mehmet Kraja: Si sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK, do të doja që ky bashkëpunim të intensifikohej, veçmas rreth Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Por, mbi të gjitha, ndoshta më shumë se vetë bashkëpunimi ka rëndësi atmosfera e mirëkuptimit dhe e raporteve të sinqerta. E theksoj këtë fakt, sepse në të shkuarën ndonjëherë në këto marrëdhënie ka munguar pikërisht sinqeriteti.
Zëri: Është thënë se Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, nevojitet t’i kthehet lavdia e dikurshme. A mund të thuhet se sot ajo ka vetëm një pozicion nderi? Si do ta komentonit ju këtë?

Mehmet Kraja: Në Kosovë, mbase edhe në Shqipëri, akademive u atribuohen punë dhe detyra që nuk i kanë askund në botë. Në mendjen e shumë njerëzve ende funksionon modeli serb i akademisë, modeli më i keq në botë, sepse, sikundër dihet, ishte Akademia Serbe ajo që me memorandumet e saj shkaktoi tragjedi të mëdha në Ballkan. Këtë model të akademisë duhet hequr nga mendja një herë e mirë, sepse është model i deformuar, joevropian… Tani, nëse udhëheqja e re e ASHSH-së zotohet se do t’ia kthejë lavdinë këtij institucioni, kam frikë se bëhet fjalë për nostalgji të kohëve të shkuara, për akademi diktatoriale në fushën e organizimit institucional, njësoj si në fushën e mendimit dhe të punës shkencore. Nuk ka më uzurpim shtetëror të dijeve dhe ideve, nuk ka më uzurpim akademik (autoritar) të mendimit të lirë. Akademitë nuk kanë mandat të rregullojnë çështjet e kombit, pavarësisht se çfarë organizimi kanë ato./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.