Kqiku dhe avokati Pira të bindur se do ta hedhin poshtë aktakuzën

Gjilan – Avokati mbrojtës i Salih Kqikut, Shemsedin Pira thotë se klienti i tij është i pafajshëm sepse me asnjë provë nuk është vërtetuar se është i përfshirë në veprën penale për të cilën ngarkohet. Salih Kqiku ndërkaq thotë se aktakuza kundër tij është e ngutshme dhe s`ka fare të bëjë me të. Unë thjeshtë jam viktimë e kuzhinave të ndryshme, por jam i sigurt se do ta dëshmojë pafajësinë meqë të gjitha provat dhe argumentet janë në anën time.
Aktakuza e ngritur kundër Salih Kqikut për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka shqetësuar tej mase vet të akuzuarin dhe avokatin mbrojtës Shemsedin Pira, të cilët qysh në seancën fillestare e kanë kundërshtuar aktakuzën dhe tani lënda ndodhet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Avokati mbrojtës Shemsedin Pira tha për rajonipress se kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë ofruar materiale dhe prova të mjaftueshme se aktakuza është e paqëndrueshme. “Unë pres një vendim pozitiv nga Gjykata e Apelit sepse klienti im është dëshmuar se nuk është i përfshirë në veprën e ngarkuar” tha Pira.
Ndërkaq, Salih Kqiku thotë se aktakuza e ngritur kundër tij është e montuar dhe e ngutshme sepse ajo s`ka fare të bëjë me të. “Unë akuzohem për diçka që s`ka lidhje me mua e as me veprimtarinë time. I kam bërë gati 20 vite përvojë në financa e prokurim dhe asnjëherë s`kam pasur asnjë problem ligjor. Kurrë skam besuar se do të ngritet ndonjë aktakuzë kundër meje” shprehet Kqiku.
Kqiku tha se do ta dëshmojë para Gjykatës pafajësinë sepse ka prova e fakte të mjaftueshme se ai nuk është i involvuar në dyshimet e ngritura nga Prokuroria.”Unë s`jam përgjegjës për kontratat e as për qiranë tek Inkubatori. Ekzistojnë procesverbalet e shumta të cilat i ka edhe prokuroria dhe hetuesia. Madje nuk ka as dëshmi se cilat lëndë janë ose cilat nuk kanë qenë. Unë akuzohem për raportin për vlerësimin e aseteve të Higjena sh.a i bërë nga “Deloitte” me 19 korrik 2011 ku unë në atë kohë kam qenë në pozitën e inspektorit të tregut” ka sqaruar Kqiku.
Kqiku gjithashtu ka mohuar edhe punësimin e vajzës së tij në një OJQ. “Vajza ime asnjë ditë nuk ka punuar në asnjë OJQ dhe ky fakt nuk qëndron fare” tha ai. “Unë mendoj se kjo aktakuzë është e motivuar dhe e montuar nga qarqe të caktuara të cilëve u ka penguar puna ime profesionale dhe puna ime e cila është bazuar në rend e ligj. Është vërtet e pafalshme që tani në këtë moshë dhe në kohën kur më së shumti i jam dashur komunës së Gjilanit, unë akuzohem dhe pezullohem nga vendi i punës. Shpresoj shumë që Gjykata e Apelit ta vendos drejtë rastin, pse jo edhe ta hedhë poshtë aktakuzën e ngritur” shtoj Kqiku./rajonipress/