KKGJILAN

KPF rekomandon planet rregulluese “Qarku 1”, “Qarku 2” dhe “Montith”

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në takimin e radhës, që është mbajtur të mërkurën, nën drejtimin e kryesuesit Izmi Zeka, ka rekomanduar për miratim projekt-rregulloren e punës së Kuvendit Komunal. Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se ndryshimet kanë të bëjnë jo vetëm me kohën e diskutimit, e cila është zgjatur, por edhe me replikën, sqarimin e votës kundër, gjuhën kuvendare, e cila nuk guxon të jetë fyese dhe çështje të tjera.

Rregullorja siguron më shumë hapësirë për debat dhe inicim të çështjeve me interes për qytetarët. Një risi në këtë rregullore është incizimi i mbledhjeve dhe vendosja e materialit në faqen zyrtare të Komunës, të cilën publiku mund ta marrë dhe shikoj të plotë, kur do që kanë nevojë.

Koha e diskutimit është propozuar të bëhet 15 minuta, për shefin e grupit të këshilltarëve, ndërsa për anëtarët tjerë zgjatet në 10 minuta, nga 5 sa ka qenë deri tani. Koha e replikës zgjatet në 3 minuta, ndërsa ka qenë 1 minutë. Risi është e drejta për sqarimin e votës kundër, për çka lejohet koha prej 3 minutash.

Rregullorja parasheh edhe masat disiplinore ndaj anëtarëve të Kuvendit, të cilat i merr kryesuesi, në rast të përdorimit të fjalorit jo kuvendar, që fillon nga tërheqja e vërejtjes e deri te përjashtimi për tre seanca, ka thënë Matoshi.

Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal ka thënë se propozim-rregullorja i ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme, përfshirë edhe dëgjimin publik dhe i ka ftuar anëtarët e KPF që ta votojnë për rekomandim në Kuvend Komunal.

KPF i ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe tri plane rregulluese, “Qarku 1”, “Qarku 2” dhe Kampi ‘Montith’, të cilat, siç ka thënë kryesuesi Izmi Zeka, do të shqyrtohet në një seancë të veçantë të Kuvendit Komunal, javën e ardhshme.

Bahrije Mahmuti, drejtoreshë e Urbanizimit, ka thënë se plani rregullues “Qarku 1” përfshin një hapësirë prej 73 hektarësh, në pjesën perëndimore të qytetit dhe është pjesërisht e ndërtuar. Zona është planifikuar për ndërtim individuale të përzier si dhe përmbajtje publike.

“Qarku 1” do të ketë një shkollë fillore, 3 çerdhe, një punkt shëndetësor, një objekt për administratë si dhe përmbajtje tjera. Aktualisht pjesa më e madhe e kësaj zone është e lirë, meqë ndërtimet këtu janë më të vonshme,kryesisht pas vitit 1990. Përbëhet kryesisht nga pronat private dhe si hapësirë, është shumë e përshtatshme për banim.

UBT

“Qarku 2” përfshin një sipërfaqe prej 90 hektarëve, në pjesën perëndimore të qytetit, ndërmjet rrugëve Gjilan – Ferizaj dhe Gjilan-Livoç-Cërnicë. Pjesa më e madhe është pronë private. “Qarku 2” është e banuar nga viti 1960, por me të madhe ka filluar të popullohet pas vitit 2000, kur migrimi në drejtim të qytetit është rritur dukshëm.

Me plan rregullues, zona është e destinuar për ndërtime individuale dhe kolektive, me lartësi prej P+1 deri në P+4. Plani parasheh zgjerimin e infrastrukturës rrugore ekzistuese dhe ndërtimin e rrugëve të reja. Janë paraparë 3 çerdhe, një shkollë fillore, një qendër tregtare dhe përmbajtje tjetër publike dhe tregtare si dhe rekreative-sportive.

Zona “Montith”përfshin hapësirën në mes rrugës magjistrale Gjilan-Bujanovc dhe Gjilan-Malishevë, me një sipërfaqe rreth 110 hektarë. Është pjesërisht e ndërtuar, ku dominon banimi individual dhe objektet banimore-afariste përgjatë rrugës Gjilan – Bujanoc. Është e destinuar kryesisht për banim kolektiv, me lartësi maksimale të ndërtimit P+6. Është planifikuar që kjo lagje t`i ketë deri në 30 mijë banorë.

Në këtë zonë parashihet të ndërtohet kampi universitar, 2 shkolla fillore, një shkollë e mesme, 3 çerdhe, 2 Qendra të Mjekësisë Familjare, një objekt social për nevoja të pleqve dhe fëmijëve nën përkujdesje sociale, një qendër kulturore, një objekt për administratë, ndërsa për sport dhe rekreacion janë planifikuar 11 hektarë.

Arben Mehmeti (LDK), ka kërkuar që planet rregulluese të vendosen në faqen elektronike të Komunës, menjëherë pasi të miratohen, kurse Arben Maliqi (AKR) tha se duhet t`u kushtohet rëndësi më e madhe hapësirave sportive, të gjelbra, këndeve për lojëra, ndërkohë kërkoi që pas miratimit të planeve, të bëhet menjëherë trasimi i rrugëve, për të penguar degradimin e zonës.

Sa i përket planit të kampit “Motith”, Izmi Zeka tha se ka disa kërkesa për rritje të etazhitetit nga P+6, sa parasheh plani, në P+8 dhe ka kërkuar nga drejtoria që të shikojë këtë mundësi. ‘Unë jam për të lejuar këtë lartësi ndërtimi’, ka thënë Zeka, me çka janë pajtuar edhe Arben Maliqi e Arben Mehmeti, duke kërkuar modifikimin e planit te kjo pikë.

Drejtoresha Bahrije Mahmuti ka thënë se planifikimi është bërë në bazë të analizës së të gjithë parametrave, duke mohuar të ketë çfarëdo diskriminimi në raport me zonën përballë ‘Fidanishte’ ku lejohet lartësia e ndërtimit P+8. Qytetarët e kanë pranuar këtë zgjidhje, ka thënë ajo. KPF e ka rekomanduar këtë plan me propozimin për shqyrtimin e mundësisë për rritjen e etazhitetit.

KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe Statutin e Qendrës për Punë Sociale, propozim-vendimin për kompensimin e dëmeve të shkaktuara përgjatë realizimit të projektit të lumit Mirusha si dhe propozimin për shfuqizimin e rregullores për kompensimin e anëtarëve të Kuvendit dhe ndalesave të stafit të shërbimit civilë, pasi që kjo çështje tani rregullohet me ligj./rajonipress/