KPF rekomandon për Kuvend Komunal kornizën buxhetore
Gjilan – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në takimin e të enjtes, të kryesuar nga Izmi Zeka, ka rekomanduar për Kuvend Komunal Kornizën Afatmesme Buxhetore 2013-2016. Gjatë tre viteve të ardhshme, buxheti do të lëviz nga 20 milionë e 125 mijë euro, sa është planifikuar në vitin 2014, deri në mbi 21 milionë, në vitin 2016. Të hyrat vetanake do të shënojnë rritje deri në rreth 4 milionë, në vitin 2016, nga 3.6 milionë sa janë të planifikuara për vitin 2013.
Në bazë të planifikimit, nga viti 2014, grantet qeveritare për Komunën e Gjilanit do të shënojnë rritje graduale. Rritja e granteve qeveritare do të jetë përafërsisht nga 10,31 – 15,52% në krahasim me vitin 2013.
KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe këmbimin e pronave në tre raste, dy me pronarë privatë dhe një tjetër me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, ka thënë se ligji e lejon këmbimin pronësor.
Sali Fazliu, shef i sektorit të Pronës në Drejtorinë e Kadastrës, tha se këto prona janë marrë para shumë vitesh, për nevoja të ndërtimit të rrugës qarkore, e cila ka një gjatësi prej 7 km dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 13 hektarësh e 42 ari.
Deri më tani, të drejtën e shpronësimit e kanë realizuar vetëm dy pronarë, të cilët kanë ndjekur procedura gjyqësore, por që e kanë dëmtuar shumë buxhetin e Komunës, sepse pos kompensimit, është dashur të paguhen edhe kamata.
Fazliu ka thënë se Komuna nuk ka mundësi buxhetore të bëjë kompensimin e të gjithë këtyre pronarëve, por është shumë e interesuar që të zgjidhë këtë problem, që e ka trashëguar nga ish-pushteti. Për këtë qëllim i jemi drejtuar me kërkesë për shpronësim edhe Ministrisë së Infrastrukturës, ka thënë ai.
Në dy raste ekzistojnë kushtet që kompensimi të bëhet përmes këmbimit pronësor, meqë pronat komunale kufizohen me pronarët, të cilëve u janë tokat për rrugën qarkore. Ai i ka propozuar KPF që të përkrah propozimet për këmbim pronësor në rastin e Limon Hasanit dhe të Shaban Arifit, të cilëve do t`u jepet pronë komunale aq sa u është marrë, metër për metër, ka thënë Fazliu.
Anëtarët e KPF, Jakup Bajrami, Sadudin Berisha, Arben Maliqi e kanë përkrahur propozimin, meqë edhe ligji e lejon këmbimin pronësor, por kanë shprehur frikën se në mos kësisoj po favorizohen disa pronarë në raport me të tjerët. Fazliu ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për favorizim të askujt, sepse Komuna është e interesuar ta zgjidhë në tërësi problemin, por te këto dy raste ekzistojnë kushte objektive për këmbim pronësor.
KPF e ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe propozimin për këmbimin të pronës komunale me një pronë të MPMS, e cila nevojitet për ndërtimin e një qendre rinore, si projekt që do të realizohet nga Ministria e Kulturës. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është pajtuar për këtë këmbim, që nënkupton dhënien e pronës ku tani gjendet Qendra Regjionale e Punësimit, si këmbim për pronën që Komuna i ka dhënë asaj më parë te vendi i quajtur “Gllama”.
KPF rekomandoi edhe Planin Zhvillimor të Arsimit 2013-2016, të cilin shkurtimisht e paraqiti Bujar Nevzati, drejtor për Arsim. PZHA i ka kaluar të gjitha procedurat e parapara, përfshirë edhe Komitetin e Arsimit, është vlerësuar pozitivisht nga drejtorët e shkollave si dhe në procedurat tjera dhe tani është sjellë për shqyrtim dhe rekomandim në Komitet, ka thënë Nevzati.
Po ashtu, në këtë takim të KPF u rekomandua edhe Rregullorja për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës të subjekteve afariste në territorin e Komunës së Gjilanit, me ndryshimet e bëra.
KPF e ka shtyrë për një takim tjetër çështjen e formimit të një Komiteti për bashkëpunim ndërkufitar, meqë mungoi konsensusi politik. Kryesuesi Izmi Zeka, i cili insistoi për formimin e këtij Komiteti, si nevojë për institucionalizimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe si kërkesë e komunave Preshevë e Bujanoc, duke mos mohuar se bashkëpunim ka pasur edhe më herët, por që më tepër ka qenë në nivel të kryetarëve, tha se nuk dëshiron që një trupë e këtillë komunale të bëhet nëse nuk arrihet unitet i plotë në KPF./rajonipress/


