Gjilan – Komiteti për Politikë dhe Financa, të enjten ka miratuar propozim-vendimin që ka të bëjnë me zgjidhjen urbanistike në lagjen “Qarku”, të cilin e ka arsyetuar drejtoresha për Urbanizëm, Bahrije Mahmuti.
Ajo ka thënë se për nevoja të shkollës së re në këtë lagje, është paraqitur nevoja e riorganizimit të hapësirës brenda Planit Detal Urbanistik në lagjen “Qarku”.
Opozita (LDK), nëpërmjet Sadudin Berishës e Jakup Bajramit, tha se kjo është në kundërshtim me vendimet e Kuvendit Komunal dhe ligjet në fuqi dhe e cilësuan të paarsyeshme.
Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës sqaroi se bëhet fjalë për rreth 16 ari, të cilat Komuna nuk ka pasur mundësi që t`i shpronësojë, por as nuk kanë paraqitur pengesë për ndërtimin e shkollës. Nuk është e arsyeshme që kjo hapësirë të mbetet peng dhe të mos mund ta shfrytëzoj as pronari, ka thënë ai.
KPF rekomandoi për Kuvend edhe një marrëveshje parimore për kompletimin e ngastrave ndërtimore përmes ndërrimit të kufijve të parcelave dhe rregullimit të marrëdhënieve pronësore juridike në zonën “Fidanishte”, për nevoja të Qendrës Socio-Edukative “Don Bosko”.
Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, tha se kjo është një histori që po zgjatet pa nevojë dhe kërkoi nga anëtarët e KPF-së që ta mbështesin propozimin, të cilin e arsyetoi Sali Fazliu, zyrtar i Kadastrës, duke thënë se është vlerësuar i domosdoshëm rregullimi i kufijve të ngastrave, të cilat tani nuk kanë formën e duhur gjeometrike.
Duke dhënë sqarime shtesë, kreu i Komunës Qemajl Mustafa tha se me këtë rregullim të ngastrave është pajtuar edhe pronari. Ai tha se ky është rasti i parë ndoshta edhe në Kosovë ku komuna ka ndërruar prona me AKP-në për nevoja të Qendrës “Don Bosko”, në mënyrë që në këtë zonë të fillojë realizimi i projektit të një shkolle profesionale, që është investim gjerman.
Edhe te kjo çështje, një pjesë e opozitës pati vërejtje. Arben Mehmeti (LDK ) tha se vendimi është në kundërshtim me ligjin.
Për Kuvend Komunal u rekomandua edhe propozim-vendimi për kompensimin e pronës përmes koeficientit të ndërtimit. Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, ka thënë se nevojat për shpronësime janë të mëdha, ndërsa Komuna nuk ka mjete që t`i kompensojë të gjitha hapësirat që nevojiten për interesa publike, prandaj është propozuar që kompensimi të bëhet në këtë mënyrë.
Sipas saj, maksimumi i koeficientit që do t`i kompensohet pronarit privat me, në rast se i merret një pjesë e pronës, do të jetë 20 për qind. Zbatimi i kësaj forme të kompensimit do të ketë efekte pozitive në zbatimin racional të planeve të miratuara, ka thënë ajo, duke nënvizuar se Komuna do të bëhet pronare e tokave, pa pasur nevojë të ndajë mjete financiare për to.
Sadudin Berisha tha se propozimi është në kundërshtim me ligjin, kurse Bahrije Mahmuti sqaroi se kjo është në pajtim me planin zhvillimor.
Komiteti e ka përkrahur dhe rekomanduar edhe propozim-vendimin për planin e investimeve në infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit, që e ka paraqitur Fehmi Agushi, zyrtar për Mbrojtje të Mjedisit, i cili ka thënë se në këta sektorë parashihen investime deri në 100 milionë euro, gjatë disa viteve të ardhshme.
Komiteti shqyrtoi dhe rekomandoi për KK edhe propozim-vendimin për zgjidhjen urbanistike të një hapësire publike në lagjen “Arbëria”, të cilin e arsyetoi drejtoresha Bahrije Mahmuti. Ajo tha se në debat janë përfshirë edhe qytetarët dhe janë marrë parasysh interesat e tyre në këtë zonë, ku do të ketë çerdhe, terrene sportive, hapësira të gjelbra dhe përmbajtje tjera./rajonipress/