KKVITI

KPF miraton raportin financiar 9-mujor

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan- Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) e ka miratuar të premten raportin financiar 9-mujor, të cilin e ka paraqitur Nuhi Nuhiu, drejtor për buxhet dhe e ka rekomanduar atë për Kuvend Komunal, që pritet të mbajë seancën e radhës javën e ardhshme.

Nuhiu ka thënë se të hyrat vetanake kanë shënuar një ngecje në krahasim me planin dhe për këtë është duke u bërë një analizë e gjendjes, për të identifikuar arsyet, por e ka përjashtuar mundësinë që kjo të ketë ardhur për shkak të kushtëzimit të disa shërbimeve me pagesën e obligimeve për ujë dhe mbeturina.

Në periudhën nëntë mujore të këtij viti, të hyrat vetanake janë realizuar 93.22 për qind. Ngecje të konsiderueshme ka pasur te të hyrat nga gjobat në trafik, pastaj te inspekcioni komunal dhe te tatimi në pronë. Sa u përket shpenzimeve, ato sillen në nivelin e planifikuar, ka thënë Nuhiu.

Anëtarët e KPF e kanë mbështetur raportin financiar, ndërkohë që kanë mirëpritur edhe analizën që po bëhet për të konstatuar shkaqet që kanë ndikuar në rënien e të hyrave vetanake. Disa prej tyre nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të ketë ndikuar edhe kushtëzimi.

Arben Maliqi (AKR) tha se ka qytetarë që i vozitin automjetet e tyre pa regjistrim. Jakup Bajrami (LDK) ka thënë se planifikimi i të hyrave nga gjobat në trafik, duhet të bëhet në bazë të një analize paraprake.

Sipas drejtorit Nuhi Nuhiu, ngecja te gjobat ka ndodhur si pasojë e ndryshimit të ligjit dhe e zgjatjes së procedurës për pagesën e gjobës, ndërsa rënia e të hyrave të inspekcioni, është e momentit.

Uji Dea

Sa i përket kushtëzimit, të cilin e ka ngritur edhe në këtë seancë përfaqësuesi i AAK-së, Sokol Haziri, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit, Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal ka thënë se çështja është në Gjykatën Kushtetuese, ku pritet të shqyrtohet më 3 dhjetor dhe ne do t`i përmbahemi vendimit të saj, ka thënë ai.

Ndërkaq sa i përket bartjes së shamive në shkolla, që është bërë problem për vijimin e mësimit për disa nxënëse në Gjilan, të cilën e ka ngritur si shqetësim Arben Mehmeti (LDK), duke kërkuar që të diskutohet në një seancë të veçantë të Kuvendit Komunal, Zeka ka thënë se kjo është e rregulluar me ligj dhe kushtetutë dhe nuk u takon komunave të merren me këtë çështje.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, kërkoi të mos politizohet çështja, duke thënë se në shkollë ekziston një uniformë dhe nuk lejohen uniforma të tjera. Ai sqaroi se nxënëset dhe prindërit e tyre e kanë ditur këtë që nga viti i kaluar, kur kemi bërë një kompromis të përkohshëm dhe i kemi lejuar të përfundojnë vitin shkollor. Mendimet e anëtarëve të KPF rreth këtij problemi kanë qenë të ndara.

Përndryshe, kreu i Komunës është përgjigjur edhe në disa interesime të Arben Mehmetit rreth disa projekteve. Ndriçimi publik në këtë fazë përfshin pjesën prej Stacionit të Autobusëve, deri te “Hidromorava”, por në fazën e dytë, që pritet të vazhdojë në pranverë, rrjeti do të shtrihet në të dy drejtimet, deri te kryqëzimi i rrugës qarkore me magjistralen Gjilan-Ferizaj dhe Gjilan-Bujanoc, ka thënë Mustafa.

KPF ka miratuar edhe vendimin për lejimin e transferit të mjeteve financiare brenda organizatës buxhetore, për mbulimin e minusit të pagave për muajt nëntor dhe dhjetor. Këto mjete financiare do të merren nga programet ku ka tepricë dhe do të transferohen në programet të cilat kanë mungesë.

Transferi i mjeteve financiare bëhet në pajtim me dispozitat e ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ka thënë drejtori Nuhi Nuhiu. /rajonipress/