KKVITI

Kozniku apel FFK-së të ndihmohen klubet

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Futbolli në mbarë botën është goditur me të madhe nga pandemia Covid-19, shkruan Zëri.info.

Krizës nuk i ka shpëtuar as futbolli i Kosovës që tash e shumë mbahet gjallë nga donatorë të cilët kanë investuar dhe vazhdojnë që të derdhin shuma të mëdha parash në sportin më të popullarizuar në botë.

Në këtë krizë të pandemisë, edhe donatorët edhe kompanitë janë “paralizuar”, dhe po hasin në vështirë që t’i zbatojnë kontratat me futbollistë dhe punëtorë sportiv.

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka lëshuar 236,5 milionë euro për të përkrahur federatat nacionale evropiane në këtë kohë të vështirë.

Kjo është bërë e ditur të hënën në faqen zyrtare të UEFA-s. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka bërë të ditur se të gjitha federatave nacionale do t’iu ndahen nga 4,3 milionë euro. Pra kjo shumë do t’i ndahet edhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

FFK-ja ditë më parë ka përfituar 462 mijë euro nga një fond i ndarë nga FIFA. Por përkrahja e UEFA-s është dukshëm më e madhe.

Në një takim të mbajtur të mërkurën e kësaj jave, përfaqësueses të 12 klubeve të Superligës kërkuan që këto mjete të ndahen për klubet dhe jo të shkojnë në investime tjera për shkak të krizës.

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Ardian Kozniku i cili jeton dhe vepron në Kroaci, vlerëson se është koha që Federata e Futbollit e Kosovës t’u dal në ndihmë klubeve.

“Federatën e Futbollit të Kosovës prej viteve të 90-ta e deri kur është pranuar në UEFA dhe FIFA, e kanë mbajtur gjallë klubet dhe biznesmenë të ndryshëm. Në këtë rast nuk e di se si janë dokorduar FFK me klubet, por si një sportist mendoj se nëse FFK merr ndihmë nga UEFA, do të ishte mirë që t’i ndihmonte klubet me aq sa kanë mundësi sepse nëse vjen deri te fundosja e klubeve, atëherë kjo do të shkonte në dëm të FFK-së dhe futbollit”, ka deklaruar Ardian Kozniku në një prononcim për Zëri.info.

Kozniku është futbollisti i parë shqiptar, i cili ka marrë pjesë në një kampionat botëror. Ish-sulmuesi i mirënjohur me famë ndërkombëtare e fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Botërorin e organizuar në Francë në vitin 1998. Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979.

Image
Krahas Kroacisë, karrierë ka bërë edhe në Francë, Qipro e Austri.

52-vjeçari tashmë punon në grupmoshat e reja të Kombëtares kroate si dhe ekipin Lokomotiva e Zagrebit.

Mobi Casa

“Politikën e FFK-së nuk po e kupton askush”

Tutje, Kozniku vlerëson se politikën e FFK-së askush nuk është duke e kuptuar.

“Politikën e FFK-së nuk po e kupton askush, janë duke bërë çka po duan vet. Unë kam shumë për të thënë, por nuk dua që të përzihem pasi që nuk më takon. Ata e kanë për vete, sa ju shkon nuk e di. Unë punoj në Federatën e Kroacisë dhe në Lokomotivën e Zagrebit, dhe nuk dua që të hyjë në detaje. Do të vijë dita kur të gjitha gjërat do t’ua them në sy direkt njerëzve në FFK. Ka njerëz aty që nuk kanë respekt për shumë gjëra, prej kohës kur janë pranuar në UEFA dhe FIFA. Me herët kanë telefonuar për të kërkuar kontakte me shumë e shumë persona që vetëm në TV kanë mundur që t’i shohin. Me t’u pranuar në UEFA e FIFA, i mbyllen dyert për shumë veta. Kjo nuk vlen për të ndjerin Fadil Vokrri të cilin e kanë njohur të gjithë që nga koha e ish-Jugosllavisë. Këta që po thonë sot këtë dhe atë e kam mik, vetëm tash i kanë njohur. Fjala është për E.S.”, përfundoi Ardian Kozniku.

Ndryshe, FFK-ja më 10 prill e ka bërë publike një pako emergjente për komunitetin e futbollit në këtë kohë të vështirë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pako ka vlerën e përgjithshme të mbi 550 mijë eurove dhe do të përfitojnë të gjitha klubet, nga Superliga deri në kampionatet e ulëta, gjyqtarët e delegatët, por edhe të punësuarit nëpër klube.

Shuma e përgjithshme që është ndarë për klubet e Superligë është në total 147 mijë euro për 12 klube.

35 persona në secilin klub të Superligë do të marrin nga 350 euro.

Një klub i Superligës përfiton afërsisht nga 12 500 euro.

Klubet e Ligës së Parë përfitojnë së bashku 96 mijë euro që janë 16 sish, ndërsa të Ligës së Dytë që janë 16 do të marrin 60 mijë euro.

Fonde do të ketë edhe për klubet e Ligës së Tretë, atyre të futsallit si në Superligë ashtu edhe në Ligën e Parë, gjyqtarët dhe delegatët.

Ky projekt ishte asistence është bërë nga fondet vetanake të FFK-së. /Zëri.info