FIDANISHTJA

Kosumi i suksesshëm edhe si veprimtar, studiues, publicist e burrështetas

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në prani të shumë krijuesve, studiuesve, poetëve e letrarëve të premtën në Gjilan është folur për krijimtarinë e gjerë e të pasur të Bajram Kosumit. Në këtë diskutim mbi krijimtarinë e Kosumit u tha se ai është treguar i suksesshëm edhe si poet, publicist, studiues i letërsisë, politikan, burrështetas, dhe mësimdhënës. U tha se poezia e Kosumit është e kryer, e kristaltë, intelektuale dhe moderne.

Në kuadër të programit të Panairit të Librit të premtën në Gjilan është folur për profilin krijues të Bajram Kosumit. Në këtë bashkëbisedim dhe promovim të krijimtarisë së Kosumit u shpalos dhe u debatua krijimtaria e pasur e tij, derisa referuesit Merxhan Avdyli, Myrvete Dreshaj – Baliu dhe Arsim Halili thanë se veprat e Kosumit janë vlerësuar nga kritikë e letrar të njohur nga publicistika e letërsia shqiptare, raporton rajonipress.

Sabit Rrustemi në emër të organizatorit tha se brenda këtyre 35 viteve, emri i Bajram Kosumit më shumë është lakuar si njëri nga udhëheqësit e Pranverës studentore të vitit 1981, si ish i burgosur politikë dhe si pjesë e rezistencës atdhetare për republikën e Kosovës dhe, e lidershipit të politikës kosovare, duke bartur funksione të larta publike, nga të qenit kryetar i një partie politike, e deri në postin e kryeministrit të Kosovës.

Rrustemi tha se sa herë që është lakuar ky emër, veprimtaria e tij atdhetare e intelektuale si dhe ecja vertikale, asnjëherë nuk është vu në pikëpyetje, përkundër sfidave dhe baticave e zbaticave nëpër skenën politike kosovare.

Megjithatë, Rrustemi tha se poezia Bajram Kosumit nuk do t`i ndahet dhe asnjëherë nuk do ta lë vetëm, madje as në vitet e rënda nëpër burgje, po edhe pas daljes në burgun e madh të quajtur Kosovë.

Referuesi kryesor Merxhan Avdyli tha se Bajram Kosumi qe katër dekada është aktiv në jetën kulturore dhe politike shqiptare.”I njohur si poet, publicist, studiues i letërsisë, politikan, burrështetas, mësimdhënës, me një karakteristikë të përbashkët për të gjitha veprimtarë – i suksesshëm”.

Avdyli tha se Kosumi deri tash ka botuar disa libra nga fusha e studimeve letrare, publicistika, poezia dhe gazetaria. Poezia e Bajram Kosumit sipas Avdylit paraqet një risi në poezinë shqipe.

Kosumi ka krijuar një sistem origjinal poetik, ndërkaq poezia e tij karakterizohet për protetizimin e ideve të forta dhe të mëdha.

Si vepra e botime të rëndësishme poetike e letrare Merxhan Avdyli ka përmendur librin poetik “Libri i Lirisë”, “Fjalor i Barbarëve”. Efektet e poezisë së Kosumit arrihen nëpërmjet figurave të ndryshme, veçanërisht nëpërmjet metaforës, krahasimit, ironisë, simbolit dhe personifikimit që janë njëherësh edhe shtyllat kryesore mbi të cilat mbahet poezia e Kosumit.

Ajo çka e veçon poezinë e Kosumit nga e gjithë poezia moderne shqipe, është se pothuajse asnjë poezi e Kosumit nuk ndërtohet mbi idetë apo mbi mendimet e papërfunduara, të paplota, të parealizuara.

Merxhan Avdyli tha se një frymë e përgjithshme poetike, një përfshirje përshkruese intelektuale, një kapje totale e përbërësve të përgjithshëm jetësorë, një universalizim i jetës shqiptare, janë elementet përthekuese të gjithë poezive të Kosumit, me ide të shtruara dhe të realizuara artistikisht, estetikisht dhe në këtë dritë saktësisht.

Edhe studiuesja Mirvete Dreshaj – Baliu e ka quajtur poezinë e Kosumit intelektuale, e moderne. Dreshaj tha se poezia e Kosumit dhe krijimtaria e tij mund të krahasohen me ato të Kadaresë.

Arsim Halili krijues tha se bagazhi krijues i Bajram Kosumit është i madh në fushën e botimeve ekskluzive.

Kurse vet Bajram Kosumi kur foli para pjesëmarrësve të shumtë tha se gjatë gjithë kohës së tij ka punuar e vepruar për të pasur në duart e lexuesve vepra e krijime të kapshme. “Historia e krejt shqiptareve është mbijetesa dhe lufta kryesore e tyre mbetet sërish mbijetesa. Jam përpjekur që në këtë aspekt të bëjë një ese të cilin ende se kam përfunduar e për të cilin mendoj se është kryevepra ime jetësore” u shpreh Kosumi.

Mobi Casa

Ndryshe profili krijues i Bajram Kosumit mund të ndërtohet në tri vija paralele: në vijën e parë është profili prej veprimtari liridashës dhe politikani, në vijën e dytë është profili prej publicisti dhe në vijën e tretë është profili prej krijuesi letrar e shkencor.

Në vijën e parë profili i tij ndërtohet që nga jeta studentore. Në vitin 1979 ai bëhet udhëheqës i një organizate patriotike ilegale e cila angazhohej për lirinë e Kosovës. Në vitin 1981 ka qenë një prej udhëheqësve të lëvizjes studentore dhe revolucionit në Kosovë. Gjykata e Jugosllavisë e dënon me 15 vjet burgim. Në fund të vitit 1990, me rënien e komunizmit, nga një amnisti e përgjithshme politike, lirohet nga burgu.

Në zgjedhjet e para shumëpartiake në Kosovë, në vitin 1992, zgjidhet deputet i Parlamentit të Kosovës nga rrethi i Kamenicës (Parlamenti i penguar nga shteti serb). Në vitet që pasojnë, nga 1994 e tutje deri në vitin 2010, do të luajë rol të rëndësishëm në politikën e Kosovës. Më 1994 zgjidhet kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës. Në vitin 1998-99 merr pjesë në Konferencën e Rambujesë dhe në Paris. Në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, më 1999, zgjidhet ministër i Informacionit Publik. Gjatë luftës vepron bashkë me UÇK në Gollak dhe në Llap.

Pas luftës, bashkë me disa parti të tjera formojnë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në zgjedhjet parlamentare të pasluftës edhe tri herë të tjera është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga 2001 deri në 2010. Në vitin 2004 zgjidhet Ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në vitin 2005 zgjidhet Kryeministër i Kosovës.

Në vijën e dytë, profili i tij prej publicisti fillon në vitet e burgut dhe menjëherë pas tij. Në vitin 1995, sa ishte në Burgun Qendror të Beogradit, bashkë me shokët e idealit Hydajet Hysenin, Zija Shemsiun, Ali Lajcin dhe Gani Kocin, shkruajnë dhe ua dërgojnë organeve udhëheqëse të RSFJ-së së atëhershme letrën me titull :”Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”, e cila pasi doli fshehurazi jashtë mureve të burgut, në vitin 1986 u publikua si broshurë politike në Zvicër.

Pas burgut fillon punën si publicist dhe gjatë dhjetë vjetëve do të botojë qindra shkrime të ndryshme politike, publicistike e eseistike, me të cilat arriti të krijojë profilin e artikuluar prej mendimtari dhe politikani. Gjatë viteve 1991-2002 ka qenë kolumnist dhe ka bashkëpunuar me revista e gazeta të ndryshme anekënd hapësirës shqiptare.

Në vitin 1995 publikoi librin e parë me punime publicistike Koncept për subpolitikën.
Në vitin 2000 e publikoi librin e dytë Koncept për mendimin e ri politik.
Në vitin 2006 e publikoi librin e tretë publicistik Një vit vendimtar.

Në vijën e dytë, profili i tij prej krijuesi letrar e shkencor nis po ashtu shumë herët.
Në vitin 1992, ai bashkë me katër autorë të tjerë, publikoi Librin e Lirisë, libri i parë me poezi nga burgu i botuar në Kosovë.

Në vitin 2000 botoi librin me poezi Fjalor i Barbarëve dhe të njëjtin, me ndryshime të theksuara e ribotoi në vitin 2009.

Në vitin 2006 publikoi në Tiranë dy monografi shkencore: e para Lirika e Fishtës, një studim shterues për poezinë lirike të Gjergj Fishtës dhe e dyta Letërsia nga burgu / kapitull më vete në historinë e letërsisë shqipe, një monografi për letërsinë e krijuar nëpër burgje gjatë nga të burgosurit politikë shqiptarë.

Në vitin 2012 e publikoi monografinë e tretë shkencore Fishta dhe tradita letrare shqiptare, një prej librave më të plotë e më të thellë në studimet historike krahasimtare të letërsisë shqipe.
Në vitin 2012 publikoi në versionin digjital një variant të modifikuar të kësaj monografie, me titull Fishta dhe letërsia shqiptare e traditës.

Në vitin 2013 e publikoi edhe monografinë e katërt shkencore Tipologji dhe zhanër, në të cilin trajton aspektin zhanror të tekstit në përgjithësi, dhe të tekstit gazetar në veçanti.
Nga viti 2008 e këndej, prej kur Bajram Kosumi është profesor në Universitetin e Prishtinës ka publikuar dhe vazhdon të publikojë dhjetëra artikuj shkencorë nëpër revista të ndryshme shkencore kombëtare e ndërkombëtare./rajonipress/

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.