Mobi Casa

Kosovës s’i intereson Evropa

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Adriatik Kelmendi – Gati 30 për qind të votuesve evropianë janë kundër BE-së, rrjedhimisht kundër zgjerimit të saj, kundër lëvizjes së lirë, kundër hapjes së dyerve shteteve të tjera si dhe të imigrantëve. Kështu që Brukseli, nga e diela, mund të ketë lëvizur edhe një stacion më larg për Kosovën. E në Kosovë vazhdon në izolimin e vet fushata elektorale, me politikanë që sillen jo si të jenë në Evropë, por në ndonjë shtet të humbur të Afrikës.

ZGJEDHJET NË KOSOVË duket se kanë bërë që kosovarët si dhe përfaqësuesit e tyre politikë që po ua kërkojnë votën të mos e kenë fare vëmendjen e duhur për një palë zgjedhje të tjera që u mbajtën ditë më parë – ato për Parlamentin Evropian.
Megjithatë, rezultati i këtyre zgjedhjeve, do të mund të sjellë lëvizje shumë të mëdha në politikat e Bashkimit Evropian, të cilat gjithsesi do ta ndikojnë edhe Kosovën.

Vetë shtetet e BE-së e kanë quajtur “termet” rezultatin e zgjedhjeve që u mbajtën përgjatë katër ditëve në 28 shtete.
Votuesit evropianë, si asnjëherë deri më tash, zgjodhën të ua japin votën partive ekstreme nacionaliste, disa prej të cilave me politika radikale raciste, antiimigrim e anti-BE, aq sa cilësohen edhe si fashite e neo-naziste.

Në Francë dhe në Britani të Madhe – dy ish-shtete kolonialiste dhe shtete me numrin më të madh të imigrantëve – partitë ekstremiste kanë marrë përqindjen më të madhe të votave, duke i lënë pas partitë edhe partitë në pushtet.

Fronti Kombëtar i Mariene Le Pen në Francë ka fituar plot 25 për qind të votave, duke e bërë atë edhe kandidate potenciale për të fituar zgjedhjet presidenciale, teksa Partia e Pavarësisë e Britanisë së Madhe (UKIP) e Nigel Farage ka mbledhur 27.5 për qind të votave, duke bërë që në ishull tashmë katër subjekte politike të llogariten si “të mëdha”.

Njësoj rritje të votave për parti ekstreme ka pasur edhe në Greqi, ku “Agimi i Artë” që angazhohet edhe kundër shqiptarëve, ka fituar tri ulëse në Parlamentin Evropian. R rezultat të lartë kanë shënuar edhe partitë e ngjashme në Hungari, Danimarkë, Austri, Holandë, Finlandë, Itali, teksa një ulëse e ka marrë edhe në Gjermani për herë të parë Partia Nacional Demokratike, lideri i së cilës Udo Voigt e kishte quajtur Hitlerin “një njeri i madh” dhe ka për maksimë sintagmën shumë domethënëse “Mbushe gas”.

Të gjithë këto parti, të cilat tash llogaritet të mbajnë 229 nga 751 mandate në Parlamentin Evropian, kanë të përbashkët politikat kundër vetë Bashkimit Evropian si organizatë dhe kundër gjithçkaje që nuk është nga etnia kryesore e shtetit ku veprojnë.

Natyrisht, ato ende nuk e kanë shumicën për të bllokuar politikat e grupeve të tjera në parlament, por japin sinjale të qarta se BE-ja duhet të ndryshojë dhe se politikanët në shtetet të cilat e përbëjnë atë duhet të ndryshojnë.

Kjo ka bërë që liderët e shteteve të BE-së të takohen menjëherë me panik dhe të vendosin për aprovimin e një pakoje të masave që do të ndryshojnë organizatën në të ardhmen, sidomos sa i përket aspektit ekonomik dhe zgjerimit.

UBT

ÇKA DO TË thotë kjo? Parlamenti Evropian është një organizatë me kompetenca ende të kufizuara në BE, mirëpo tregon si cili është disponimi i votuesve të shteteve anëtare dhe se sa ata janë duke shikuar me sy kritik gjithçka që po bën Brukseli.

Tash, partitë konvencionale në shtetet evropiane të cilat kanë humbur terren në zgjedhjet evropiane, do të fillojnë të rishikojnë politikat e tyre kundrejt BE-së, zgjerimit, lirisë së lëvizjes, të drejtave të imigrantëve e pakicave etj. në mënyrë që t’i përshtaten kërkesave të votuesve të tyre. Në të kundërtën, droja është se në një të ardhme mund të humbin pushtetin kundrejt partive ekstremiste, gjë që do të çonte gjithë Evropën në një spirale të paparashikueshme politike.
Këto zhvillime, gjithsesi do të kenë ndikim edhe në shtetet që nuk janë anëtare të BE-së, e veçanërisht në Kosovë, si një vend me status sui generis në raport me Brukselin.

Duke qenë se Kosova është vendi i vetëm në Evropë, i cili nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së, si dhe e vetmja pa liberalizim vizash, procesi i integrimit dhe ai i lëvizjes së lirë vetëm sa mund të pritet të vështirësohet edhe më tej.

Deri më tash kemi dëgjuar shpesh zyrtarë të lartë të BE-së duke thënë se kriteret për secilin shtet të ri që aspiron të përfshihet në familjen evropiane shkojnë duke u vështirësuar meqë mësohen leksione nga shtetet e tjera që rishtas bëhen anëtare, si do të interpretohet tash rezultati i votuesve në Evropë?
Gati 30 për qind të votuesve evropianë janë kundër BE-së, rrjedhimisht kundër zgjerimit të saj, kundër lëvizjes së lirë, kundër hapjes së dyerve shteteve të tjera si dhe të imigrantëve.

Kështu që Brukseli, nga e diela, mund të ketë lëvizur edhe një stacion më larg për Kosovën.
Shto këtu edhe rreth 400 mijë shqiptarë të Kosovës, të cilët llogariten të jetojnë dhe veprojnë në shtete anëtare të BE-së, sa do t’u vështirësohet atyre mirëqenia nga rritja e popullaritetit të partive ekstremiste?

MIRËPO, NË KOSOVË shohim se fushata elektorale nuk përmban thuaja asnjë ide se si duhet t’i qaset Prishtina Brukselit. Subjektet politike po vazhdojnë të mjaftohen me sulme që gjithnjë po bëhen më të ulëta ndaj njëra-tjetrës, duke harruar se shumica e tyre kanë marrë përsipër tash e 15 vjet ta udhëheqin këtë vend, vend i cili vazhdon të jetë më i izoluari në Evropë.

Si do të duhej vepruar që të thyhet ky izolim? Si të sigurohet lëvizja e lirë? A duhet të rishikohet strategjia integruese? Çka nëse, p.sh. së shpejti do të shohim dëbim masiv të kosovarëve nga Franca e Britania, si masa të reja politike?

Këto pyetje indikojnë se politikanët kosovarë mbase do të duhej të ishin edhe më të shqetësuar me fenomenin e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian se sa vetë shtetet anëtare. Por, kanë vendosur që këtë çështje ta fshehin. Si duket është një matematikë e rëndë për ta dhe e mendojnë edhe shumë më të rëndë për votuesit e tyre. Së këndejmi kanë vendosur të mos shohin përtej.

Duke e ofenduar edhe një herë rëndë inteligjencën e qytetarit të Kosovës dhe duke kërkuar padinjitetshëm prej tyre që ta pranojnë se vendi i tyre është bira e fundit e kavallit.
[email protected]
Twitter: @adriatikk