Fundamenti

Kosovës i është ndalur ora

/ 9 minuta lexim
KKVITI

Askush nuk e kishte menduar se në 10-vjetorin e Pavarësisë Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, do ta presin në një shtet ku nuk ka sundim ligji dhe ku krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale po udhëheqin shtetin dhe çdo institucion të shtetit?

Ndaj njohësit e rrethanave politike dhe specialistët e kësaj fushe pyesin me të drejtë se si mund t’i gëzohet ndonjë qytetar festës së 10- vjetorit të pavarësisë së vendit, duke ditur se shteti në të cilin ata po jetojnë është një shtet ku politikanët e inkriminuar janë në krye të shtetit, ku mafio-oligarkët dhe kriminelët që vrasin dhe kanë vrarë janë mbi ligjin dhe nuk ka prokuror, gjyqtar dhe as polic që merret me ta. V

eç saj analistët thonë se si mund t’i gëzohen qytetarët festes së 10-vjetorit kur po luhen vetë themelet e shtetit dhe kur shtetet e Quint-it, për shkak të lojërave të pista të pushtetarëve tanë të inkriminuar, kërcënuan me pasoja të rënda në “procesin e integrimit ndërkombëtar dhe euroatlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë”? Ata pyesin se si mund t’i gëzohen qytetarët festës së 10-vjetorit kur për të çuar tutje seriozitetin e porosisë së shteteve të Quint-it SHBAja nuk i dha vizë kryeministrit Ramush Haradinaj?

Kuçi: 11-vjetori i pavarësisë asnjë nga të rinjtë nuk do t’i gjejë këtu

Analisti Gurqakuq Kuçi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se dhjetëvjetori i pavarësisë na gjen para një mjerimi të madh më shumë se përpara një gëzimi. “Jemi fajtorë të gjithë nga pak, e më së shumti ata që mashtruan, ata që u mashtruan dhe e lejuan veten të rimashtrohen. Demokracia jorastësisht bën zgjedhjet katërvjeçare, ndryshon politikanët. Populli në demokraci kërkon ndryshimin e politikanëve, kërkon njerëz që tregojnë aftësi intelektuale për të kuptuar zhvillimet dhe janë të ngritur. Në Kosovë realisht ka ndodhur diçka që edhe për bashkësinë ndërkombëtare është pritur të paktën me nuanca më të mira”, është shprehur ai.

Tutje ka shtuar: “Të shpëtosh një popull nga gjenocidi është një punë që jo shpeshherë ka arritur historia ta njohë sikur veprimin e vendeve anëtare të NATO-s. Dhe për një moment ne i kemi harruar të gjitha këto, u lejua që të mbretërojë egoja e liderëve guerilë afrikanë, të cilët luftojnë vetëm për luksin e tyre, pastaj nga një pjesë e madhe e popullit lejuan veten që të instrumentalizohen dhe ta shesin shpirtin e tyre tek uzurpokratët për gjëra pa vlerë, duke e shkatërruar edhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”.

Kuçi thekson se është e rëndë të thuhet po nëse një person ka pranuar të bëjë çdo gjë të mbrapshtë për një vend pune ose një përfitim material, le ta dijë mirë se po atë rrugë ia ka trasuar edhe fëmijës së tij dhe pushtetit uzurpokrat. “Jorastësisht sot nuk kemi shengen, kemi gjykatë speciale e kushte të forta, sepse BE-ja nuk dëshiron krim brenda vetes”, vlerëson analisti Kuçi. Ai beson se tashmë edhe BE-ja dhe SHBA-ja do t’u japin fund liderëve që janë thirrur në emër të stabiliokracisë dhe të lejojnë demokraci dhe zhvillim, ndryshe 11-vjetori i pavarësisë asnjë nga të rinjtë nuk do t’i gjejë këtu. “Kështu lind emigrimi ilegal drejt BE-së, bashkimi me grupe terroriste, krimi i organizuar, prostitucioni e gjëra të tjera dhe këto nuk lindin nga një shtet i së drejtës dhe normal”, është shprehur ai.

Burjani: Kemi nevojë për qeverisje të re

Eksperti i fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, theksoi për gazetën “Kosova Sot” se shteti ka nevojë për ndryshime esenciale demokratike, qeverisje të re, me një skenë të re politike, ngase është e pashmangshme kjo klasë politike problematike, e varfër në aspektin e vizionit për të ardhmen, si vizion kanë ofruar pasurimin e tyre përballë qytetarëve , zhvatjen e buxhetit dhe sundimin e ashpër ndaj qytetarëve.”Në zhargonin demokratik qytetarët janë përgjegjës për çfarë qeverisje kanë zgjedhur për t’i udhëhequr ata. Pra, kjo klasë politike në secilin hap thirren në legjitimacion demokratik, se kanë votën e qytetarëve, nëse qytetarët duan ndryshime vetë duhet të vetëdijesohen, në të kundërtën kjo politikë e përfitimeve i udhëheq ata”, është shprehur analisti Burjani për gazetën “Kosova Sot”.

Hidromorava

Burjani thotë se qytetarët kanë shumë arsye për të ndryshuar këtë klasë politike problematike. “Kjo klasë politike i ka sjell dhe po i sjell në vazhdimësi jo siguri, jo stabilitet, dëme ekonomike, izolim politik ndërkombëtar, presion etj.”, është shprehur ai. Analisti Arsim Haziri theksoi për “Kosova Sot” se fakti se nuk ka arsye për të festuar ndaj dekadës së shtetësisë sonë është mjaft i vërtetë e evident.”Këtë më shumë se çdo qytetar e vlerësim vendor e ndërkombëtar e pasqyron dhe flet realiteti aktual, pjesë e të cilit jemi ne. Shtetin mbi të gjitha e formësojnë serioziteti dhe sinqeriteti politik dhe moral”, është shprehur ai.

Ahmeti: Imazhi i shtetit të Kosovës pas pavarësisë po rrezikohet nga lidershipi

Analisti Hidajet Ahmeti theksoi për “Kosova Sot” se imazhi i shtetit të Kosovës në këto vitet e passhpalljes së pavarësisë është duke u rrezikuar seriozisht nga lidershipi qeveritar, për shkak të dështimit të vazhdueshëm në luftimin e krimit dhe korrupsionit. “Ka qenë utopike të mendohet se mbas 10 viteve shtetësi Kosovën ta presë një gjendje e rëndë socioekonomike, papunësi enorme, rrezikim të substancës së shtetësisë, por edhe si shtet i renditur në mesin e shteteve të dështuara nga brenda dhe jashtë. Kosova si shtet në tranzicion më shumë së kurrë ka nevojë për një ndryshim substancial në sistemin e drejtësisë, por ky ndryshim nuk mund të bëhet me njerëz matrapazë të politikës,joprofesionistë, analfabetë e njerëz pa ideale e parime”.

Ai theksoi se qytetarët e Kosovës kanë besuar se me Pavarësinë e Kosovës dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë do të dalin nga kthetrat e vuajtjeve, maltretimeve, dhunës sistematike shekullore dhe nuk kanë besuar se rreziku të vjen nga brenda dhe pikërisht njerëzit e tyre.”Pushtetet autoritare për këto vite treguan dhëmbët e tyre, duke shantazhuar, kërcënuar, linçuar e sabotuar ata të cilët menduan ndryshe. Mjerimi socio-ekonomik, korrupsioni, krimi organizuar, nepotizmi, klientelizmi pësuan rritje. Si pasojë e mjerimit socio-ekonomik e lëshuan Kosovën mijëra qytetarë”, është shprehur ai. Shtoi se Serbia u fuqizua edhe më shumë brenda Republikës së Kosovës.

Ahmeti thotë se entuziazmi që ishte në vitin 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës çdo ditë e më shumë e humbi kuptimin, pikërisht nga klasa udhëheqëse e pa përgjegjshme dhe e pandërgjegjshme. “Pas 10 viteve shtet, Republika e Kosovës nuk është në funksion të mirëqenies qytetare dhe konsolidimin e shtetit, pasi që klasa politike udhëheqëse përdori çdo mekanizëm të shtetit për interesa personale, klienteliste e nopotiste. Republika e Kosovës për këto 10 vite shtet nuk i futi në funksion as dorën e majtë për mirëqenie, shëndetësi, ekonomi, por as dorën e djathë për prokurori, ushtri, gjyqësi e polici. Dora e djathtë u shfrytëzua vetëm për favore të klasës politike udhëheqëse, korrupsion, nepotizëm, vjedhje përmes rrugëve ligjore, biznese fiktive për t’u pasuar përmes tenderëve korruptivë, kurse dora e djathtë u shfrytëzua për t’u shërbyer atyre në keqpërdorimet, krimin, korrupsionin dhe degradimin institucional”, është shprehur ai.

Kadrijaj: Ëndrra nuk zgjati shumë

Analisti Mustafë Kadrijaj për “Kosova Sot” theksoi se në vitet e para të pavarë- sisë në njëfarë mënyre Kosova filloi për së mbari rrugëtimin dhe konsolidimin si shtet me një rritje stabile, me njohje rekorde, me një përkrahje të parezervë të miqve ndërkombëtare.”Por kjo ëndërr nuk zgjati shumë. Që nga viti i 2014, Kosovës iu ndal ora, duke krijuar një ngërç politik, i cili la pasoja të pariparueshme, si politike dhe ekonomike, duke u pasuar me ikjen mbi 100 mijë qytetarëve nga Kosova”, është shprehur ai. Shton se pesë vitet e fundit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës me veprimet kryeneçe dhe me interesat e tyre të pangopshme dëmtuan aq shumë perspektivën e Kosovës, saqë edhe miqtë më të besueshëm i kanë vendosur pikëpyetje të ardhmes së Kosovës si rezultat i qeverisjeve të korruptuara dhe kriminale po ashtu edhe me parti opozitare, siç është ‘Vetëvendosje’, e cila në emër të kauzës më shumë i ka bërë dëme Kosovës me veprime radikale tipike si parti majtiste sesa që ka ndihmuar. Ai shton se si rezultat i saj sot kemi një ekonomi të dështuar, kemi një politikë të dështuar, kemi parti të korruptuara.

(Kosova Sot)