Kosovës i duhet një Falkone për të goditur krimin dhe korrupsionin
Sistemi i drejtësisë edhe për një kohë të gjatë nuk do të funksionojë sipas ligjit dhe do të mbesë nën ndikimin e politikës dhe grupeve të interesit. Kështu kanë thënë analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë.
“Është imediate për sistemin e drejtësisë VETTING-u, sidomos në prokurori e gjyqësor, mbase dhe me detyrim ndërkombëtar, që t’u kërkojë institucioneve të drejtësisë dhe politikës që, sidomos në vitin 2018, ta bëjnë Ligjin për Vetting-un, sepse është e vetmja mundësi dhe imanente për dekriminalizimin e plotë të të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i drejtësisë së tejdegraduar, pastaj edhe në institucionet tjera”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmend
Sistemi i drejtësisë edhe për një kohë të gjatë nuk do të funksionojë sipas ligjit dhe do të mbesë nën ndikimin e politikës dhe grupeve të interesit. Kështu kanë thënë analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë.
Sipas tyre, kjo është një ‘porosi’ se sistemi i drejtësisë në Kosovë do të jetë tërësisht në duart e politikës së inkriminuar dhe nëntokës kriminale dhe politika do të vendosë kur do të hapen rastet, ndaj kujt, sa do të zgjasin hetimet dhe prokurorët, gjyqtarët e policia, të cilët duhet t’i raportojnë presidentit, kryeministrit e kryeparlamentarit në kundërshtim dhe në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës. Kjo bëhet pikërisht pasi mungon vullneti i institucioneve shtetërore, në radhë të parë i vetë atyre që janë të thirrur të mbrojnë kushtetutshmërinë, rendin dhe zbatueshmërinë e ligjit në vend. Sipas tyre, tërësisht sistemi i drejtësisë në vend është i kapur nga politika dhe nëntoka, duke emëruar ekskluzivisht njerëzit e tyre si policë, prokurorë dhe gjykatës, të emëruar, tipik si në stilin e aferës ‘Pronto’. Prandaj, ky ndikim po i mbron pushtetarët nga prokurorët, gjyqtarët dhe policët, të cilët realisht po i amnistojnë nga çdo ndjekje apo gjykim që mund t’iu bëhet atyre. Një situatë të tillë për njohësit e zhvillimeve të drejtësisë në vend dhe analistët po krijojnë për një proces të Vetting-ut, duke u parë si i vetmi shpëtim për ta pastruar sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit, shantazhuesit dhe penguesit e sistemit të drejtësisë. Meqë, sipas tyre, VETTING-u do të sillte një pastrim si në polici, prokurori e gjykata,duke e zhbllokuar funksionimin këtyre organeve nga të ata, për të cilët është thënë se po e pengojnë qëllimisht zbatueshmërinë e ligjit dhe ndjekjen ligjërisht të atyre që po zhvatim buxhetin e shtetit, duke marrë si shembull edhe rastin e prokurorit të dorëhequr Blakaj, mbi të cilin tashmë është konfirmuar se është bërë presion nga zyrtarët e lartë të prokurorisë dhe politikës për të mos e kryer detyrën e tij.
ISLAMI:KOSOVËS I DUHET NJË XHOVANI FALKONE!
Ndërsa analisti Avni Islami, duke folur rreth zhvillimeve në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, ka thënë për “Kosova Sot” se rasti i prokurorit Blakaj tregoi kapjen e sistemit të drejtësisë dhe ndërhyrjen e politikës në të. Sipas tij, vendit i duhen prokurorë që kryejnë detyrën sipas ligjit, sepse shteti mbrohet vetëm nga prokurorët e gjyqtarët e aftë dhe të guximshëm. Islami thotë se Blakaj është dashur të ishte një Xhovani Falkone i Kosovës, duke shtuar se ne si shoqëri jemi të bindur se shteti i Kosovës ka nevojë për një prokuror të tillë, i cili i “kap për veshi” të gjithë ata që janë të dyshuar se janë pjesë e kriminalitetit të “jakës së bardhë”. “Shteti mbrohet nga prokurorët dhe gjykatësit e jo nga politikanët, të cilët e etiketuan Elezin si “pishpirik”, “hajn i pulave”, “tradhtar” etj. Ai është heroi im në paqe. Jam i bindur se ka edhe shumë të tjerë dhe pse të paktë që janë të pakorruptuar, por të shantazhuar. Elez Blakaj, ktheu e lufto kriminelët e matrapazët, popullin e ke me veti”, ka pohuar analist Avni Islami për “Kosova Sot”.
Burjani: “Kjo do të vazhdojë kështu përderisa nuk fiton demokracia, meqë vendosja e pushtetit anarkik ka sjellë drejtësi jo të barabartë dhe selektive. Ligjet i kapin të gjithë që kanë fuqi politike. Politika e dëmshme dhe kriminale i ka bërë shumë probleme shtetit, të cilin e kanë shndërruar në përfitim, përderisa qytetarin e ka shndërruar në varfanjak. Politikanët e kanë dhënë recetën për të bërë gjithçka për vete, ndërsa qytetarët mezi mbijetojnë me një ekonomi të varfër. E keqja ka fituar”, është shprehur analisti Blerim Burjani për gazetën “Kosova Sot”
KELMENDI: DERISA INSTITUCIONET E DREJTËSISË SFIDOHEN NGA KAPJA E POLITIKËS SË INKRIMINUAR DHE KORRUPSIONIT, NUK MUND TË KETË REND DHE SUNDIM TË LIGJIT!
Analisti Naim Kelmendi ka pohuar për “Kosova Sot” se për ta shpëtuar sistemin e drejtësisë nga degradimi i mëtejmë, po ashtu për ta pastruar nga prokurorët e gjyqtarët e korruptuar, duhet ndërruar leva e politikës së inkriminuar dhe pushtetarëve me dosje të krimit. Ai shton se lëndët me vite zvarriten pa u gjykuar fare dhe kësisoj, sipas tij, vetëm një Vetting i mirëfilltë mbetet domosdoja e këtij procesi dhe atë me mbikëqyrjen ndërkombëtare, qoftë nga SHBA-ja, Anglia e Gjermania. Kelmendi ka shtuar se për të dhënë rezultatet e veta nevojitet ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë gjyqësor e prokurorial që të vijnë prokurorë e gjyqtarë të aftë me etikë profesionale dhe të përgjegjshëm në punën dhe detyrat ligjore kundrejt përgjegjësive ligjore dhe të së drejtës.”Është imediate për sistemin e drejtësisë vetting-u, sidomos në prokurori e gjyqësor, mbase dhe me detyrim ndërkombëtar që t’u kërkojë institucioneve të drejtësisë dhe politikës, që sidomos në vitin 2018 ta bëjnë Ligjin për Vetting-un, sepse është e vetmja mundësi dhe imanente për dekriminalizimin e plotë të të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i drejtësisë së tejdegraduar, pastaj edhe në institucionet e tjera”, ka pohuar Kelmendi. Sipas Kelmendit, në shtetin që nuk sundojnë ligji dhe e drejta mungon edhe perspektiva e zhvillimit ekonomik. “Derisa institucionet e drejtësisë sfidohen nga kapja e politikës së inkriminuar dhe korrupsionit, nuk mund të ketë rend dhe sundim të ligjit, ngase edhe më tutje në institucionet e shtetit po sundojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni, që janë bërë gangrenë e shoqërisë së pasluftës. Pashmangshëm dhe detyrimisht duhet pastrimi i politikës së inkriminuar dhe drejtësisë kosovare nga strukturat e kriminalizuara dhe gjithashtu luftimi i pakompromis i rrjeteve kriminale që kanë kapur shtetin dhe institucionet”, ka potencuar analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.
Burjani: Politika e dëmshme dhe kriminale i ka bërë shumë probleme shtetit
Analisti Blerim Burjani, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se nuk do të ketë drejtësi në Kosovë përderisa drejtësia dhe shteti janë të kapur, meqë sipas tij drejtësia e kapur nuk garanton asgjë, që do të thotë se nuk ka ndjekje penale apo ka procese që zgjatin shumë dhe në fund mbeten të lirë të korruptuarit dhe të inkriminuarit.”Kjo do të vazhdojë kështu përderisa nuk fiton demokracia, meqë vendosja e pushtetit anarkik ka sjellë drejtësi jo të barabartë dhe selektive. Ligjet i kapin të gjithë që kanë fuqi politike. Politika e dëmshme dhe kriminale i ka bërë shumë probleme shtetit, të cilin e kanë shndërruar në përfitim, përderisa qytetarin e ka shndërruar në varfanjak”, ka pohuar ai. Sipas tij, politikanët ia kanë dhënë recetën për të bërë gjithçka për vete, ndërsa qytetarët mezi mbijetojnë me një ekonomi të varfër. Shton se e keqja ka fituar.
(Kosova Sot)


