RCCOLA

Kosovën po e lëshon i madh e i vogël dhe jo vetëm mjekët

/ 4 minuta lexim

Nga Sinan Sadiku – Po të ishte e vërtetë se Kosovën po e lëshojnë vetëm mjekët ( siç po gënjejnë disa grupe të instrumentalizuara të interesit), gjendja nuk do të ishte alarmante, sepse me një vendim të qeverisë për rritje të pagave do të ndalej shpërngulja. E vërteta është se Kosovën po e lëshojnë përveç mjekëve edhe inxhinierët, juristët, sociologët, profesorët, salduesit, muratorët, instaluesit e ujit, automekanikët, molerët, kamarierët, bujqit… e besa edhe pastruesit.

Kosovën po e lëshojnë të rinjtë, familjet me gjithë fëmijë. Kosovën po e lëshon i madh e i vogël dhe këtë gjendje alarmante është shumë lehtë për ta verifikuar.

Shkaku kryesor pse njerëzit po ikin nga Kosova është shpërndarja jo e drejtë e pasurisë kombëtare e cila po nxit hajni, dallavere, pakënaqësi, duke krijuar krizë në sistemin e vlerave, krizë morale. Pra nuk po ka pagë të njëjtë për punë të njëjtë, siç do të duhej të ishte. Favorizimi i kategorive të ndryshme, rritja e pagave pa bërë asnjë analizë, deri tani nuk ka sjell asnjë rezultat në asnjë fushë.

Favorizimi i punëtorëve të arsimit nga qeveria Thaçi nuk e ka përmirësuar gjendjen në arsim, përkundrazi gjendja ka ardhur duke u përkeqësuar gjithnjë. Njësoj ka ngjarë edhe me sistemin gjyqësor dhe prokurorial, ku favorizimi i gjykatësve dhe prokurorëve ka arrit në përmasa absurdi. Madje edhe daktilografet të cilat punojnë nëpër gjykata dhe prokurori, e që shpesh nuk dinë ta formulojnë asnjë fjali siç duhet, paguhen sa udhëheqësit e sektorëve në shërbimin civil! Kosova nuk ka çka tenton të bëhet më e mençur se të tjerët, nuk ka asgjë për t`u zbuluar këtu , vetëm duhet pak etikë, pak patriotizëm që sa ju përket pagave të paktën të jemi në nivelin e rajonit dhe të mos bëhen favorizime e diskriminime krejtësisht joparimore dhe do të kisha thënë edhe amorale. Sa i përket projektligjit mbi pagat e tha edhe FMN se ai ligj nuk parasheh pagë të njëjtë për punë të njëjte.

Favorizimi i mjekëve dhe i disa kategorive të tjera me ligjin mbi pagat që pritet të miratohet nuk do ta ndalë zbrazjen e Kosovës, përkundrazi favorizimet dhe diskriminimet e nxisin edhe më shumë atë. Po shihet që njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj padrejtësive.

UBT

Mjekët duhet ta marrin një pagë dinjitoze për aq sa ka mundësi Kosova, siç duhet ta marrin edhe kategoritë e tjera, pa diskriminime, ndërsa në shëndetësi duhet të punohet shumë në mënyrë që tu krijohet hapësirë për punë atyre që punojnë, të krijohet rend, rregull dhe të shpërblehet punëtori, por edhe të ndëshkohet ai që nuk punon sikurse duhet të ngjajë edhe në çdo fushë tjetër.

Shëndetësia i ka edhe disa nevoja urgjente plotësimi i të cilave ju krijon hapësirë motivuese për punë mjekëve. E kam parasysh faktin se tani mjekët nuk kanë kompjuterë derisa në disa shërbime të tjera shpesh ka tepricë kompjuterësh. Pastaj në spitale gati gjithnjë mungojnë gjilpërat, shpricat, fashat… thjeshtë mungojnë gjërat elementare.

Gjendja në shëndetësinë e Kosovës është e keqe sikurse edhe në shumë fusha të tjera. Ajo nuk do të rregullohet me favorizimin e mjekëve sa ju përket pagave, përkundrazi.

Andaj edhe tani kemi raste kur vetë mjekët ikin nga Kosova sepse ata ose familja e tyre nuk kanë ku mjekohen në Kosovë. Pra nëse nuk rregullohet gjendja në Kosovë, duke e përfshi edhe shëndetësinë, do të vazhdojnë të ikin edhe mjekët bashkë me gjithë të tjerët./rajonipress/