GRANDEMALL

Kosovë: Sundimi i ligjit nuk ekziston

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Një dosje kritike i është kushtuar tërësisht çështjes së Kosovës nga revista frankofone L’Hebdo. Albinfo.ch ka bërë një përmbledhje nga kjo dosje.

Është zhgënjyese, madje “jashtëzakonisht zhgënjyese”, thotë Albin Kurti. Pesë vjet pas pavarësisë së saj, Kosova, ose “kantoni i 27-të”, siç është quajtur nganjëherë në Zvicër, ku disa prej 200.000 qytetarëve të saj jetojnë, vazhdon të mos lëvizë. Për kreun e Lëvizjes VETËVENDOSJE, partisë opozitare, “Kosova është një shtet i brishtë, nën përkujdesjen e bashkësisë ndërkombëtare”.

Një shtet i brishtë që shfaqet kryesisht i pafuqishëm në luftën kundër korrupsionit: bashkë me Shqipërinë, Kosova është studenti më i lig në këtë fushë, sipas treguesve (indikatorëve) të OJQ-së Transparency International. Kosova po feston pesë vjet të pavarësisë së saj dhe është shumë krenare për këtë rilindje, “New Born”, një skulpturë e madhe në qendër të Prishtinës, deklaron duke shfaqur të gjithë flamujt e vendeve që e kanë njohur sovranitetin e saj. Por, sapo shuhen brohoritjet e hareshme, një dhimbje koke të kaplon!

Qytetarët kosovarë kapen nga realiteti i ashpër: pavarësisht nga një rritje prej 5% vitet e fundit, PBB-ja nuk i kalon 4.200 dollarë në banorë; papunësia i prek 45% të popullatës, dhe sa i përket bilancit tregtar ka deficit në mënyrë dramatike me vëllimin e importit, të cilat janë rreth dhjetë herë më të larta se eksportet.

Sipas shifrave të Bankës Botërore, 45% e popullsisë jeton me dy dollarë në ditë dhe madje edhe 18% me një dollar të vetëm. Edhe pse këto të dhëna duhet të merren me distancë për shkak të ekzistencës së një ekonomie të rëndësishme jozyrtare, Kosova mbetet një ishull i varfërisë në mes të Evropës. “Ne vetëm po hamë, dhe nuk prodhojmë asgjë”, thotë Sami Kurtesh, Avokat i Popullit që nga viti 2009.

I emëruar nga Parlamenti për një periudhë prej pesë vjetësh, Sami Kurteshi përmbledh ankesat e njerëzve në një ndërtesë të vogël në një lagje të Prishtinës”. Kurteshi ka për detyrë të ndërhyjë për të ndriçuar disa çështje të fundosura në qarqet e burokracisë dërrmuese, e cila plasarit vazhdimisht administratën.

Shumë i prekur gjatë dy qëndrimeve të gjata në Zvicër, Sami Kurteshi mundohet të gjejë vlerat me të cilat ishte mësuar në Zvicër. “Përpiqem të përcjell kulturën e ligjit si dhe të punës”, thekson ai. Për Kosovën, Zvicra është një mit, një shtet i ëndërruar, për të cilin një shekull më parë ka shkruar edhe shkrimtari shqiptar, Sami Frashëri. Ndërmjetësuesi nuk e fsheh luftën e tij të vështirë të përditshme në një vend ku elita jeton e shkëputur tërësisht nga realiteti. “Politikanët dhe zyrtarët udhëtojnë me xhipa të zinj, të shoqëruar me truproja, sikurse ata kanë frikë prej popullit të tyre”, thotë Sami Kurteshi me keqardhje. Gjë e paimagjinueshme për z. Kurteshin, i cili dikur kishte takuar Këshilltaren federale Ruth Dreifuss në sheshin “Federal” të Bernës!

Një shtet që jeton me injeksione dhe infuzione. Pesë vjet pas pavarësisë së saj, Kosova është larg modelit zviceran. Kosova mbetet një vend nën perfuzionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe të diasporës së saj.

BE-ja i përkushton misionin më të madh të menaxhimit civil. Nën flamurin e EULEX-it ajo punëson rreth 2.500 veta për të mbështetur tranzicionin drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Që nga viti 1999 ajo ka investuar 4’200’000’000 €, edhe pse një pjesë e madhe e kësaj shume është harxhuar për pagat e stafit.

Sa për diasporën, ajo vazhdon të mbështesë familjet e mbetura në vend. Afro 800.000 kosovarë jetojnë jashtë vendit, duke përfshirë rreth 200.000 në Zvicër. Çdo vit ata paguajnë 500-600.000.000 euro (ose 12% e PBB-së), një shumë që nuk është pa efekte anësore negative. Një studim tregon se familjet e ndihmuara kanë më pak gjasa për të gjetur punë se të tjerat.

Kështu që shumë njerëz bëjnë çdo përpjekje që është e mundur për të udhëhequr hapat e parë të shtetit të sapolindur. Rruga është ende e gjatë, siç dëshmohet nga indeksi i perceptimit të korrupsionit të Transparency International të OJQ-së. Kosova është në vendin e 105-të (me një indeks prej 34 nga 100). Në luftën kundër kësaj dukurie, ajo bashkë me Shqipërinë del nxënësi më i keq në kontinentin evropian. “Është e sigurt se një nivel i tillë i korrupsionit frikëson shumë investitorët e huaj, të cilët heqin dorë nga investimet në Kosovë”, thekson Hilmi Asllani, drejtor i firmës aktive në informatikë në Kosovë (shih shkrimin e mëposhtëm). Në këtë kontekst, pra, mund të themi se evropianët kanë trashëguar një detyrë përbuzëse. Ata merren me rastet më të rënda bashkë me prokurorët vendës. Këta prokurorë të vendit nuk fitojnë më shumë se 500 euro në muaj, edhe pse janë pre e presioneve politike, në të cilën është vështirë të rezistohet. EULEX-i tashmë ka nxjerrë 37 vendime dhe do të hapë 44 udhëzime. Vendimi më i fundit në lidhje me urologun dhe shefin e klinikës, Lufti Dervishin, i cili u dënua me tetë vjet burgim për angazhimin e tij me disa bashkëpunëtorë në transplantimin e paligjshëm të organeve.

”Peshqit e mëdhenj”

Në mesin e atyre që janë paditur janë edhe disa “peshq të mëdhenj”, si ish-kreu i Antikorrupsionit i Task forcës, Nazmi Mustafi! Por, njeriu më i diskutueshëm në vend mbetet Fatmir Limaj, ish-ministër i Transportit, i akuzuar për krime të luftës dhe korrupsion. Gjykata dyshon se ai ka manipuluar procedurat e tenderëve për ndërtimin e rrugëve. Thuhet se ai dhe disa bashkë të pandehur kanë shpërndarë dhe kanë marrë ryshfete për disa milionë euro. Kryeministri Hashim Thaçi ka shkarkuar qeverinë e tij në vitin 2010. Punët publike në terren përbëjnë sektorët kryesorë të politikanëve. Më i madhi i tyre është ndërtimi i një autostrade ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, e cila do të kushtojë një miliard euro. Një investim faraonik që barazohet me pothuajse dy të tretat e buxhetit operativ të shtetit! Është konsorciumi amerikano-turk “Bechtel Enka”, e cili fitoi tenderin. Por, asgjë nuk është e qartë në kontratën që nënshkroi me Ministrinë e Transportit. Një kontratë që partia opozitare Lëvizja VETËVENDOSJE e ka marrë nën kushtin e anonimitetit dhe e ka botuar në internet.

Uji Dea

E papritur: As rruga përfundimtare e autostradës apo çmimi total i punës nuk janë të përfshira! Kosova është e bllokuar në një projekt djallëzor financar në momentin ku ajo fillon punime të mëdha në marshin e infrastrukturës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMI) dhe Banka Botërore janë të gatshme për t’i huazuar të hollat, por ata kërkojnë garanci financiare. Kjo shtyn qeverinë të shesë potencialët e saj më të bukura nëpërmes procesit të privatizimit të agjencive të saj publike. Privatizime që vrasin sundimin e ligjit. Më 12 prill shteti ka shitur 75% të kapitalit aksionar të PTK-së për një shumë të vogël prej 277 milionë eurosh. Operacioni është bërë pas një procesi të gjatë me plot ndërprerje si dhe ringjalljeje për shkaqe shumë të errëta.

Blerësi fatlum është një kompani e errët gjermane me seli në Hamburg, Axos Capital Partners, në bashkëpunim me një konsorcium amerikan. “Është e papranueshme shitja me një çmim kaq të ulët e një kompanie me një milion konsumatorë. Ekspertët vlerësojnë se çmimi i vërtetë gjendët në mes 600 dhe 700 milionë eurosh të paktën”, proteston edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, një përfaqësues i PDK-së, partisë në pushtet.

Lideri i opozitës, Albin Kurti, gjithashtu denoncon privatizimin e dështuar. “Gjithkush mendon se ne jemi duke luftuar kundër korrupsionit falë kalimit në sundimin e ligjit. Por, në fakt, këto dy forca janë duke luftuar dhe në fund, privatizimi vret sundimin e ligjit”. Kjo do të thotë se raporti i parë i Kosovës së pavarur është shumë i zbehtë .OJQ-ja Çohu hedh akuza të ashpra kundër qeverisë. “Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi punon si një organizatë kriminale. Ai dhe vëllezërit e tij kontrollojnë tregjet publike më të rëndësishme”, thotë zëdhënësi i saj, Avni Zogiani. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit, organizata Çohu ka analizuar 500 oferta. “Më shumë se 100 milionë punime u janë dhënë kompanive që mbështesin partinë qeverisëse”, pohon ai.

Akuza pa dyshim që vështirë mund të verifikohen. Por, megjithatë, çdo gjë nuk është edhe aq e zezë. “Kosova ka nganjëherë ligje të shkëlqyera, që përputhen saktësisht me standardet evropiane”, thekson Elena Gudeleviq, një nga zëdhënëset e EULEX-it. “Por këto ligje nuk janë zbatuar gjithmonë”, thekson ajo menjëherë. Në aspektin e financimit të partive politike, ligji parashikon në letër një transparencë më të madhe se në Zvicër: ajo kërkon që partitë të publikojnë llogaritë e tyre të fushatës.

Fundi i të paprekurve

Në Kosovë çdo gjë është për t’u ndërtuar a rindërtuar. Kjo sipërfaqe prej 11.000 km2 – një e katërta e Zvicrës – ka qenë e shkatërruar nga një luftë e tmerrshme, e cila ka lënë gjurmët e saj. “Gjithçka u shkatërrua në vitin 1999. Më parë, të gjitha shkollat u mbyllën për tetë vjet. Neve tani na duhet kohë, mirëkuptim si dhe mendim kritik”, thekson drejtori i Institutit zviceran për Studime Shqiptare.

Mësuesi i kantonit të Vaud-it, i cili përkthen autorë të Zvicrës frankofone në gjuhën shqipe, vëren një përparim të pamohueshëm në vendosjen e sundimit të ligjit. “Hetimet kundër disa ish-ministrave janë një shenjë e mirë. Janë një shenjë se të paprekshmit janë bërë të prekshëm”, thotë ai.

Ngritja e Kosovës sigurisht se kalon nëpërmes diasporës së saj, e cila mundohet çdo muaj të ndihmojë të afërmit e dëshpëruar kur shohin që vendi po ngec në varfëri.

Deri tani, qeveria ka mbajtur diasporën jashtë politikës, duke parë në të një burim të të ardhurave, por asgjë më shumë. Megjithatë, diaspora është shumë më tepër, sepse emigrantët e gjeneratës së dytë ose e brezit të tretë kanë pikërisht ekspertizë profesionale dhe vlera demokratike që mungojnë tmerrësisht në Kosovë. Zvicra kryen në këtë drejtim një punë të shquar nëpërmes Drejtorisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Me një buxhet prej 88 milionë frangash për vitet 2013-2016, Zvicra zë vendin e katërt të kontribuesve më të mëdhenj në Kosovë, ajo mbulon fusha të gjëra të aktiviteteve, duke filluar nga qeverisja e mirë deri në çështjen e shëndetit. Ajo ka mbështetur në veçanti Ministrinë e Drejtësisë në formimin e 69 noterëve. Ajo tani mbikëqyr një projekt të madh prej 2. 4 milionësh për të përmirësuar bashkëpunimin e autoriteteve të Kosovës me diasporën e saj. “Duhet të zhvillojmë një dialog të mirëfilltë mes autoriteteve dhe diasporës”, tregon Elbasan Morina, udhëheqës i projektit. Kjo do mund të bëhej me përfaqësimin e saj në parlament, e cila aktualisht ka 120 vende, duke përfshirë 20 për të gjitha pakicat e saj. “Ajo do duhej të rezervojë dhjetë vende për diasporën”, thekson ai. Qeveria duhet të shfrytëzojë këtë mundësi, e cila tashmë ka krijuar një Ministri për Diasporën.

Michel Guillaume, gazetar, L’Hebdo. Përkthimi: Vjosa GërvallaYour text to link…

Your text to link…

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.