Fundamenti

Kosovarja padit burrin se e ka trajtuar si skllave – Gjykata Federale i jep të drejtë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Ajo thotë se është trajtuar si “skllave”. Madje edhe për të telefonuar ajo është dashur të merrte lejen e bashkëshortit.

Gjykata Federale e Zvicrës me një vendim të saj parimor i ka dhënë të drejtë një gruaje nga Kosova, e cila ishte ankuar se është mbajtur si skllave nga bashkëshorti i saj, një shtetas serb me fe myslimane, me qëndrim të përhershëm në Zvicër (vizën C).

Tash u mbetet autoriteteve gjyqësore të St. Gallenit, ku ka ndodhur rasti, që të sqarojnë më në detaje nëse ka ndodhur ajo që pretendon gruaja, pra nëse ajo është mbajtur e mbyllur në kushte skllavërie nga i shoqi. Gjykata Federale po ashtu ka konstatuar se kosovares, pas ndarjes nga bashkëshorti i është mohuar tepër shpejt vazhdimi i lejes së qëndrimit në Zvicër.

Sipas ligjit, bashkëshortë/et me shtetësi të huaj që martohen me persona që në Zvicër kanë vizën C, kanë të drejtë të fitojnë lejen e përkohshme të qëndrimit (vizën B). Në rast se lidhja martesore dështon pa i mbushur tre vjet, sipas rregullit, bashkëshorti-ja duhet të lëshojë Zvicrën. Përjashtimisht, si bazë e re për qëndrim mund të pranohet ekszistimi i një “arsyeje të rëndësishme personale”.

Raste të tilla konsiderohen ato kur një grua bëhet objekt i ushtrimit të dhunës fizike ose psikike nga bashkëshorti. Rasti i kosovares përputhet me këtë përshkrim.

Çifti është ndarë rreth një vit e gjysmë pas ardhjes së gruas në Zvicër. Për këtë arsye, autoritetet e St. Gallenit ia ksihin mohuar asaj vazhdimin e lejes së qëndrimit. Ajo kishte pohuar se ka qenë viktimë e dhunës familjare. Martesa në mes tryre ishte tradicionale islamike dhe është zhvilluar sipas rregullave të ashpra patriarkale.

Uji Dea

Ajo është trajtuar si një “shërbëtore” ose si një “skllave” dhe nuk ka mundur të ndiqte as kurse të gjuhës ose të integrimit dhe as të kërkonte punë jashtë shtëpisë. Madje edhe për të telefonuar ajo është dashur të merrte lejen e bashkëshortit. Nga shtëpia ka mundur të dalë vetëm në shoqëri të vjehrrës.

Autoritetet e St. Gallenit nga ana tjetër kanë thënë se bashkëshorti nuk ka kryer vepër të dënueshme ndaj saj dhe asnjëherë nuk e ka izoluar bashkëshorten e tij, as nuk e ka rrahur. Kufizimet që kanë ndodhur, përkojnë me atë që është e zakonshme në një martesë tradicionale islamike dhe për këtë arsye gruaja është dashur të ketë qenë e vetëdishme para martesës, ishte arsyetimi i autoriteteve.

Mirëpo Gjykata Federale në vendimin e saj të ri e ka miratuar ankesën e gruas dhe e ka kaluar lëndën në rigjykim në St. Gallen. Sipas gjykatës në fjalë, dhuna psikike mund të ekzistojë edhe atëherë kur bashkëshorti nuk bën ndonjë vepër të dënueshme.

Për këtë arsye gjyqësia në St. Gallen duhet të sqarojë në mënyrë më të thelluar nëse gruaja është mbajtur me detyrim dhe kundër vullnetit të saj në një pozitë poshtëruese, të refuzuar nga ajo, të një skllaveje dhe nëse kundërshtimi i saj ka shkaktuar prishjen e kurorës.

Më tutje sipas gjykatës duhet të hetohet nëse gruas, tashmë të shkurorëzuar, i vështirësohet kthimi në vendlindje. Nëse kjo qëndron, atëherë asaj duhet t`i vazhdohet leja e qëndrimit në Zvicër.