Uji Dea

Kosovari i dëbuar nga Zvicra erdhi ilegalisht për t`ia uruar djalit ditëlindjen

/ 5 minuta lexim

Pasi një kosovar 35-vjeçar ishte dëbuar nga Zvicra dhe atij i ishte ndaluar çdo hyrje në vend, ai sërish është kthyer. Kësaj here jo nga pakujdesia, por vetëm ka dashur t`ia urojë djalit të tij ditëlindjen, shkruan “Limmattaler Zeitung”. Historia e kosovarit 35-vjeçar, i cili të mërkurën është paraqitur para Gjykatës rajonale në Dietikon, ka filluar me rrëfimin e tij se në Zvicër kishte ardhur që në moshën gjashtëvjeçare, në kuadër të bashkimit familjar. Babai i tij jetonte dhe punonte për më shumë se dhjetë vite në Zvicër.

Djali përfundoi një kurs gjerman, vijoi mësimet në klasën e tretë të shkollës fillore dhe dukej i integruar mirë në komunitetin e tij të banimit, në Rontal. Kosovari i ri luajti në një klub futbolli, disa vite më vonë u angazhua si anëtar i njësisë zjarrfikëse lokale dhe është vlerësuar nga punëdhënësi i tij.

Por, pastaj papritmas hasi në miq të gabuar përreth, siç i tha ai të mërkurën gjykatësit individual, Bruno Amacker. Dhe me këtë rreth të ri miqsh, kosovari mori rrugën e gabuar. Një aksident me makinë dhe një lëndim trupor i pakujdesshëm janë vetëm disa nga deliktet e tij, informon Albinfo.ch.

Në vitin 2014, Zyra e Migracionit e Kantonit të Lucernit ia tërhoqi lejeqëndrimin. Përpos kësaj, Zyra Federale për Migracion ia shqiptoi një ndalesë në territorin e Zvicrës , duke filluar prej 25 shkurt 2014, e deri më 24 shkurt 2019. Kosovari, aktualisht 30-vjeçar, është dashur të kthehet në Kosovë. Dy djemtë e tij, më i madhi i lindur në vitin 2010, qëndruan me ish-gruan e tij në Zvicër.

Në Kosovë, ai iu bashkua xhaxhait, por puna nuk shkoi si duhet. Fillimisht punoi në një qendër telefonimi (call center) të ofruesit zviceran Sunrise dhe më vonë si punëtor skelesh, por gjithmonë me ndjenjën se është në vend të huaj, ku e shqetësonin korrupsioni dhe të drejtat e pakta të punës.

Dëbimi filloi të ndikojë, kosovari filloi të vetëdijësohet. “Nuk dua më të kem asgjë me të kaluarën time. Ne kishim vetëm gjëra të marra nëpër kokat tona. Unë nuk e dija se çfarë po bëja. Falë Zotit, tani jam i vetëdijshëm”, i ka thënë gjykatësit Amacker, me një kolorit të theksit kosovar dhe gjuhës gjermane vendore.

Por, pendimi nuk ia bëri më të lehtë qëndrimin në Kosovë. Sidomos kur i biri i tij i kishte thënë: “Babi, ti po mungon shumë këtu”. Tre herë aplikoi për një vizë, por më kot.

Uji Dea

Në ditëlindjen e djalit të tij gjatë këtij viti, babai i munduar u fut në Zvicër përmes Chiasso dhe erdhi në Rontal të Lucernit. Pas festës, vëllai i tij donte të vizitontë një shoqatë shqiptare në Dietikon dhe e mori me vete. Por, në Komunën Unterengstringen, policia u gjend në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, duke marr me vete udhëtarin ilegal në stacionin në Urdorf, informon më tej Albinfo.ch. Nga atje, ai u dërgua në një qeli në qytetin e Cyrihut, para se të largohej nga vendi.

Prokuroria e kishte dënuar atë me urdhërdënim, për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm, me pesë muaj burg. Por, gjykata e dënoi vetëm për hyrje të paligjshme, ashtu siç kërkoi pala mbrojtëse e tij. Po të mos e kishte arrestuar policia, ai do të kishte dalë nga Zvicra brenda 24 orëve.

Ndryshe nga që kërkoi avokati i tij, gjykata i shqiptoi një dënim të pakushtëzuar prej 60 mëditjeve me nga 30 franga. Ai gjithashtu duhet të paguajë disa mijëra franga për shpenzimet gjyqësore. “Ju nuk keni ardhur për të na mashtruar. Dhe nga ana njerëzore, ne mund t’ju kuptojmë shumë mirë”, ka pohuar gjykatësi Amacker.

Megjithatë, pasi i pandehuri kishte thyer një urdhër të autoriteteve, atij nuk mund t’i jepet një parashikim i favorshëm. “Për gjobën ju do të mundoheni edhe për një kohë. Por, kjo është ajo që kërkuan ligjvënësit”, ka përfunduar Amacker.

Për të marrë pjesë në seancën gjyqësore, kosovarit i është dhënë një vizë disa ditore, njofton Albinfo.ch.

Pas kthimit të tij në Kosovë, ai atje duhet të presë deri më 24 shkurt 2019. Më pas do të mund të bëjë sërish një jetë të mirë në Zvicër, për të jetuar me bashkëshorten e tij të re në Aargau dhe të vazhdojë punën si punëtor skelesh.