Kosovari dyshohet se ka shitur dhjetëra dokumente të rreme qëndrimi në Zvicër

Një kosovar dyshohet se u ka siguruar dhjetëra bashkatdhetarëve të tij, kundrejt një pagese, dokumente të rreme të qëndrimit në Zvicër, gjegjësisht në Gjenevë.

Zbulohet një mashtrim i shkallës së gjerë në projektin e Gjenevës “Sans Paper”.

Përmes projektit “Operacionin Papirus”, kantoni i Gjenevës kishte për qëllim t’ua rregullonte statusin e qëndrimit njerëzve pa letra. Por, duket se janë falsifikuar dhjetëra dokumente, që ishin pjesë e projektit.

Një kosovar dyshohet se u ka siguruar dhjetëra bashkatdhetarëve të tij, kundrejt një pagese, dokumente të rreme të qëndrimit në Zvicër, gjegjësisht në Gjenevë. Ky lajm është raportuar të martën nga gazeta “Tribune de Genève”.

Ajo që duket kontradiktore këtu është se dokumentet e falsifikuara kanë ndodhur si pjesë e “Operacionit Papirus”, i cili i kishte vënë vetes për qëllim të rregullojë (legalizojë) statusin e të ashtuquajturve “Sans-Papiers”, d.m.th. të migrantëve që jetojnë ilegalisht në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Bëhet fjalë për ata migrantë që janë të integruar në jetën ekonomike dhe shoqërore, pavarësisht mungesës së lejes së qëndrimit.

Zyra e prokurorit të Gjenevës ka filluar një hetim dhe tani është duke shqyrtuar shkallën e mashtrimit që ka ndodhur.

Alarmin e ka ngritur Zyra Kantonale për Popullatë dhe Migracion . “Kontrollet e bëra kishin rezultuar me mashtrim, kështu që dyshimet janë raportuar në prokurori”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të sigurisë, Laurent Paoliello, për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.

Operacioni “Papirus” nuk është as një amnisti dhe as një rregullim masiv. Do të bëhet një rishikim rast pas rasti dhe çdo mashtrim i dyshuar do të raportohet në gjyqësor, tha ai. Sidoqoftë, problemet janë një përjashtim.

Në kuadrin e projektit bëhet një vlerësim individual, rast pas rasti për të përcaktuar nëse personave Sans-Papiers-ëve, të cilët janë të pavarur financiarisht dhe që janë integruar mirë për disa vjet, mund t’u jepet një leje qëndrimi, përcjell albinfo.ch.

Në mars të vitit 2019, kantoni pati raportuar se 1,800 njerëzve u ishte dhënë një vendim pozitiv deri në atë kohë.

Kosovari dyshohet se ka shitur dhjetëra dokumente të rreme qëndrimi në Zvicër

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).