Fundamenti

Kosovarët prijnë në rajon me kursime

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Deri në fund të vitit kosovarët do t’i rrisin kursimet në banka për 7.7 për qind. Nëse realizohet parashikimi i pronarëve të bankave komerciale, depozitues kryesorë do të jetë sektori privat. Depozitat e sektorit bankar në vend arritën vlerën mbi 2.50 miliard gjatë vitit të kaluar.

Këto të fundit sipas raporti të Bankës Qendrore të Kosovës për zhvillimet makroekonomike pritet të rriten edhe më tej, raporton Gazeta Tribuna.

Ndonëse, vlerësohet si shteti më i varfër në Evropë, megjithatë kosovarët pothuajse për çdo vit vazhdojnë të rrisin kursimet e tyre në bankat vendore, pavarësisht se interesi për një gjë të tillë është më i ulëti që nga pas lufta.

Kosova dhe Maqedonia prijnë në rajon me rritjen më të lartë të depozitave, përderisa Shqipëria raportoi normën më të ulët të rritjes së depozitave gjatë kësaj periudhe.

Kjo rritje e depozitave në Kosovë ka ndodh edhe përkundër asaj se norma e interesit për depozita kishte rënë në 0.6 për qind, nga 3.5 për qind.

Niveli i depozitave është parashikuar që të rritet edhe përgjatë këtij viti.

ARKATANA

“Depozitat e sektorit privat gjatë vitit 2015 pritet të vazhdojnë trendin e rritjes që i ka karakterizuar në vitet e fundit. Rritja e depozitave të sektorit privat gjatë vitit 2015 pritet të jetë rreth 7.7 për qind krahasuar me 4.0 për qind në vitin 2014. Rrjedha e depozitave është drejtpërsëdrejti e lidhur me të ardhurat kombëtare të disponueshme të cilat pritet të rriten për 4.6 për qind në vitin 2015”, thuhet në raportin e BQK-së.

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se rritja e depozitave në kohën kur niveli i interesit për to ka rënë, po bëhet për shkak se qytetarët nuk kanë alternativa tjera se ku t’i investojnë kursimet e tyre.

Krahas depozitave edhe kreditë pritet të shënojnë rritje këtë vit.

“Në vitin 2015 parashikohet që norma e rritjes së kreditimit ndaj sektorit privat të jetë 5.4 për qind, që është e ngjashme me vitin e kaluar. Përveç përmirësimit të ambientit të përgjithshëm, si dhe rritjes së kërkesës së përgjithshme në vend, faktorë tjetër me rëndësi që pritet të ndikojnë në rritjen e mëtejme të kreditimit është edhe rënia e normave të interesit në kredi të cilat pritet të nxisin rritjen e kërkesës për kredi. Parashikimet e BQK-së për rritje të kreditimit janë gjithashtu në linjë me raportimet e bankave në kuadër të anketës së kreditimit bankar e cila parasheh përshpejtim të aktivitetit kreditor gjatë periudhave në vazhdim”, thuhet në raportin e BQK-së.

E natyra e kredive pritet të jetë kryesisht konsumuese. /Gazeta Tribuna/