Uji Dea

Kosovarët nuk duhet të deportohen

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Komisionit për Integrime Europiane, Lutfi Haziri i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të mos angazhohet për deportimin e kosovarëve, që janë duke u mbajtur nëpër qendrat e ndalimit të vendeve të BE’së.

Ai ka thënë se në vend të deportimit me dhunë, Qeveria duhet të angazhohet për riatdhesimin e tyre në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës nuk guxon të pranojë masën e deportimit të asnjë qytetari që ka ikur në vendet e BE’së sepse është në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare”, ka thënë Haziri, për Express, të martën.

Ai ka pohuar se masa e deportimit duhet të zëvendësohet me riatdhesim dhe riintegrim.

“Deportimi si masë në Kosovë është i papranueshëm dhe Qeveria nuk duhet ta pranojë. Riatdhesimi me ato shtete që Kosova ka bërë marrëveshje është proces që e obligon Qeverinë me marrë veprime qoftë ai veprim për kthim dhe riintegrim dhe riatdhesim apo edhe i mbështetjes të këtyre individëve dhe familjeve të tyre në mënyrë që ta kalojnë më lehtë gjendjen sociale çfarë e kanë tash”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se duhen kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet hungareze për t’u kujdesur për riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës.

“Ne duhet të tregojmë kujdes për ata qytetarë tanë sepse ligji i mbron, konventat ndërkombëtare i mbrojnë dhe fundja e drejta për azilkërkim i mbron. Riatdhesimi duhet të hyjë në binarë duke vendosur kontakte normale me shtete e BE’së e jo me publikun e Kosovës”.

Ndryshe, më shumë se një mijë qytetarë të Kosovës aktualisht ndodhen në disa qendra të ndalimit në Hungari dhe në disa vende tjera të BE’së.

Ministria e Jashtme ka paralajmëruar se të enjten do të kthehen në Kosovë 110 qytetarë që kanë tentuar në mënyrë ilegale të ikin në ndonjë vend të BE’së.

Mobi Casa

Ndërkohë në Prishtinë, Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku dhe Ministri i Brendshëm, Barjam Rexhepi kanë kërcënuar qytetarët që e lëshojnë Kosovën se do të kenë pasoja për veprimet që ndërmarrin.

Këto kërcënime, Lutfi Haziri i quan të paarsyeshme dhe të paefktshme për shkak se me deklarata nuk mund të stopohet ikja e të rinjve.

“Ikja e qytetarëve nuk ndalet duke dhënë deklarata dhe duke lëshuar kërcënime. Por, ata ndalen vetëm nëse bëhet një program për ta, nëse bëhet një prioritet për ta dhe vetëm nëse bëhet një angazhim serioz, i cili ua kthen shpresat për një jetë më të mirë, për sundim të ligjit dhe për punësim në Kosovë”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK’së ka deklaruar se qytetarët e Kosovës janë zhgënjyer me deklaratat pa mbulesë të qeveritarëve, të cilët kanë premtuar se liberalizimi i vizave do të ndodh para vitit 2011.

“Kryeministri ka premtuar se në vitin 2011 qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza, ndërsa jemi në gjysmën e dytë të vitit 2013 dhe ende po presim qartësim në dialogun për liberalizimin e vizave. Nuk ka shpresë dhe njerëzit, duke i humbur shpresat këtu po e lënë vendin dhe po ikin për shpresa të reja në Europë”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë ambient ku njerëzit e saj nuk kërkojnë rrugë alternative për të ikur.

Ai thotë se përveç krimit dhe korrupsionit edhe numri i madh i azilkërkuesve do të ndikoj keq në liberalizimin e vizave.

“Fluksi kaq i madh i njerëzve për të shkuar në drejtim të BE’së e rrezikon jashtë mase liberalizimin e vizave kur vjen në shprehje Këshilli i Ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë për shkak se këto janë autoritete jashtëzakonisht rigoroze, me të cilët vështirë është me ba kompromise politike”, ka paralajmëruar Haziri.