RCCOLA

Kosova!

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Beqë Cufaj – Për çka flasim kur flasim për Kosovën? Për heronjtë dhe varrezat, qeverisjen dhe hajninë, ndërkombëtarët dhe lokalët, njohjet dhe ngecjet, lirinë dhe dëshpërimin, punësimin dhe varfërinë, kapot dhe korrupsionin, investimet dhe ikjen e tyre, profesorët me pesë rroga dhe studentët pa ëndrra, imazhin për veten e vendin dhe gënjeshtrën që ia bëjmë po vetes, ministrat dhe zagarët e tyre, parlamentin dhe qeverinë, parlamentarët dhe përtacinë, peisazhin dhe harrnimin e tij, punishtet dhe dembelinë, artin dhe grindavecët e mejhaneve, religjionet dhe barkun e zbrazët, idetë dhe kopjimet (e tyre), vizionet dhe mungesat për to, ëndrrat dhe dëshpërimet, shpresat dhe zhgënjimet, miqësitë politike, ekonomike, financiare, krijuese dhe jonsiqeritetin që ndjehet aty për aty- në shtëpi, tryezë, katedër, vend pune, mejhane, tyrbe, xhami, kishë, makinë, avion, rrugë a rrugicë…

Flasim për të gjitha këto dhe në asnjë mënyrë s’e kalojmë rubikonin e trishtimit që s’po ecën që s’po ecë,. S’po u shkon – sepse s’duan, s’munden, s’dinë (?), atyre që pjesërisht i zgjodhëm e pjesërisht me votë të vjedhur hipën në pushtet. Por as atyre që mbetën për ta vëzhguar këtë qeverisje. Dhe s’po na ecën as neve, qytetarëve e vdektarëve të zakonshëm, në gjetjen e mënyrave e formave për ta shprehur pakënaqësinë dhe revoltën me këtë përditshmëri në të cilën secili vrapon pas secilit, secili mashtron secilin, secili i merr diçka secilit. Nga fjalët e teket deri tek energjia e të ecurit, folurit, ngrënit, të menduarit, të vepruarit, të veshurit… dhe deri në eliksirin për një jetë më të mirë. Për veten dhe tjetrin përskaj.

Kosova, kjo tokë dhe ky nënqiell nga i cili nuk mund të tregohet asgjë. Ky vend me rininë më të madhe për kokë banori në Europë, papunësinë më të madhe për kokë banori në Europë, varfërinë më të madhe për kokë banori në Europë, korrupsionin më të lartë për kokë banori në Europë, krimin më të madh për kokë banori në Europë. Kosova ky vend me misionet më të mëdha ndërkombëtare në historinë dhjetëvjeçare. Misioni më i madh i NATO-s në histori- dhe kjo Kosovë ende s’guxon të ketë ushtrinë e saj. Misioni më i madh i OKB-së në historinë e saj- dhe kjo Kosovë s’mund të anëtarësohet në OKB.

Misionin më të madh në historinë e Bashkimit Europian- dhe banorët e këtij vendi nuk mund të udhëtojnë as shlirshëm e pa viza po në atë Bashkim Europian. Ky vend të cilit iu hoq pavarësia e mbikëqyrur de jure- por vazhdon t’i jetë e mbikëqyrur sikurse asnjë tjetri në kontinent. Ky vend të cilit u mundua që për hir të “barazisë” së dorasve fqinj- t’i mveshej etiketa e krimeve të luftës. Ky vend i cili me veriun e vendit që nuk i ka as 100.000 banorë (serbë) por që kanë fuqinë dhe përkrahjen që të marrin peng edhe (gadi) dy milion qytetarë tjerë.

Kosova, është një fushë poligoni e laborator politik në të cilin të mëdhenjtë shtyhen me të mëdhenjtë, dhe të vegjlit me të mëdhenjtë. Ku politika është një sport nga i cili përfitojnë të gjithë: ndërkombëtarë” e “lokalë”, “i madh” e “i vogël”.

Mobi Casa

Edhe sa do të durojë kjo Kosovë këtë nëpërkëmbje që ia bëjnë tjerët dhe me këtë edhe ajo vetes?! Dhe këta tjerë nuk janë më as pushtuesit e as çlirimtarët. Me metamorfoza nga veshja deri tek përfolja e performanca. Fjalë boshe që vidhen nga njëri-tjetri. Me bagazhe publike në peshore puplash intelektualizmi dhe sovraniteti (a)moral. Janë me emra dhe mbiemra. Janë njerëz që i njohim. Të zhytyr thellë në moçalin e ndotur të papërgjeshmërisë, improvizimit, mashtrimit, shantazhimit. Në të bërit politikë e opozitë, ekonomi e financa, art e kulturë!

Këto e plot të tjera i di ky vend e banorët e saj të mbështetur për muri në pashpresën e ardhjes së ditëve më të mira.

Po e lëmë një vit të vështirë prapa. Të turbullt dhe pa ndonjë shpresë të madhe që diçka mund të ndryshojë shpejt. Sepse s’po dinë, s’po munden, s’po duan. As “ata” dhe as “ne”.

Puna është vetëm: kush do të dijë, kush do të mundet dhe kush do të dojë? Të na i heqë qafe. Dhe të fillojmë ta harrojmë ngapak njëri-tjetrin. Me angazhim për ditë më të mira e perspektivë, për këtë vend e këtë nënqiell. Sepse më nuk shkon kështu. Dhe që nuk do të shkojë më si deri tash, do ta dëshmojë viti në të cilin po hyjmë: 2013!