Kosova vend me barriera të shumta për investime

Biznesmeni Skënder Huta thotë se pos biznesit në Kosovë, ka arritur që atë të shtrijë edhe në Gjermani. Një prej angazhimeve afariste që ka ai është edhe prodhimi i stofit, material me të cilin veshë veturat e kompanive të njohura botërore. Ai thotë se në fillim të këtij viti, ka dashur që një pjesë të biznesit ta bartë në Kosovë dhe t’i investojë diku rreth 4.5 milionë euro, por një gjë të tillë nuk e ka bërë për shkak të barrierave me të cilat është përballur.
“Kemi dashur me i sjellë investimet këtu në Kosovë rreth 4.5 milionë euro me dokumentacione të kompletuara, ku pjesa më e madhe ka qenë e paraparë në riciklim e pjesa tjetër në shtofë. Kemi qenë në bashkëpunim edhe me investitor tjerë gjerman, por shkaku i barrierave dhe shkaku i sistemit në Kosovë, jemi detyruar që investimet t’i lëmë në Gjermani sepse në Kosovë prodhuesit vendor nuk mbrohen”, ka theksuar Skënder Huta.
Derisa në vendin tonë investimet e huaja direkte po zvogëlohen, ato të kompanive kosovare po rriten në rajon. E kjo gjë po e shqetëson kryetarin e Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu. Sipas tij, në 3-mujorin e parë të këtij viti, shifra e investimeve të bizneseve kosovare në vendet e rajonit si Shqipëri, Maqedoni e Malin e Zi, është rreth 17 milionë euro që zyrtarisht është më e larta deri më tani.
“Kemi një fluks të kapitalit të bizneseve vendore. Llogaritet që 17 milionë euro kanë depërtuar në tregjet e rajonit dhe më gjerë ku është duke u bartur prodhimi dhe investimet. E tëra kjo vërtet është një shifër shqetësuese dhe duhet të na obligojë që të bëjmë më tepër. Arsyet e daljes së këtij kapitali, janë fare të thjeshta, mungon do të thotë një ambient i mirëfilltë, për mbështetje të sektorit privat”, ka thënë Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Sipas Gërxhaliut, ky trend i bartjes së kapitalit rrezikon edhe mbylljen e vendeve ekzistuese të punës, e lërë më krijimin e vendeve të reja . E për Muhamet Sadikun, shifrat e tanishme nuk janë alarmante, por mund të jetë në të ardhmen.
“Unë mendoj se për momentin ky nivel i zhvendosjes se kapitalit në shtete e tjera nuk është alarmues, por nëse Kosova nuk arrin që të avancoj mjedisin e vet biznesor, atëherë duhet pritur që kjo shumë të jetë më e madhe, prandaj Kosova edhe zhvillimin e vet të ardhshëm dhe hapjen e vendeve të punës duhet ta ndërlidhë kryesisht me investime të jashtme dhe në këtë drejtim unë mendoj se institucionet kanë mjaft për të bërë”, ka theksuar Muhamet Sadiku, njohës i çështjeve ekonomike.
Por, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë në deklarimet e mëhershme kanë thënë në tri vitet e fundit në Kosovë është përmirësuar dukshëm klima e të bërit biznes dhe kjo falë reformave që janë ndërmarrë në vitet e fundit dhe eliminimi i barrierave në të bërit biznes.