Kosova, vend i diversitetit fetar
Derisa ditën e parë të Konferencës Ndërfetare, e cila po mbahet në Prishtinë, e hapi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje ishte kryeministri Mustafa që fillimisht iu drejtua më se 300 mysafirëve nga dhjetëra vende të botës. “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftës ndaj ekstremizmit të dhunshëm”, është tema e këtij edicioni. Në këtë kuptim, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka qenë historikisht rajon i diversitetit etnik, i diversitetit fetar dhe shoqëror dhe se Kosova është një shtet i ri, por me një kulturë të vjetër.
“Ne ekzistojmë tash e 8 vjet si Republikë parlamentare, por para më se 2 mijë vjetësh mu këndej është shpërndarë krishterimi. Këtu ndodhi edhe ndarja e dy kishave, lindore ortodokse dhe asaj perëndimore katolike. Këtu është shpërndarë islami para mbi 600 vjetësh, fillimisht nëpërmjet mistikëve sufi, e më vonë edhe nëpërmjet Perandorisë Osmane që sundoi gjatë në këto treva. Këtu ne kemi po ashtu bashkësi të vogla si protestantë, hebrenj, bektashinj dhe tarikate tjera. Prandaj të gjithë e përbëjnë një mozaik të pasur të besimeve dhe mozaik etnik në Kosovë”, tha kryeministri.
Duke folur për rëndësinë e femrës ai shtoi se arsimi, puna në familje, puna me shoqërinë civile, është e një rëndësie të veçantë dhe, po ashtu roli i grave dhe aktivisteve gra, është thelbësor në shoqëri.
“Dëshiroj të potencoj se emancipimi dhe fuqizimi i rolit të gruas, është agjendë tepër e rëndësishme për promovimin e progresit shoqëror dhe po ashtu edhe për emancipimin fetar”, tha kryeministri.
Ndërkohë dje të pranishëmve iu drejtua edhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Tawakkoli Karman, nga Jemeni. Ajo tha se për lirinë e shprehjes duhet që të gjithë të luftojnë pasi që është pikërisht mungesa e saj që sjell në ekstremizëm të dhunshëm.
“Njerëzit të cilët nuk janë në gjendje t’i shprehin lirshëm idetë kanë tendencë më të madhe të ekstremizmit. Nëse duam të kemi një shoqëri jo të dhunshme duhet të sigurohemi që liria, drejtësia dhe dinjiteti të jenë prezent te njerëzit”, tha ajo./zeri/

