Kosova ta ndjekë shembullin kroat, të dënojë kokat e pushtetit
Pas luftës, shumë biznese vendore të Kosovës u pasuruan në mënyrë të shpejtë dhe marramendëse sa hap e mbyll sytë si askund tjetër në rajon e gjetiu. Shih për këtë, ekspertët dhe opozita duan një hetim urgjent të bizneseve të dyshimta oligarkike. Analistët e ekonomisë, ekspertë të kësaj fushe, sikurse edhe deputetë të opozitës, janë të një mendimi se shumë biznese të dyshimta janë pasuruar në mënyrë marramendëse, në saje të lidhjeve tejet të fuqishme me krerët e politikës e shtetit, dhe se janë po të njëjtët që kanë blerë gjithçka, duke filluar nga drejtësia e deri te politika.
ATK-ja dhe Prokuroria të veprojnë sipas ligjit, shkruan gazeta Kosova Sot.
Pas luftës, shumë biznese vendore të Kosovës u pasuruan në mënyrë të shpejtë dhe marramendëse sa hap e mbyll sytë si askund tjetër në rajon e gjetiu. Shih për këtë, ekspertët dhe opozita duan një hetim urgjent të bizneseve të dyshimta oligarkike.
Analistët e ekonomisë, ekspertë të kësaj fushe, sikurse edhe deputetë të opozitës, janë të një mendimi se shumë biznese të dyshimta janë pasuruar në mënyrë marramendëse, në saje të lidhjeve tejet të fuqishme me krerët e politikës e shtetit, dhe se janë po të njëjtët që kanë blerë gjithçka, duke filluar nga drejtësia e deri te politika.
Ata e shtrojnë pyetjen se përse ATK-ja dhe Prokuroria e Shtetit nuk po i hetojnë këto biznese për të zbardhur rastet se si ato kanë bërë shpëlarjen e parave, përkatësisht për të zbardhur të vërtetën se çfarë tenderësh kanë marrë dhe sa taksa kanë shmangur. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të ATK-së dhe Prokurorisë së Shtetit, se çfarë hapash kanë marrë këto dy institucione me rëndësi për të zbardhur të vërtetat e këtyre rasteve, zyrtarët e tyre për informim nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për gazetën, ndonëse e kanë gojën plot transparencë me publikun. Ndërkaq duke dhënë idenë e tyre se si janë pasuruar këto biznese, disa nga analistët thonë se ata njerëz që i kanë udhëhequr ato biznese jo se kanë qenë menaxherë të dijshëm, por pasurinë e tyre ata e kanë krijuar në bazë të evazionit fiskal, ekonomisë informale dhe krimit të organizuar, si edhe në saje të privatizimit kontrovers. Ndërkohë që një pjesë tjetër e analistëve janë të mendimit se zbardhja dhe ndriçimi i rasteve të pasurimit të këtyre individëve nuk do të ndodhë asnjëherë.
Bosët e vërtetë, politikanët
Analisti Shefqet Dibrani është pajtuar me vlerësimin se duhet të hetohen shumë biznese të dyshimta e oligarkike, që janë pasuruar në mënyrë të shpejtë dhe marramendëse, dhe në disproporcion me gjendjen shumë të rëndë ekonomike në Kosovë.
Ai thotë se të gjitha bizneset e dyshimta, të cilat janë zgjeruar në mënyrë të shpejtë, dhe janë pasuruar në mënyrë marramendëse, kurse pronarët e tyre kanë krijuar luks të tepruar, duhet t’iu nënshtrohen sistemit të kontrollit, i cili nëse sheh parregullsi ligjore, duhet rastet t’i procedojë në prokurori. “Po ashtu, të gjitha bizneset që janë të lidhura me oligarkët politikë, përkatësisht që i kanë pronar të vërtetë bosët politikë, duhet të ndëshkohen dhe t’u ndalet hovi i shkatërrimit të mëtutjeshëm të ekonomisë së vendit, sepse në kushte normale Kosova nuk jep mundësi për t’u pasuruar në mënyrë marramendëse, prandaj vetëm infrastruktura e bartësve të bizneseve të caktuar, e rrit dhe shton dyshimin për t’i hetuar, dhe nëse një gjë e tillë nuk bëhet, drejtësia në Kosovë, me pikë të qëllimit po i ngulfat bizneset e rregullta dhe me këtë po e shtyn vendin drejt humnerës, duke penguar zhvillimin e gjithëmbarshëm në Kosovë”, u shpreh ai.
Dibrani tha se askush nuk e ka të qartë pse ATK dhe Prokuroria Speciale nuk po i heton bizneset e dyshimta, sidomos skandalet publike, për të cilat shkruhet dhe debatohet gjatë. “Po mjerimi edhe më i madh i Kosovës është kur zyrtarët përgjegjës, siç është kryeministri i Kosovës, nga foltorja e Parlamentit të Kosovës, thotë se dikush duhet të japë llogari për skandalet disa dhjetëra milionëshe, për të cilat është shkruar e thënë mjaftë. Por, në vend se zyrtari i lartë dhe kryeministri i vendit të autorizojë komisionet përkatëse për të hulumtuar, në vend se të urdhërojë ATK-në dhe Prokurorinë Speciale, për të nisur hetimet nëse ka bazë për procedurë penale, ai nga foltorja u tregoi përralla qytetarëve, se dikush duhet të japë llogari, pa marrë asnjë hap konkret në cilësinë e drejtuesit të Qeverisë së Kosovës. Por, si duket as ATK dhe as prokurorët, sikurse edhe kryeministri i Kosovës nuk e udhëheqin Kosovën me duar të pastra, prandaj çjerrjet se dikush duhet të japë përgjegjësi duken thirrje nga paniku se vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, prandaj si duket e ka këndellur ndërgjegjen e fjetur të kryeministrit”, theksoi ai. Sipas Dibranit, këto biznese janë pasuruar në saje të lidhjeve tejet të fuqishme, që kanë pasur me politikën dhe që kanë blerë gjithçka nga drejtësia te politika./kosova sot/


