UBT

Kosova s’e shfrytëzoi si duhet anëtarësimin në organizmat financiarë ndërkombëtarë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosova është anëtarësuar në disa mekanizma financiarë ndërkombëtarë, kurse përpjekjet vazhdojnë edhe për anëtarësime në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Në maj të vitit 2009, Kosova ishte bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, (FMN) kurse në qershor po të këtij viti u pranua edhe në Bankën Botërore (BB).

Ndërkaq, në fund të vitit 2012, Kosova u anëtarësua edhe në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH).

Zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të ekonomisë në atë periudhë konsideronin se anëtarësimi i Kosovës në këto institucione financiare, do të krijonte siguri ekonomike, do ta përmirësonte imazhin e Kosovës në tregjet financiare, si dhe do ta rriste besimin e investitorëve të huaj.

Por, cili është vlerësimi i tyre pas gjashtë vjetësh, respektivisht pas dy vjetësh të pranimit?

Cilat janë përfitimet dhe sa është vlera e borxheve në këto institucione që konsiderohen kryesore në Kosovë?

Shefi ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se anëtarësimi i Kosovës në këto organizata ndërkombëtare financiare nuk është shfrytëzuar në nivel të duhur.

Hidromorava

Sipas tij, kanë munguar projektet e nevojshme për shkak të kapaciteteve të kufizuara njerëzore në institucionet e Kosovës.

“Në bazë të kontakteve që kemi pasur me përfaqësues të këtyre institucioneve, na është thënë se kërkesat, ose aplikacionet për financim, kanë qenë të mangëta. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me kapacitetin e kufizuar njerëzor brenda institucioneve tona”, thotë Zeka.

Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP, konsideron se pas njohjeve politike, në aspektin ekonomik, rëndësi të madhe ka pasur anëtarësimi i Kosovës në këta mekanizma financiarë ndërkombëtarë.

Këto anëtarësime, thotë Demi, kanë konfirmuar shtetësinë e Kosovë dhe janë mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, por që deri më tani nuk janë shfrytëzuar as nga ekzekutivi, por as nga sektori publik.

“Mundësitë janë, por janë shfrytëzuar shumë pak. Madje edhe në takimet që kemi pasur me përfaqësues të BERZH-it, ankesa e tyre ka qenë se nuk po arrijnë të marrin oferta të mira, qoftë nga Qeveria e Kosovës, qoftë nga sektori privat për të financuar”.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave, kanë thënë se përfitimet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar janë të pranishme, sepse qasja në huazime është me kushte të volitshme financiare, po ashtu përfitime ka edhe nga grantet e ndryshme të Bankës Botërore./rel/