Fundamenti

Kosova pritet t’i ketë tri prurje të reja për ndeshjet ndaj Maltës dhe Ishujve Faroe në Ligën e Kombeve

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Humbja e një numri të madh të futbollistëve të vyeshëm që kanë shkuar drejt shteteve të tjera duket t’ia ketë çelur sytë më në fund Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

I kontraktuari i saj, përzgjedhësi Bernard Challandes, krahas angazhimeve në Ligën e Kombeve njëkohësisht po punon edhe në afrimin e futbollistëve.

Kohëve të fundit Kosova po hidhet në aksion në momentin që po shpërthen ndonjë futbollist kosovar në ligat e huaja. Në skuadrën tonë përfaqësuese vazhdimisht po vijnë futbollist të rinj.

Ardhje të reja pritet të ketë edhe në tetor, kur Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve ndaj Maltës dhe Ishujve Faro, shkruan gazeta “Zëri”.

Ditë më parë u konfirmua se për këto dy ndeshje është ftuar sulmuesi 19 vjeç Lirim Kastrati, i cili ka shpërthyer me gola në kampionatin e Kroacisë, ku po luan për Lokomotivën e Zagrebit.

Fundamenti

Dhe, surpriza tjetër e Challandes pritet të jetë Mirlind Kryeziu. Mbrojtësi 21 vjeç po luan rregullisht dhe me shumë sukses në Zvicër me skuadrën e famshme Zurich. Kryeziu pati luajtur edhe për ekipet e reja të Zvicrës nga ai U-16 deri te U-20.

Ndërsa tash e tutje do të zërë vend në ekipin A të përfaqësues së Kosovës. Ardhje e re pritet të jetë edhe Arijanet Muriçi. Portieri që së fundmi debutoi me Manchester Cityn në shtator vendosi të luajë për Kosovën dhe nga tetori pritet ta sfidojë shumë seriozisht kapitenin Samir Ujkani, për t’ia zënë vendin në ekipin e titullarëve.

Kosova aktualisht i prin grupit të vet në Ligën D të Kombeve. “Dardanët” i kanë katër pikë, një më shumë sesa Ishujt Faro, dy më tepër sesa Azerbajxhani dhe tri më shumë sesa Malta.

Fituesi i grupit luan me fituesit e tri grupeve të tjera të kësaj lige në formë “Play-Off”-i. Dhe, fituesi i Ligës D shkon direkt në “Euro 2020”.