Kosova, ‘poster’ zgjedhor për Shqipërinë

Vizita e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në Kosovë javë më parë dhe shpallja e kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha si qytetar nderi i Prishtinës kanë qenë dy aktivitetet e vetme “të prekshme” që e kanë bërë Kosovën pjesë të fushatës zgjedhore të Shqipërisë.
Analistë politikë nga Tirana vlerësojnë se përfshirja e Kosovës në fushatën e Shqipërisë në këto zgjedhje parlamentare ka qenë më e vogël se herëve të tjera.
Emri Kosovë, sipas tyre është përdorur vetëm sa për të përmbushur mozaikun e fushatës zgjedhore të partive dhe jo që Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe ajo Socialiste e Edi Ramës kanë ndonjë plan konkret për bashkëpunim me Prishtinën zyrtare.
Analisti politik, Andi Bushati, konsideron se Kosova ka qenë temë periferike e fushatës zgjedhore në Shqipëri ku, sipas tij, partitë e mëdha nuk kanë as ide të mëdha, as perspektiva gjeostrategjike, as ideale kombëtare. “Partitë e mëdha kanë luajtur si matrapazë të vegjël votash duke u munduar të mbledhin sa më shumë ithtarë që do t’u duhen për këtë 23 qershor”, ka thënë Bushati për Tribunën.