KKGJILAN

Kosova po i afrohet defeficitit 3 miliardë euro

/ 8 minuta lexim

Bazuar në të dhënat zyrtare të ASK-së, mësohet se metalet bazë dhe produktet minerare janë mallrat që më së shumti po i eksporton Kosova në botë. Ndërsa për momentin mbetet një mister se çfarë i solli Kosovës marrëveshja preferenciale e tregtisë me SHBA-në si edhe çështja se çfarë ka mundur Kosova të eksportojë në këtë vend.

Ndërkaq, zyrtarët e ASKsë kanë njoftuar se cilat janë llojet e eksporteve më të mëdha me Evropën, SHBA-në dhe pjesën tjetër të botës. Kurse, zëdhënësi i Ministrisë së Financave të Kosovës, Muharrem Shahini, për ” Kosova Sot “, ka sugjeruar se për këto të dhëna të kërkohet përgjigje në Doganat e Kosovës si dhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Mirëpo, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje, me gjithë pyetjet e dërguara dhe bisedën telefonike me drejtorin dhe zëdhënësin e Doganave që kanë thënë se vështirë se do të jenë të gatshme përgjigjet e Doganës për ditën e hënë. Zyrtarja e lartë e ASK-së për analiza të Tregtisë së Jashtme, ekspertja Mensure Qerkezi,për ” Kosova Sot”, tha se të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 7.6 për qind në vitin 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 2.669.1 milionë euro krahasuar me deficitin 2.479.8 milionë euro në vitin 2016.

Bilanci i vjetshëm tregtar

Eksporti në vitin 2017 mbulon importin (12.4 për qind).Eksporti i mallrave në vitin 2017 kishte vlerën 378.0 milionë euro, ndërsa importi 3. 047.2 milionë euro, është një rritje prej 22.1 për qind për eksport si dhe 9.2 për qind për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 35.8 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 19.2 për qind produktet minerale,9.8 për qind ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 9.4 për qind plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, 6.2 për qind produktet bimore, 3.1 për qind lëkurë dhe artikuj prej tyre, 2.7 për qind artikuj të ndryshëm të prodhuar etj. Sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: 14.5 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, 13.0 për qind ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 11.9 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.1 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.8 për qind mjetet e transportit, 7.6 për qind produkte të industrisë kimike, 6.4 për qind plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre etj. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 94,2 milionë euro, ose rreth 24.9 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 34.6 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania 5.3 për qind, Holanda 3.4 për qind, Britania e Madhe 3.0 për qind dhe Austria 2.8 për qind. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 1,312,1 milionë euro, ose 43.1 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9.2 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 12.4 për qind, Italia 6.4 për qind, Greqia 4.4 për qind, Polonia 2.6 për qind etj.

Sivjet u shënua rënie e eksporteve

UBT

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për ” Kosova Sot”, tha se të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë, se Kosova kryesisht eksporton në vendet e ndryshme produktet e veta, si BE, CEFTA, dhe vendet e tjera. Sipas të dhënave nga ASK-ja, në muajin shkurt 2018 eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6.0 milionë euro, ose rreth 26.9 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej minus, 1.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë:Gjermania 7.7 për qind, Holanda 4.8 për qind, Bullgaria 2.3 për qind dhe Austria 2.1 për qind. Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 9.7 milionë euro, ose 43.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, një rënie prej minus 4.1 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria 16.6 për qind, Maqedonia 13.9 për qind, Serbia 7.8 për qind, dhe B dhe H 3.2 për qind, ndërsa me vendet e tjera të botës arritën në 6.6 milionë euro, ose 29.6 për qind. “Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India 15.1 për qind dhe Zvicra 8.8 për qind. Sipas të dhënave zyrtare, 40.0 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 8.9 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.6 për qind e përbëjnë produktet minerale; 5.6 për qind e përbëjnë produktet bimore; 5.2 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.7 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 3.2 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 3.2 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj”, u shpreh ai. ” Kosova ka ende raport negativ lidhur me eksportin e SHBA-së, janë pak produkte që Republika e Kosovës ka arritur t’i eksportojë në SHBA. Siç dihet, Shtetet e Bashkuara kanë një standard të veçantë të cilësisë, andaj edhe ka sfida në këtë fushë, mos të harrojmë se largësia gjeografike ka ndikuar dukshëm”, shpjegoi Beqiri.

Kosova me potenciale të pashfrytëzuara

Analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot”, tha se në bazë të raporteve të ASK-së po ashtu edhe raporteve ndërkombëtare Kosova të vetmet përparësi krahasuese në nivel ndërkombëtarpër të qenë konkurrente i ka pasuritë nëntokësore dhe në fakt të vetmet produkte që eksportohen në mënyrë masivë janë pikërisht pasuritë nëntokësore. “Kosova me vëllimin e pasurive nëntokësore dhe me cilësinë e metaleve si ato të rënda, metale të çmuara dhe metale të rralla, po ashtu edhe me pasurinë e linjitit që e bën Kosovën konkurrente në nivel rajonal dhe më gjerë për furnizim me energji elektrike. Po të ktheheshin në kapacitete të plota të prodhimit, Kosova do të ishte shtet me rritjen më të madhe ekonomike, po ashtu me buxhet më të madh në nivel rajonal dhe me një mirëqenie të lartë të qytetarëve. Për fat jo të mirë, në mungesë të strategjive të mirëfillta dhe në mungesë të mospromovimit të këtyre pasurive para investitorëve të huaj, sot Kosova me gjithë këto pasuri është shteti më i varfër ne rajon dhe në Evropë”, potencoi ai. “Investitorët e huaj gjithnjë kanë shfaqur interesim në investimin në pasuritë nëntokësore, por nuk kanë gjetur vend të përshtatshëm për investime si rezultat i keqqeverisjes, por edhe ata investitorë që janë nuk punojnë me kapacitete të plota, pasi shumë ndërmarrje që janë privatizuar janë para bankrotimit. Duhet t’i kujtojmë opinionit që edhe ai eksport i pasurive nëntokë- sore del nga Kosova si lëndë e parë apo gjysmë produkt që në fakt brenda asaj sasie ka edhe shumë produkte të çmuara që në njëfarë mënyre keqpërdoren nga eksportuesit në mungesë të njerëzve kompetent që të rivlerësojnë vlerat e materialit të eksportuar”, vlerësoi Kadriaj.

Ndërsa ekonomisti Dardan Grapci, për ” Kosova Sot”, tha se mallrat që më shumti po i eksporton Kosova në tregjet botërore, veç mineraleve dhe nënprodukteve të tyre, janë produktet , “Birra e Pejës”, “Troi “- fara të qëruara , “Red-Rain” etj., kurse shtetet ku po eksportojnë më shumë janë :Sllovenia, Bosnja, Kina, Turqia, India dhe Vietnami”. “Marrëveshja preferenciale me SHBA-në do t’i japë mundësi bizneseve të Kosovës që t’i eksportojnë produktet e tyre në të dyja Amerikat, asaj Veriore dhe Latine, dhe kjo për fillim është një shenjë që na tregon se për bizneset kosovare është hapur një rrugë e mirë për një dalje nga kriza e thellë që e ka kapur vendin tonë”, ka thënë më tutje Grapci. S.Blaku

(Kosova Sot)