Eko Higjiena

Kosova nuk ka Sindikata

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Ibrahim Rexhepi – Janë krejtësisht të pakuptimta vlerësimet se sindikatat në Kosovë nuk po manifestojnë organizim sikurse simotrat e tyre në shtet e tjera, ashtu që punëtorët Një Majin të mos e kalojnë duke pushuar,por në protesta për të kërkuar, së paku respektim të të drejtave të tyre.

Krejt pakuptimësia vjen nga fakti se punëtoria kosovare me vite të tëra a dëshmuar se nuk është e organizuar, përkatësisht nuk ka organizim të mirëfilltë për të mbrojtur të drejtat e veta elementare- ato që iu garanton ligji. Pra, nuk ka organizim sindikal.

Kjo është arsyeja pse punëtorët kanë krijuar traditën që festën e punës ta kalojnë kryesisht në shtëpi, apo në variantin më të mirë, në Gërmi, ose në vende tjera pikniku pranë saçit duke u kënaqur më flija. Ndërkaq, udhëheqësit sindikal, kanë komoditet më të madh-udhëtuan në brigjet e Adriatikut në Durrës.

Nga ana tjetër në aspektin formal a sindikatë, e cila kryesisht është e koncentruar në një barakë “pas Komitetit”, ku mrizon paria e saj, e cila në vend të veprimit për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve është e kënaqur me përfaqësim në borde e struktura të tjera organizative të pushtetit, ku më shumë vjen në shprehje interesi i individual, se sa ai i punëtorëve. Janë në pyetje fitimet financiare që realizojnë, vetëm pse krijojnë kolorit brenda trupave qeveritar, apo të agjencive të pavarura.

Ndërkaq, në Agjencinë kosovare të Privatizimit, ku sindikata është e pranishme prej themelimit të saj, vendoset për shkatërrimin ekonomik të Kosovës, shuarjen e vendeve të punës, dëshmohet pafuqia për mbrojtjen e pronës shoqërore nga keqbërësit dhe uzurpatorët e ndryshëm.

Po ashtu një mekanizëm qeveritar të quajtur Këshilli Ekonomik – Social është themeluar për të “plotësuar standardet”, e jo për të ndërtuar partneritet të mirëfilltë social. Nga ky këshill nuk ka dalë asnjë vendim i qëndrueshëm dhe e zbatueshëm, kryesisht kur është fjala për zbatimin e marrëveshjes kolektive.

Nga ana tjetër, secila qeveria dhe secili kryeministër punëtorët u ka qetësuar duke iu shpërndarë karamele udhëheqjes sindikale, apo duke iu dhënë premtime për përmbushjen e kërkesave që kanë punëtorët.

Të përkujtojmë vetëm dy momente.

Uji Dea

Gjatë fushatës së fundit për zgjedhje nacionale ish-kryeministri Hashim Thaçi me mjaft pompozitet me përfaqësuesit e punëtorëve dhe me ata të punëdhënësve nënshkroi marrëveshjen kolektive, e cila po respektohet pjesërisht, kryesisht në sektorin publik.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Ferizaj u bë kremte pas premtimit dhe nënshkrimit të kryeministrit të atëhershëm se do të zbatohet vendimi gjyqësorë që punëtorëve të Fabrikës së Tubave t’iu kompensohet dëmi prej 30 milionë eurosh. Kërcitëm tupanët dhe qengjat u sillën në hell. Ndërkaq, vendimi kurrë nuk u zbatua, as pas 700 ditësh grevë që po mbajnë 4-5 punëtorët më kokëfortë të kësaj fabrike. Kohëve të fundit Isa Mustafa atyre “ua preu në cung”: iu tha se nuk ka asnjë obligim dhe asnjë përgjegjësi për zbatimin këtij vendimi.

Kryeministri aktual, në një kohë mjaft të vështirë, atëherë kur nuk kishte as një muaj të plotë prej ur ishte ulur në këtë kolltuk, thirri krerët sindikal dhe iu kërkoj që të rrinë urtë dhe të mos kërkojnë rritje pagash, si u është preemtuar gjatë fushatës parazgjedhore. Po ashtu iu premtoj se nuk do të harroj punëtorët dhe të mirën që po ua bëjnë- do të ketë pagesa për punën e kaluar, për ushqim, kompensim të udhëtimeve,etj.

Ndërkaq, premtimet u harruan, ndërsa sindikata asnjëherë nuk shtrëngoj dhëmbët dhe të kërkoj përmbushje e premtimeve.

Në sektorin privat nuk ka ndryshuar asgjë- punësimi informal është shumë i madh,ose thënë ndryshe, është i konsiderueshëm numri i punëtorëve që nuk janë të mbuluar me letra e me ligj. Prandaj, të punësuarit në sektorin privat janë kategoria më e nëpërkëmbur në Kosovë, meqenëse nuk mbrohen nga askush as në kohën kur punojnë pa kontratë, kur detyrohen të punojnë me orar të stërzgjatur, kur nuk iu njihet e drejta për pushim vjetor, apo mjekësor, ose kur shtatzënat largohen nga puna.

Të gjitha këto ndodhin para syve të udhëheqjeve sindikale, e cila asnjëherë nuk dëshmoj vullnetin që të jetë vetëm në anën e punëtorëve, që të mos sillet sipas kërkesave të qeverisë, duke pasur parasysh se ajo është nëpërkëmbësi më i madh i të drejtave të punëtorëve. Kjo nuk duket kur kemi parasysh pozitën që kanë të punësuarit në sektorin publik, por vetëm për shkak të mos insistimit për zbatimin ligjit, për shkak të mos ndëshkimit të punëdhënësve që nuk e dinë se edhe Kosova e Ligjin për Punën, apo për shkak të efikasitetit të plogësht të inspeksioneve dhe të gjykatave.

Kur mbyllen sytë para kësaj situate, atëherë duhet gjetur arsyetime, qofshin ato edhe qesharake. I tillë është edhe arsyetimi i një udhëheqësi sindikale se “për fat të keq, nga sistemi i kaluar ka ngelur një shprehi e keqe e punëtoreve që të festohet 1 Maji. Një Maji nuk është festë e punëtorëve”.

Ndërkaq, Bashkimi I Sindikatave të Pavarura të Kosovës vjet ka kremtuar 25 vjetorin e themelimit . As pas një çerek shekulli ajo nuk arriti që punëtorët t’i shkëputë nga një sistem i vdekur kaherë dhe t’i fusë në zhvillimet bashkëkohore. Apo, ndoshta anëtarësinë e saj e përbëjnë vetëm nostalgjikët e sistemit të kaluar.