Kosova, një Republikë kukull

Në raport me shtetet e ndryshme të rajonit tonë, kundër së cilave faktori ndërkombëtar pati vënë kushte të ashpra të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kushte për ndërtimin e një demokracie të mirë- filltë, me bazament të shtetit ligjor, në vendin tonë po fitohet përshtypja se Kosova është shndërruar në një shtet kukull, ku liderët politikë, pavarësisht a janë apo jo të korruptuar, mbështeten nga ndërkombëtarët, sepse dirigjohen shumë lehtë ngado që të duan fuqitë e mëdha, ndërsa për interesat kombëtare nuk po brengoset të punojë askush. Ky është një percepcion që dominon te shumica e njohësve të rrethanave politike në vend.
Prof. Riza Smaka mendon se kjo klasë politike, me liderë të dëgjueshëm ndaj faktorit ndërkombëtar dhe shumë të korruptuar, ka mundësi që të kenë ndikuar edhe në korruptimin e vetë ndërkombëtarëve, kështu që bashkëjetesa e korrupsionit merr përmasa akoma më alarmante, kurse shteti vazhdon të jetë shtet kukull, i nënshtruar ndaj të gjitha kërkesave të fuqive të mëdha, pavarësisht se ato edhe mund të jenë shumë të dëmshme për interesin afatgjatë të shtetit. “Ndërkombëtarët nuk janë të harmonizuar sa duhet, nuk janë konsistent, por vetëm veprojnë adhok nga rasti në rast dhe nga individi në individ”, theksoi prof. Riza Smaka.
Unë të çlirova, unë vendosi
Sipas Smakës, meqenëse janë qeveritarët ata që kanë para pa kufi, të pakontrollueshme, kanë mundësi që ta bëjnë edhe këtë punë, sepse korrupsioni logjikisht dhe praktikisht nuk njeh kurrfarë kufijsh administrativë dhe as politikë.”Kjo situatë nuk mund të shpjegohet ndryshe kur disa përfaqësues të shteteve me tradita demokratike po vazhdojnë akoma t’i mbështesin shumë funksionarë të shtetit tonë të ri, që haptas janë të dyshuar me bazë si individë të korruptuar, të cilët po qeverisin keq dhe nuk po e përfillin interesin e shtetit”, tha prof. Riza Smaka për ‘Kosova Sot’.
Njohësi tjetër i së drejtës dhe të gjitha proceseve të deritanishme politike në vend, Muhamet Kelmendi, kujton thënien e vjetër “Unë të çlirova dhe unë vendos si të dua”. Ai tha se me këtë parim edhe u vendosën bazat e shtetndërtimit të mbrapshtë në Kosovë, me pasoja afatgjata, që e lanë trashëgim ndërkombëtarët. “Thënia e tillë më ashpër se në Kosovë askund dhe në për asnjë periudhë të gjatë kohore sa na Kosovë nuk është zbatuar askund. Me vendosjen e UNMIK-ut, me Rezolutën 1244 të OKB-së, u vendosën edhe mekanizmat ndërkombëtarë nën ombrellën e OKB-së. U ndërtua një pushtet shtetëror i paparë ndokund nëpër vendet e botës dhe në historinë e të gjithëve. Një sistem politiko-juridik shumë i pakuptimtë, që në analizat juridike dilte si eksperiment i globalizmit në gjetjen e formave të tjera të sistemit kapitalist të ndërtimit të shtetit. E tërë puna e sistemit të UNMIK-ut dhe të BE-së u përqendrua në sistem kontradiktor, pa baza juridike, në kundërshtim me normat e ndërtimit të shtetit. Askush nuk dinte se çka po bëhet. Kishim Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë, por ekzistonte edhe Këshilli i Përkohshëm, si i gjithëpushtetshëm”, tha prof. Kelmendi./kosova sot/